15 vite jetë dhe krijimtari në SHBA, artisti i spikatur Nazmi Hoxha ekspozitë me 123 piktura në Kryeministri

15 vite jetë dhe krijimtari në SHBA, artisti i spikatur Nazmi Hoxha ekspozitë me 123 piktura në Kryeministri

Nazmi Hoxha, një prej figurave më të spikatura të artit shqiptar, hapi mbrëmjen e djeshme një ekspozitë me piktura “Dreams Within a Dream”, në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri.

Nazmi Hoxha, i cili jeton në SHBA prej më shumë se 15 vjetësh, ekspozoi 123 krijime. Peizazhet, kompozimet, portretet dhe nudot janë pjesë e ekspozitës së artistit, e cila do të qëndrojë e hapur për rreth 1 muaj.

“Sot jam si ju, kam ardhur të shoh pikturat e mija. Gjithë kjo atmosferë, më e mira dhe kënaqësi amë e madhe në jetën time...e krijoi një miku im i vjetër, bashkëkolegu i artit, Kryeministri Edi Rama”, tha Nazmi Hoxha.

Në këtë ekspozitë domethënëse për COD dhe për artin shqiptar ishin të pranishëm dhe kryeministri Edi Rama dhe ambasadorë të ndryshëm.

“Është kënaqësi e emocion si një mik i hershëm por edhe si një ndjekës nga të parët të Nazmiut të cilin edhe pse kam qenë i gjatë edhe kur isha më i vogël në një moshë ku distanca në moshë është shumë më e ndjeshme sesa distanca në moshë sot me dikë, që është disa vite më i ri ose disa vite më i vjetër”.

Më vjen keq që sot mungon këtu një njeri, i cili ka qenë energjia që na bashkonte me Nazmiun dhe ka qenë një militant i flaktë i artit të Nazmiut, Agim Rada që e kujtoj me shumë nostalgji dhe pse është ndarë nga jeta jo prej shumë kohësh. Jam i bindur që është një mungesë që të gjithë ne bashkë pavarësisht se kemi secili dhe secila vendin tonë këtu nuk e kompensojmë në raport jo thjesht me Nazmiun si person, por në raport me artin e Nazmiut”, theksoi Rama.

Kuratorja e ekspozitës Eridana Çano, theksoi se “arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i pejzazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm”.

Ekspozita e veçantë prej 123 punimesh vjen për publikun shqiptar e konceptuar si “ëndrrat brenda një ëndrre”.  Ekspozita ndahet në disa cikle si “Blinds”, “Tako Artistin”, “Central Park”-u i Nju-Jorkut, “Nudo, “Eden”, etj., ku përmes një mori veprash autori shpreh përmes subjektesh dhe ngjyrash një shpirt të ndjeshëm me ngarkesa emocionale unike e të jashtëzakonshme.

Ajo është e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it dhe synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet. Pikturat e Nazmiut nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.

I lindur në Tropojë të vjetër, Nazmi Hoxha tashmë 68 vjeçar, studioi për pikturë në liceun artistik dhe Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dhe më pas u emërua mësues në vendlindje. Pas rrëzimit të regjimit komunist ai punoi si piktor filmash në Radio Televizionin Publik dhe prej vitit 2008 jeton në SHBA.

Në jetën e tij artistike numërohen një seri ekspozitash nga vendlindja dhe shumë të tjera në Tiranë dhe në SHBA. Veprat e tij të shumta dhe të veçanta gjenden të përhapura në një hapësirë të gjerë studiosh, koleksionistësh, mjedisesh dhe familjesh artdashëse në Shqipëri, Kosovë, Ballkan, Europë dhe në SHBA.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë