/ ATSH/- Rreth 150 të rinj nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë janë bërë pjesë e konferencës kombëtare dyditore mbi risinë, ndryshimin dhe fuqinë e krijimtarisë, organizuar në qytetin e Durrësit.
Të rinjtë pjesmarrës, qe vijnë nga Dibra, Kurbini, Elbasani, Librazhdi, Vlora, Korça dhe Tiranë, gjatë aktivitetit folën rreth mënyrës sesi ata kanë mundur të ndryshojnë zonën ku banojnë, falë projekteve të ndryshme te nisur nga vete ata.
"Në këtë konferencë mësova se edhe një 18-vjeçare mund të ketë ide, risi dhe mund t'I vërë ato në jetë, nëse këmbëgul. Dhe për këtë nuk ka pse të jesh gjeni. Mësova se forcën e krijimit ne e kemi brenda vetes", tha Klea Cenga, nga Dibra.
"Eshtë hera e tetë që organizojmë këtë konferencë kombëtare për të rinjtë. Qëllimi ynë për këtë vit është që, përmes sesioneve praktike, ata të nxiten të zbulojnë forcën e madhe krijuese që ka secili brenda dhe se si mund ta lidhin këtë forcë për të sjellë ndryshim në shoqërinë ku jetojnë. Do të mësojnë si t'i vënë në jetë idetë e tyre, si të punojnë me një plan biznesi, si mund të drejtojnë njerëz, procese, ide, si mund të ndryshojnë jetën e tyre dhe të tjerëve në zonën ku banojnë", nënvizoi këshilltarja e programit të Rinisë në World Vision, Jurgena Hajdaraj.
Laura Payne, themeluese e Outdoor Albania, Jonida Beqo, drejtoreshë e Qendrës Rinore të Tiranës dhe Klajdi Eski, designer dhe animator profesionist, u tregojnë praktikisht të rinjve shqiptarë mbi sipërmarrjen në biznes, turizmin e Shqipërisë, poezinë si ndryshim shoqëror dhe fuqinë krijuese vetjake.
Gjatë konferences, të rinj të ndryshëm folën për të treguar si kanë marrë pjesë ose kanë udhëhequr nisma të ndryshme të cilat kanë sjellë ndryshim në zonën ku banojnë.
World Vision bashkëpunon me rreth 2 000 të rinj në Shqipëri për t'i bërë të aftë të përmirësojnë vendin e tyre dhe prej rreth 60 vitesh operon në 100 vende të ndryshme në botë. Pjesëmarrësit në konferencë më së shumti vinin nga zonat periferike të vendit.