Lushnje po zhvillohet edicioni i pestë i panairit “Ditët e Bujqësisë 2026”, ku në 100 stenda ekspozohen produkte bujqësore dhe blegtorale, kryesisht vaj ulliri, mjaltë e djathë.

Mes pjesëmarrësve janë edhe dy bletërritës nga Gramshi dhe Përmeti.

“Jemi me NIPT fermeri edhe kemi produktet tona të mjaltit edhe me sakrificat mundohemi të nxjerrim një mund sadopak që të shesim. Kemi ardhur këtu në këtë panair për të promovuar produktet tona”, thotë Dashmir Kosturi.

“Deri më tani ka ecur shumë mirë. Uroj që të ecë kështu dhe në vazhdimësi dhe pse jo t'i promovojmë dhe në qytete të tjera. Të gjitha këto prodhime i kemi familjare, kemi një biznes të vogël tani për tani. Shpresoj që ta zgjerojmë më mbrapa”, shprehet Klodjana Okoshita.

Stendat e këtij viti janë zënë kryesisht nga kompanite e përpunimit, tregtarët e inputeve bujqësore si dhe përfaqësues të institucioneve bankare dhe kërkimore.  

Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit vihet re mungesa e fermerëve në panair. Të kontaktuar me telefon, disa prej tyre thanë se nuk kanë interes të marrin pjesë, pasi nuk kanë pasur përfitime konkrete nga edicionet e kaluara.

Sipas tyre, një tjetër pengesë mbetet edhe kostoja e lartë e pjesëmarrjes, pasi tarifa për një stendë arrin deri në 1500 euro, shifër e papërballueshme për fermerët e vegjël.

Panairi organizohet nga një kompani private dhe mbështetet institucionalisht nga Ministria e Bujqësisë. Siç shihet në pamje, disa bashkia, si Lushnja, Fieri, Dimali e Belshi, janë pjesëmarrëse vete në panair, ku në mungesë të fermerëve kanë reklamuar produktet e zonave të tyre.