Qeveria e Kosovës ka prezantuar programin shtetëror për festimet me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Përgjatë tridhjetë ditëve, prej datës 9 shkurt deri më 12 mars do të ketë aktivitete për shënimin e këtyre dy datave të rëndësishme dhe jubilare të Kosovës. Në konferencë për media të mërkurën, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tregoi edhe logon e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës si dhe të Epopesë së UÇK-së.
“Ka motive nga ngjyrat e flamurit të Kosovës, gjithashtu nga ngjyrat kombëtare dhe pjesa tjetër sipas përshkrimit të autorit lidhet me ngjyrat shpresëdhënëse dhe optimiste për Kosovën. Kjo është logo e 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ndërsa, logo tjetër që i kushtohet 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka motive ngjyrat dhe simbolet kombëtare. Në qendër, natyrisht tri figurat kryesore të kësaj beteje”, tha ai.
Çeku u shpreh se për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës do të ketë seancë solemne në Kuvend si dhe parakalim të FSK-së në sheshet e Prishtinës.
“Programi i tërësishëm është i përbashkët, një program, një këshill që është kujdesur për një program që fillon me datën 9 shkurt dhe përfundon me datën 12 mars. Po flasim për një program 30 ditor ku çdo ditë do të ketë aktivitet për shënimin e këtyre dy datave të rëndësishme dhe jubilare të RKS-së. Në këto 30 ditë të aktiviteteve do të ketë homazhe, nderime, parakalim të FSK-së, turne kampionate në sport, aktivitete muzikore, shfaqje filmi, teatri, baleti, ekspozita, promovime librash, gara shkollore dhe seksione shkencore”, theksoi ai
Edhe Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj të gjithë atyre që luftuar për pavarësinë e Kosovës duke theksuar se do këtë një agjendë të veçantë për këtë 15-vjetor të Pavarësisë së Kosovës.
“Sivjet, e kemi një vit jubilar. Është 25 vjetori i Epopesë dhe 15 vjetori i Pavarësisë. Festa këto jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me Pavarësinë, e neve që vijmë më pas e kemi për detyrë të ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, demokratik, punëtor, ku avancon kultura dhe ekonomia. Rilindasi Sami Frashëri njëherë ka thënë “Liria është thelb i shpirtit dhe i mendjes. Meqënëse këtë vit shwnohet përvjetori jubilar më 17 shkurt dhe 5, 6 dhe 7 marsit, Qeveria e Republikës së Kosovës, po përkujdeset që të kemi një program të begatë dhe të denjë për këto data. Me vendim të Kryeministrit Kurti, me 13 dhjetor është caktuar Këshilli Organizativ për shënimin e këtyre dy datave dhe mua më është besuar kryesimi i tij. Ndërsa bashkëkryesues dhe përgjegjës për barrën kryesore të punës u caktua ministri Çeku’, tha Bislimi.