16 ditë fushatë aktivizmi kundër dhunës ndaj grave e vajzave, Xhixho: T'i japim vëmendje kësaj beteje! Kuvendi të ndriçohet me ngjyrën portokalli

16 ditë fushatë aktivizmi kundër dhunës ndaj grave e vajzave, Xhixho: T'i  japim vëmendje kësaj beteje! Kuvendi të ndriçohet me ngjyrën portokalli

Erisa Xhixho

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, me një postim në rrjetet sociale drejtuar kryepralemenatres , Lidita Nikolla, i kërkon që në mënyrë simbolike, ndërtesa e Kuvendit të ndriçohet me ngjyrën portokalli përgjatë fushatës së 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Deputetja Xhixho, njëkohësisht dhe Sekretare e Aleancës së Grave kërkon po ashtu që në fasadën e ndërtesës së Kuvendit të shfaqen dhe emrat e 6 grave që kanë humbur jetën tragjikisht këtë vit si pasojë e dhunës.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Xhixho shkruan se dhuna kundër grave dhe vajzave mbetet kryesisht e pa raportuar për shkak të mosndëshkimit, stigmës dhe turpit.

“E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

25 Nëntori është Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave e Vajzave.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është shkelja më e përhapur dhe më brutale e të drejtave të njeriut, e rrënjosur në pabarazinë dhe diskriminimin gjinor, në marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit dhe në normat e dëmshme dhe jo të drejta shoqërore.

Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë pengesë për arritjen e barazisë, zhvillimit, paqes si dhe garantimin e të drejtave njerëzore të grave dhe vajzave.Fatkeqësisht, dhuna kundër grave dhe vajzave mbetet kryesisht e paraportuar për shkak të mosndëshkimit, stigmës dhe turpit. Provat dhe shifrat tregojnë se ka pasur shumë pak progres në parandalimin e vrasjeve të grave dhe vajzave.

Në vitin 2022, 6 gra kanë humbur jetën, mbi 4 mijë gra e vajza kanë denoncuar dhunën. Në të situatë, institucioni i Kuvendit Shqiptar duhet të jetë i pari që jep mesazhin e fortë të ndërgjegjësimit për këtë fenomen, duke u bërë pjesë e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave. Ndaj propozoj që në mënyrë simbolike, ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë të ndriçohet me ngjyrën portokalli përgjatë këtyre ditëve.

Krahas dritës portokalli, propozoj që në fasadën e ndërtesës së Kuvendit, përgjatë 16 ditëve të shfaqen edhe emrat e 6 grave që kanë humbur jetën tragjikisht këtë vit si pasojë e dhunës. Është më e pakta që mund të bëjmë për të sensibilizuar qytetarët e të dy gjinive dhe për t’i vënë gratë dhe fuqizimin e tyre në qendër të vendimmarrjeve të Kuvendit.

Modeli që dha kryeministrja e Italisë duke i dhënë vëmendjen e duhur kësaj beteje në të cilën duhet të përfshihet e gjithë shoqëria është një mesazh për të gjitha gratë që drejtojnë institucione vendimmmarrëse, për përgjegjësinë dhe detyrimin që kanë ndaj shumë grave e vajzave që bëhen përditë viktimë e dhunës apo diskriminimit. Fatkeqësisht, Kuvendi nuk u ndriçua dje me portokalli, për të dëshmuar solidaritetin që duhet të ketë me gratë dhe kauzat e tyre.

Ndaj, në cilësinë e sekretares së së Aleancës së Grave Deputete, propozoj që sa më parë të merren masa që ky institucion si përfaqësues i popullit të bëhet pjesë e nismës së shumë vendeve europiane, duke u përfshirë përgjatë 16 ditëve në vijim në fushatën e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave.

Vetëm përmes fuqizimit të gruas, nëpërmjet arsimimit, punësimit, mbështetjes financiare dhe mbrojtjes mund ta luftojmë dhunën ndaj saj!”, shkruan Xhixho në Facebook.

25 nëntori është Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave dhe pason fushatën 16 ditore të aktivizmit kundër dhunës në familje e dhunës ndaj grave e vajzave. Mbi 4 mijë vajza kanë denoncuar dhunën gjatë vitit 2022 në vend, 6 prej të cilave humbën jetën për shkak të saj.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja