“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Rrethi i përsosur” nga Suzana Varvarica Kuka, “Vëlla prej shpirti” nga David Diop dhe “Kioskë, Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar” të redaktuar nga Robert Pichler.
“RRETHI I PËRSOSUR”, LIBRI ME TREGIME I SUZANA VARVARICËS
“Rrethi i përsosur” është një koleksion tregimesh nga skulptorja shqiptare Suzana Varvarica Kuka që ndërthur realizmin magjik me një prekje të thellë psikologjike. Çdo tregim është një skicë e prerë dhe e përqendruar, ku syri i artistit kap hollësitë e trupit, të qytetit dhe përditshmërisë, që shpesh i shpëtojnë një syri të zakonshëm. Personazhet e Suzana Varvarica Kukës jetojnë në hapësira që duken të përditshme, por mbartin tensionin e gjërave që nuk mund të thuhen plotësisht. Një grua që kërkon të dalë nga rrethi i përsëritjes, një burrë që e gjen veten në heshtjen e dikujt tjetër, një vajzë që kupton se dashuria nuk matet me afërsi fizike të gjitha këto ndërthuren si copa mozaiku që formojnë një “rreth të përsosur”, por kurrë të mbyllur. “Rrethi i përsosur” është, mbi të gjitha, dëshmia se arti nuk njeh kufij: skulptura mund të shfaqet edhe si prozë, dhe fjala mund të gdhendet po aq fort sa guri.
“VËLLA PREJ SHPIRTI”, LIBRI I DAVID DIOP NË SHQIP
Në frontin perëndimor, në llogoret franceze, mes ushtarëve të bardhë me pantallonat e tyre të kuqe të shndritshme spikasin tirajerët senegalezë, “çokollatat e Afrikës së zezë”, siç i quan kapiteni Armand. Para çdo sulmi kundër armikut gjerman, kapiteni nuk harron t’u kujtojë se ata janë krenaria e Francës, “më trimat mbi trima”, një tmerr i vërtetë për armiqtë që frikësohen nga “njerëzit e egër të zinj, kanibalët, zulutë”. Senegalezët qeshin të kënaqur dhe hidhen përpara me shikim të çmendur e me pushkë në dorë, sapo në llogore dëgjohet bilbili i kapitenit. Mes tyre janë edhe Alfa Ndiaji dhe Mademba Diopi, dy luftëtarë senegalezë që luftojnë nën flamurin francez. Një ditë, megjithatë, Mademba plagoset për vdekje dhe i kërkon tri herë Alfës t’i japë goditjen e mëshirës. Tri herë Alfa refuzon, dhe pas një agonie të gjatë dhe të tmerrshme, Mademba vdes. I mbetur vetëm në marrëzinë e kasaphanës, Alfa humbet arsyen. Ai, fshatari i ardhur nga Afrika, shpërndan vdekjen mbi këtë tokë pa emër. I shkëputur nga gjithçka, madje edhe nga vetvetja, çliron dhunën më të egër, mbjell tmerr, deri aty sa të frikësojë edhe shokët e armëve.
KIOSKAT NË BREGDET, ARKITEKTURA E PËRKOHSHME SHQIPTARE
“Kioskë, Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar” është një botim që trajton kioskat si simbol i tranzicionit dhe improvizimit urban pas viteve ’90.
Një botim nga fotografi dhe redaktori Robert Pichler me disa bashkëautorë mes të cilëve edhe arkitektin shqiptar Saimir Kristo sjell në vëmendje një fenomen të njohur për shqiptarët, por rrallëherë të trajtuar në mënyrë kritike: kioskat bregdetare.
Këto struktura shfaqen jo vetëm si forma të përkohshme arkitekturore, por edhe si pasqyrë e transformimeve të thella sociale.
Në një vend ku urbanizimi shpesh ka ndodhur pa kriter, kioskat janë kthyer në simbol të improvizimit, mbijetesës dhe tranzicionit.
Libri sjell një qasje reflektuese mbi marrëdhënien e brishtë mes njeriut, arkitekturës dhe natyrës — një marrëdhënie që, sipas autorëve, është dëmtuar ndjeshëm nga ndërhyrjet e pakontrolluara në territor.
Përmes fotografisë dhe analizës shumëdisiplinore, botimi dokumenton mbi një dekadë transformimesh në të gjithë Shqipërinë, duke e kthyer kioskën në një element studimi për arkitektët, antropologët dhe studiuesit e territorit
“Libri ‘Kioske’, me autor Robert Pichler, trajton tematikën e transformimit urban dhe rural, duke e parë kioskën si një element që ndikon jo vetëm në arkitekturë dhe peizazh, por edhe në aspektet emocionale, ekonomike, politike dhe sociale të zhvillimeve në Shqipëri.”
Sipas studiuesve, kioska nuk është thjesht një strukturë fizike. Ajo është dëshmi e një kohe dhe e një mënyre të caktuar zhvillimi — shpesh e përkohshme, por me ndikim të qëndrueshëm në kujtesën kolektive.
“Ky fenomen është dokumentuar për më shumë se 10 vjet. Kioskat janë shpërndarë në të gjithë territorin dhe janë transformuar vazhdimisht — nga pika kontrolli në kafene, restorante apo hapësira të tjera shërbimi.”, thotë arkitekti Saimir Kristo, një nga bashkëautorët në këtë botim.
Libri mbledh kontribute nga autorë të ndryshëm — shqiptarë dhe të huaj — duke ofruar një këndvështrim të pasur dhe shpesh subjektiv mbi këtë realitet kompleks.
“Një nga pikat e forta të librit është qasja heterogjene. Secili autor sjell një perspektivë të vetën, duke i dhënë lexuesit mundësinë të krijojë një panoramë më të plotë dhe më të ndjerë për impaktin e kioskës.”, vijon Kristo.
Ky libër synon të nxisë reflektim publik mbi mënyrën se si është zhvilluar territori dhe si mund të ndërtohet e ardhmja.
“Kioska është një simbol i përkohësisë së përhershme. Ajo tregon një mënyrë zhvillimi pa rrënjë të forta në territor apo identitet, por që megjithatë ka formësuar realitetin tonë urban”, shprehet Kristo.
“Kioskë” nuk është vetëm një libër për arkitekturën. Është një reflektim mbi identitetin, kujtesën dhe mënyrën se si shqiptarët kanë ndërtuar dhe rindërtuar hapësirën e tyre në tranzicion, si dhe një ftesë për të kuptuar të shkuarën dhe për të menduar më me kujdes të ardhmen.
Sonila Strakosha
Rubrika e poezisë sjell vargjet e bukura të Migjenit, një ndër zërat më të fuqishëm të poezisë shqipe.
Kanga e rinisë
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand' të shpërthejë me vrull...
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu...
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini... Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q'i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit te përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na - se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplotë!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.
Komente






