16 vjet nga vrasja e Azemit, Basha:
Frymëzim, para aleancës së krimit

16 vjet nga vrasja e Azemit, Basha:<br />Frymëzim, para aleancës së krimit
TIRANE - Para memorialit të Azem Hajdarit, Lulzim Basha hoqi paralele me atë që e quajti “aleancë të armiqve të lirisë” që vrau deputetin demokrat plot 16 vite më parë, dhe qeverisë aktuale, që për liderin e PD-së është një “aleancë e krimit me pushtetin”..madje sipas tij, edhe më djallëzore.
 
“Sot 16 vjet pas këtij krimi makabër pas kësaj përpjekje për të eliminuar dhe goditur këto vlera në themel, shoqëria shqiptare po përballet me një aleancë akoma më djallëzore të krimit me pushtetin. Sot nga ky vend Azem Hajdari përbën frymëzimin tonë, forcën tonë për të qëndruar për vlerat e patjetërsueshme të demokracisë. PD nuk do të tërhiqet asnjë çast para kësaj ofensive të pushtetit me krimin për t’i zhbërë këto të drejta. Nga ky vend, sot në emër të çdo demokrati, çdo qytetari që e do Evropën, zotohemi do të vazhdojmë çdo betejë për fitore për të mbrojtur shtetin ligjor”, u shpreh lideri demokrat.
 
Sakaq, për ish liderin e demokratëve, Sali Berisha, guximi i Azem Hajdarit duhet të shërbejë si shembull e frymëzim përballë qeverisë aktuale, që sipas tij e ka vënë vendin në “kthetrat e një klike”.
 
“Të frymëzuar nga guximi dhe kurajo e tij duhet të përballemi me një regjim mafioz, të inkriminuar nga koka te këmbët, askush tjetër mbi këtë dhe nuk mund të shpëtojë Shqipërinë nga kthetrat e kësaj klike përveçse forcat demokratike. Le të vazhdojmë ne të frymëzuar nga idealet fisnike të tij për të çuar përpara Shqipërinë”, -u shpreh deputeti demokrat Sali Berisha, njëherësh ish-kryeministër i vendit.
 
Basha: Azemi u vra, por vlerat e tij mishërohen tek Partia Demokratike
Në kuadër të 16-vjetorit të ndarjes nga jeta të Dëshmorit të Atdheut, Azem Hajdari, u zhvilluan homazhe para memoraliat të tij, i cili ndodhet pranë ish-selisë së Partisë Demokratike. Basha risolli në vëmendje kontributin që Azem Hajdari dha për lirinë e vendit, ndërsa tha se përkushtimi i tij do të shërbejë si frymëzim për PD-në.
 
 “Jemi mbledhur sot këtu me qindra demokratë, qytetarë të Tiranës për të kujtuar heroin e demokracisë, Azem Hajdarin dhe bashkëpunëtorin e tij Besim Cerën. 16 vjet më parë dora kriminale e armiqve të lirisë, të demokracisë, shtiu zjarr dhe hekur mbi trupin e tribunit të lëvizjes studentore të Dhjetorit, Azem Hajdari në një përpjekje të kotë për të rrëzuar bashkë me trupin e tij edhe idealet dhe vlerat për të cilat ai dhe miqtë e tij u ngritën në Dhjetor, për të cilat u themelua Partia Demokratike, për të cilin u përkushtuan miliona shqiptarë për të përmbysur terrorin e diktaturës dhe për ta shndërruar në demokraci. Aleanca e armiqve të lirisë dhe e krimit ndau fizikisht nga jeta Azem Hajdarin, por nuk mposhti kurrë vlerat për të cilat ai qëndroi. Vlera që mishërohen tek PD-ja, te çdo qytetar i lirë shqiptar”, tha Basha.
 
Berisha: Përkulemi para tribunit legjendar, detyrim ndaj veprës së tij
“Mbarë kombi përkulet me nderimin më të madh para veprës së tribunit legjendar, njeriut që bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Çdo vit që kalon piedestali i udhëheqësit legjendar të lëvizjes studentore dhe PD-së lartësohet gjithnjë e më shumë. Sot ne nderojmë Azem Hajdarin me një detyrim madhor ndaj tij, ndaj veprës së tij. Shpreh ngushëllimin tim më të sinqertë familjes dhe mbarë miqve të Azem Hajdarit kudo që janë”, përfundoi Berisha. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën