Berati është kthyer prej disa muajsh në një nga qytetet me numrin më të lartë të të infektuarve nga Covid-19 në vend. Burime nga ISHP-ja Berat konfirmojnë se rastet e infektimeve kanë ardhur duke u shtuar nga java në javë dhe më të prekurit nga ky virus mbeten fëmijët e kopshteve e shkollave të qytetit.
Të njëjtat burime konfirmojnë se vetëm në 48-orët e fundit kanë rezultuar "pozitivë" 18 nxënës të disa shkollave 9-vjeçare e të mesme si dhe 6 mësues, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme janë testuar edhe 64 nxënës të tjerë.
Të prekur nga virusi janë edhe 12 fëmijë në 4 kopshte në qytetin e Beratit si dhe 4 edukatore.
Mësohet se në të gjitha kopshet e shkollat ku janë konstatuar rastet e të infektuarve janë dezinfektuar ambientet dhe janë mbyllur disa klasa. Infektimet janë shoqëruar edhe me humbje jete tek të miturit por edhe tek të rriturit, mes të cilëve edhe drejtori i njërit prej gjimnazeve më me emër në Berat, që ka edhe numrin më të lartë të nxënësve të infektuar.
Mjekët infeksionistë në ISHP-në Berat pohojnë se, të infektuarit janë raste kontakti mes të infektuarve në kopshte e shkolla si dhe kontakte familjare. Sipas mjekëve, ky zinxhir në rritje infektimesh mund të ndërpritet vetëm nëpërmjet vaksinimit pasi-siç edhe pohojnë vetë ata-rastet e të infektuarve me Covid-19 janë të gjithë persona të pavaksinuar. vMos respektimi i masave anti Covid e ka nxjerrë Beratin një nga qytetet më të ekspozuar dhe me rastiet më të larta të të infektuarve me virusin vdekjeprurës Covid-19 si dhe me numrin më të lartë të vdekshmërisë në krahasim me popullsinë.
Ndërkohë që nga dita në ditë është duke u rritur edhe numri i testimeve, aktualisht në Berat numri i rasteve aktive ka arritur në 168.