GREQI - 21 vjet pas valës së parë të shqiptarëve drejt emigracionit, kryesisht drejt fqinjit jugor, Greqisë, duket se kjo nuk është më zgjidhja optimale për ta. Përsëri emigrantët shqiptarë në Greqi mendojnë një “emigracion” të ri. Kësaj here larg Greqisë. Kthim të mundshëm në Shqipëri, ose në vende të tjera europiane dhe drejt SHBA.

Kriza e rëndë ekonomike greke ka vënë në provë jo vetëm ekzistencën ekonomike të familjeve shqiptare në emigracion, por edhe ekzistencën e tyre sociale dhe kompaktësinë si familje të qëndrueshme.

Prindërit që kanë ngelur pa punë dhe nuk mbajnë dot familjet e tyre, fëmijët adoleshentë, ose edhe më të vegjël që janë lindur, rritur e shkolluar në Greqi dhe që për ta realiteti shqiptar është pothuajse i panjohur që nuk dëshirojnë kthim në Shqipëri, janë disa dilema, me të cilat u duhet të përballohen e po përballohen shqiptarët në emigracion aktualisht.

Gjithsesi, kriza e madhe ekonomike greke, ka bërë që rreth 17% e emigrantëve shqiptarë të ligjshëm të largohet përfundimisht nga Greqia.
Duke lënë mbrapa një standard jetese, ndoshta pasuri të patundshme, si edhe shumë vite pune, të cilat do t’u shkojnë dëm, pasi nuk do të përfitojnë pension për ato vite, kur kanë paguar detyrimet në sigurimet shoqërore të Greqisë. Dhe shifra e emigrantëve shqiptarë, të cilët do të braktisin Greqinë, nuk do të ngelet me kaq.

Këto të dhëna rezultojnë nga një raport i Zyrës së pagimit të taksave në Greqi dhe të Institutit të Punës pranë ministrisë përkatëse greke.
Në raport theksohet fakti se shifrat e emigrantëve shqiptarë të larguar nga Greqia do të shtohen muajt e ardhshëm dhe se ato rezultojnë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nga Zyra e pagimit të taksave, por edhe nga kërkesat për shitjet e pasurive të patundshme që posedojnë emigrantët shqiptarë, kryesisht e banesave që kanë blerë në Greqi.

Specialistët e ekonomisë, theksojnë faktin se braktisja e Greqisë nga emigrantët e ligjshëm do të ketë pasoja po aq negative për ekonominë, sa kishte pasoja pozitive hyrja e emigrantëve dhe kontributi i tyre i madh zhvillimin ekonomik. Si edhe pasoja negative në strukturën sociale të Greqisë, me shfaqjen e fenomeneve të nacionalizmit e të ekstremizmit.

Për ekonominë pasojat do të jenë negative pasi do të vërehen vakum në shumë vende pune që mbuloheshin prej emigrantëve, (dhe që nuk është e sigurt se do të mbulohen me fuqi punëtore vendase), por edhe një pakësim i të ardhurave financiare kundrejt sigurimeve shoqërore, taksa që nuk do të shkojnë në arkën e shtetit, rënie e fuqisë blerëse, pagesat mujore për dritat, ujin e taksat bashkiake, si edhe një numër i madh banesash, të cilat do të ngelen bosh...
Nga ana e strukturës sociale përsëri do të ketë një lloj destabilizimi të shoqërisë greke, pasi emigrantët në këto vite pothuajse ishin bërë pjesë integrale e shoqërisë.

Ndërkohë edhe vetë emigrantët shqiptarë, nuk janë të sigurt se çfarë i pret në “kthimin e tyre mbrapa”. Është si ta fillojnë jetën atje ku e lanë përpara 20 vjetëve kur emigruan për herë të parë. Si do të ripërshtaten? Si do të përshtaten fëmijët e tyre, të cilën Shqipërinë e njihnin vetëm prej pushimeve dhe që realiteti shqiptar për ta është i panjohur thelbësisht? Si do të përshtaten me jetën, sistemin arsimor, tregun e punës dhe mentalitetin? Mos vallë importohet kriza ekonomike dhe sociale dashur, padashur edhe në Shqipëri? Pyetje, të cilave duhet t’u përgjigjen e t’u japin zgjidhje, jo vetëm familjet e emigrantëve, por edhe shteti shqiptar...

(eç/shqiptarja.com)