Shqipëria kremton këtë 1 prill 17-vjetorin e hyrjes në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO. Në këtë ditë, presidenti i Republikës Bajram Begaj shkruan se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një moment historik për sigurinë dhe sovranitetin Euroatlantik.
“Sot, 17 vjet Shqipëria në NATO, një moment historik për sigurinë, sovranitetin dhe orientimin tonë Euroatlantik.
Si aleancë e vlerave demokratike, NATO është garant i paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapesiren Euroatlantike. Shqipëria është një aleate e denjë, kontribuese aktive në misionet dhe operacionet e saj.
Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura! Mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, shkruan Begaj në postimin e tij.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha thekson në këtë 17-vjetor se Shqipëria ka dëshmuar se është një Aleate e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s me kontributet që ka dhënë në operacione ushtarake.
“Si sot, 17 vjet më parë, Shqipëria hodhi një hap vendimtar drejt së ardhmes së saj duke u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO - një moment historik që e ankoroi vendosmërisht rrugëtimin tonë euro-atlantik dhe konsolidoi themelet e sigurisë kombëtare.
Që nga ai moment përcaktues, Shqipëria ka dëshmuar se është një Aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke kontribuar aktivisht në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe duke promovuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën euro-atlantike të Kosovës.
Sot, Shqipëria është plotësisht e harmonizuar me prioritetet në zhvillim të NATO-s: nga ndarja e drejtë e përgjegjësisë dhe rritja e investimeve në mbrojtje, te forcimi i qëndrueshmërisë, përqafimi i inovacionit dhe avancimi i teknologjive të reja në një mjedis sigurie që ndryshon me shpejtësi.
Duke parë drejt së ardhmes, Shqipëria ka nderin të përgatitet për të pritur Samitin e radhës së NATO-s për herë të parë në rajonin tonë. Ky nuk është thjesht një aktivitet; është një shprehje e qartë e besimit në rolin, besueshmërinë dhe kontributin e Shqipërisë brenda Aleancës.
Në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të pasigurt, Shqipëria mbetet e palëkundur — e bashkuar me Aleatët, e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe e dedikuar për ruajtjen e paqes, lirisë dhe vlerave tona të përbashkëta”, shkruan ministri Ferit Hoxha.
Shqipëria mbetet një aleate e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s, aleancës më jetëgjatë dhe më të fuqishme në botë. Anëtarësimi i saj në NATO më 1 prill 2009, është një ndër arritjet më të rëndësishme historike, për vendin dhe për mbarë kombin shqiptar.
Lajmi në përditësim...

“Një moment historik dhe një arritje strategjike për Shqipërinë.” Kështu e cilësoi ministri Ermal Nufi 17-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, duke theksuar se Shqipëria ka ndërtuar ndër vite profilin e një aleati të besueshëm dhe një kontribuuesi aktiv në sigurinë ndërkombëtare.
"Si sot, 17 vite më parë, në një moment historik, fituam vendin tonë si anëtare e NATO, aleancës më të madhe ushtarake në histori. Një arritje që nuk ishte vetëm një akt formal, por një zgjedhje strategjike dhe një orientim i qartë i Shqipërisë drejt vlerave euro-atlantike, demokracisë dhe sigurisë së përbashkët. Në këtë rrugëtim, ndihemi krenarë për gjithçka kemi ndërtuar në këto 17 vite. Për besimin që kemi arritur ta fitojmë dhe ta ruajmë me dinjitet, për përpjekjen e vazhdueshme për të rritur kapacitetet dhe për të modernizuar Forcat tona të Armatosura , për profesionalizmin e grave dhe burrave në uniformë që përfaqësojnë Shqipërinë me nder në çdo mision. Krenarë për rolin që kemi fituar si faktor stabiliteti dhe pikë referimi për sigurinë në rajon, duke u angazhuar krah për krah me Aleatët tanë, nga misionet paqeruajtëse deri te operacionet më të rëndësishme ndërkombëtare, gjithmonë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe vlerave euro-atlantike. Kushdo që e njeh Shqipërinë e kupton pse ne kontribuojmë me kaq përkushtim në mbrojtjen kolektive: sepse e dimë vlerën e lirisë, e dimë çfarë do të thotë siguri dhe solidaritet. Rrugëtimi ynë vazhdon, me më shumë përgjegjësi, me më shumë ambicie dhe me të njëjtin përkushtim për të qenë një aleat i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë globale" shkruajti Nufi në një postim në rrjetet sociale.
Komente










faleminderit sai berisha
Përgjigju