17 vjet nga vdekja e Nënë Terezës 
Humanistja përkujtohet në Kosovë

17 vjet nga vdekja e Nënë Terezës <br />Humanistja përkujtohet në Kosovë
Dita e sotme shënon 17 vjetorin e ndarjes nga jeta të humanistes më të madhe të historisë moderne dhe gjithashtu Dita Botërore e Bamirësisë. Nënë Tereza është përkujtuar me një meshë solemne në Prishtinë dhe me një ceremoni përpara monumentit të saj në Gjakovë.

5 Shtatori, dita kur bota humbi humanisten, nobelisten për paqe dhe të bekuarën nga Vatikani, Nënë Tereza, është edhe Dita Botërore e Bamirësisë. Kjo ditë është caktuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve te Bashkuara në nder të murgeshës Tereza që hoqi dorë nga jeta “komode” e misionarëve modernë për të dhënë gjithçka, në luftën kundër mizerjes dhe varfërisë, në Kalkuta të Indisë dhe në të gjithë botën.

Humanistja me origjinë shqiptare dhe e përmendur me krenari nga të gjitha sferat e shoqërisë sonë, mësohet të jetë përkujtuar me një meshë solemne në Prishtinë që u kryesua nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjithashtu u nderua dhe me një ceremoni homazhesh përballë monumentit të saj në Gjakovë, e organizuar nga Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari Lila.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emri i vajzërisë i Nënë Terezës, u lind më 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup nga një familje shqiptarësh dhe në moshë ende të re u bashkua me misionin e murgeshave të cilat i mundësuan shkollimin në Londër, por edhe përballjen me realitete të vështira si ai i Indisë. Dhe falë mënyrës së përqasjes që pati me atë realitet dhe me problematikat e paqes në botë, Nënë Tereza u bë shqiptarja e parë, në vitin 1979, që tërheq një Nobel për paqen. Gjithashtu ajo prej dekadash ka qenë nënë kujdestare e mijëra fëmijëve të varfër, të sëmurë apo jetim dhe gjithashtu faktor shprese dhe humanizmi direkt apo indirekt për qindra mijëra njerëz që jetonin “në periferitë e botës”. 

Më 19 Tetor të vitit 2003, 6 vjet pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u shpall e bekuar nga Vatikani, ndërsa një pjesë e madhe e opinionit publik mbarë botëror pret dhe shenjtërimin e saj.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje