18 vite më parë, më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Prishtinës, Kosova shpalli Pavarësinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Me ngritjen solemne të flamurit shtetëror mëngjesin e kësaj të marte, Kosova nisi ceremonitë zyrtare për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë. Flamuri u ngrit në oborrin e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja Osmani e cilësoi këtë ditë si një moment reflektimi dhe krenarie dhe nderoi sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik, Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, tha ajo.
Kryeministri Kurti theksoi përparimin e vendit në forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa kryeparlamentarja Haxhiu tha se “sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi”.
Në seancën solemne të Qeverisë, Kurti përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai tha se shpallja e pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa u nderuar ata që kontribuuan në ndërtimin e shtetit.
"Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë", tha Kurti.
Edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të mbajë një fjalë solemne në Kuvendin e Kosovës në orën 10:30.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë të popullit shqiptar në trojet tona, të ndara padrejtësisht në Konferencën e Londrës më 1912. Për gati 100 vjet populli shqiptar në Kosovë përjetoi spastrimin etnik nga regjimi i ish‑Jugosllavisë, gjë që rezultoi në një Luftë Çlirimtare (1997–99). Pas përfundimit të luftës u vendosën trupat paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Që nga 13 qershori 1999, kur forcat serbe u detyruan të largohen nga Kosova, vendi u administrua nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK – dhe institucionet vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.
Në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe në Beograd për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.
Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e bëri kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, së bashku me deputetët e Kuvendit dhe Presidentin, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë më 17 shkurt 2008.
"Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe me propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës,” thuhet në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.
Deklarata e Pavarësisë u miratua në mënyrë unanime nga 109 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.
“Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se, pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë ta mos e njohin”.
Pak para Shpalljes së Pavarësisë, Bashkimi Europian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak prej 2,000 anëtarësh për sundimin e ligjit, EULEX, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Të gjitha 27 vendet anëtare të BE miratuan mandatin e EULEX‑it, përfshirë edhe pesë vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shtetësisë së saj dhe e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.
Në letër e nisur nga Trumpi, Kosova është përgëzuar për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe për mbështetjen e këtij vendi në përpjekjet e SHBA-së për t’i zgjidhur problemet globale në Ukrainë, Gazë dhe vende tjera.
“Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët”, është thënë mes tjerash në letër.
Kosova së fundmi i është bashkuar nismës së Trumpit, Bordi i Paqes, përmes së cilës SHBA-ja synon dhënien fund të konflikteve në botë.
Urimi i Trump është pasuar edhe nga ai i mbretit Charles III: “Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, shkruhej në mesazhin e tij.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ai italian, Sergio Mattarella, i dërguan një letër urimi presidentes Vjosa Osmani.
Ndërkohë në Hagë po vijon gjyqi për ish-krerët e UÇK-së të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sot zhvillohet seanca e shtatë e deklaratave përmbyllëse që tashmë ka kaluar te pyetjet e gjykatës.
Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin (45 vite secili). Në mbështetje të ish-krerëve, sot në orën 14:00 në Prishtinë, platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë ku do të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.
Lajm në përdtësim...
Kryeministri Albin Kurti, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se vendi po rritet dhe fuqizohet më shumë.
Kurti tha se sot festohet, por njëkohësisht edhe nderohet rezistenca paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat, siç tha ai, kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të Pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, ka kontribuuar, është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, dhe kremtofshin të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës për 18-vjetorin e Kosovës, tha se në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtohen se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë.
Sipas tij kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë.
“Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Secili qytetar pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, tha ai.
Ai kujtoi se ish-krerët e UÇK-ë po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri. Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe i kapaciteteve mbrojtëse. Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore. Nga lëvizja e lirë pa viza te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, të cilat janë arritje që na bëjnë krenarë të gjithë. Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtoj se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë”, shtoi Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.
“I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran e të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin”, tha Osmani.
Komente












