Politika shqiptare ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa mëngjesin e kësaj të marte nisën zyrtarisht festimet me ngritjen solemne të flamurit, edhe figurat politike filluan të postonin urimet e tyre.
I pari ishte kryeministri Rama, i cili veç urimit shprehu edhe keqardhjen që s’do të mund të marrë pjesë në protestën që do të mbahet në orën 14:00 në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në ditën e shtatë të seancave përmbyllëse në Hagë.
“Mirëmëngjes, dhe me fotoalbumin e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkruan kryeministri në rrjetet sociale.
Pas tij, kanë ndarë urimet e tyre edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Foto: Elisa Spiropali
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka uruar 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se sot Kosova është një realitet i pakthyeshëm, me institucione të konsoliduara, me demokraci në zhvillim dhe me një orientim të qartë euroatlantik.
Ministrja shton se Shqipëria qëndron pranë Kosovës si motër dhe si aleate, me përkushtim të plotë për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen tonë europiane.
Postimi i plotë:
Gëzuar Kosovë! Urime 18-Vjetorin e Pavarësisë!
Kjo është një ditë që kujton sakrificën, qëndresën dhe vendimin e një populli për të jetuar i lirë. Një rrugë e vështirë, por e drejtë, që çoi te shteti i Kosovës dhe te dinjiteti i qytetarëve të saj.
Kosova sot është një realitet i pakthyeshëm. Me institucione të konsoliduara, me demokraci në zhvillim dhe me një orientim të qartë euroatlantik, ajo vazhdon të ecë përpara, hap pas hapi, me besim dhe përgjegjësi.
Në këtë përvjetor, Shqipëria qëndron pranë Kosovës si motër dhe si aleate, me përkushtim të plotë për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen tonë europiane.
Urime nga zemra për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë.
Gëzuar Pavarësinë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka uruar nga qelia pavarësinë e Kosovës. Meta shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që luftuan për shtetin e lirë.
Teksa ka postuar një foto me ish-presidentin Ibrahim Rugova, Meta shpreh nderimin e veçantë për vizionin e tij dhe të ushtrisë çlirimtare, për guximin dhe vendosmërinë në rrugën drejt shtetësisë.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë e dashur!
Mirënjohje e përjetshme për Heronjtë, Dëshmorët, luftëtarët dhe etërit e Pavarësisë, që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre bënë realitet ëndrrën shekullore të lirisë.
Nderim i veçantë për Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që udhëhoqën me vizion, guxim dhe vendosmëri rrugën drejt shtetësisë.
Pavarësia e Kosovës dëshmoi se është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon.
Sot, Kosova qëndron krenare si një shembull i demokracisë funksionale, i zgjedhjeve të lira, i institucioneve të përgjegjshme dhe i llogaridhënies para qytetarëve të saj.
Lavdi përjetë atyre që sakrifikuan për lirinë!”, shkruan Ilir Meta.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka uruar nga qelia 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Veliaj shkruan se 17 Shkurti është një kujtesë për të gjithë se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë.
Në postimin e tij, kryebashkiaku i Tiranës shkruan dhe për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, teksa shpreson për kthimin e secilit prej tyre në shtëpi në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë!
17 Shkurti nuk është thjesht një datë - është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet.
E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë - drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës.
Gëzuar Kosovë - qofsh gjithmonë e lirë!”,shkruan Erion Veliaj.

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë një urim për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke vlerësuar arritjet e saj në këtë moment të rëndësishëm. Begaj shpreh përuljen dhe mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e saj, si edhe ndaj SHBA-ve e Perëndimit për mbështetjen e palëkundur.
Në fund, ai përmbyll me një thirrje për të ecur përkrah në rrugën drejt BE-së.
“Gëzuar Kosovë!
Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare.
Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!
Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Le të ecim bashkë drejt BE-së më të bashkuar se kurrë!
Bashkë, jetë e mot!”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë urimet e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur krenarinë dhe respektin për këtë moment historik të kombit shqiptar.
Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, ai u drejtua motrave dhe vëllezërve në Kosovë me urimet më të përzemërta, duke e cilësuar këtë ditë si një nga aktet më të ndritura në historinë moderne të kombit shqiptar. Kryetari theksoi se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë historike lirie, dinjiteti dhe drejtësie, që simbolizon sakrificën dhe vendosmërinë për shtetndërtim dhe të ardhmen euroatlantike.
“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Qofsh gjithmonë e lirë dhe e bekuar”, shprehet Peleshi në mesazhin e tij të urimit.
Komente











