ITALI- Në Shqipëri polic, në Itali bënte namin me vjedhje! Klisman Nikolli, 27-vjeç, me detyrë efektiv policie në Shëngjin, është arrestuar nga policia italiane për vjedhje, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Viktor Bilani, 30-vjeç dhe Flor Koca, 35-vjeç.

Ata akuzohen për një serë grabitjesh të kryera për nga data 30 tetor deri më 15 nëntor në dy rajone të Italisë, Veneto dhe Friuli. Nikolli u arrestua nga policia teksa po bëheshin gati të ktheheshin në Shqipëri, ndërsa mësohet se u tregoi autoriteteve se ai ishte efektiv policie në Shqipëri.

Në dhomën e "Bed & Breakfast" në San Stino di Livenza, ku ai qëndronte së bashku me 2 shqiptarët e tjerë, Viktor Bilani, 30 vjeç dhe Flor Koca, 35 vjeç, valixhet tashmë ishin të mbushura me sendet e vjedhura. Të tre ata po prisnin një grua e cila do t'i merrte dhe do t'i shoqëronte deri në aeroport, por në atë moment ata janë kapur nga autoritetet italiane.

Të tre dyshohen për 18 vjedhje dhe tentativa vjedhjesh në Portogruaro, Concordia Sagittaria, Musile di Piave dhe San Michele al Tagliamento. Gjatë bastisjeve ka pasur dy bastisje në Azzano (dy tentativa) dhe po aq në dy shtëpi në Chions, ku janë vjedhur 2000 euro dhe në një shtëpi tjetër 9000 euro dhe disa orë.

Ndërkohë pas arrestimit të 27-vjeçarit në Itali, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, e ka përjashtuar nga radhët e policisë së Shtetit.

Sipas policisë ai kishte marrë leje pa të drejtë page, nga data 1 nëntor deri më 31 dhjetor. Kjo leje, sipas policisë i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore. Ndërkohë sqaron policia, pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore, megjithëse ishte djali i një dëshmori të policisë Mark Nikollit.

Nga ana tjetër burime për Report Tv bëjnë me dije se Nikolli ndodhej nën vëzhgim prej kohësh në Shqipëri, pasi dyshohet për shpërdorim detyre dhe i implikuar në kultivimin e bimëve narkotike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:15
U arrestua në Itali për vjedhje, përjashtohet nga policia efektivi Klisman Nikoll: Mori leje të ikte jashtë vendit për arsye shëndetësore

1669140066_dfgd.jpeg

Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e policisë së Shtetit efektivin Klisman Nikolli, i cili u arrestua nga policia Italiane pasi ishte përfshirë në vjedhje. Sipas policisë ai kishte marrë leje pa të drejtë page, nga data 1 nëntor deri më 31 dhjetor. Kjo leje, sipas policisë i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

‘Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve dhe të paligjshmërive në përgjithësi, ka marrë njoftim se shtetasi K. N., 27 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën e Policisë Shëngjin, në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese italiane, për veprën penale "Vjedhja". 

Menjëherë pas njoftimit të marrë nga homologët italianë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin  nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë K. N.

Punonjësi i Policisë K. N., konform procedurave ligjore, ka marrë leje pa të drejtë page, nga data 01.11.2022 deri më datë 31.12.2022. Kjo leje i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

Sqarojmë opinionin publik se rekrutimet në Kolegjin e Policisë, të Akademisë së Sigurisë,  për Patrullë të Përgjithshme, bëhen në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe në zbatim të kritereve të përcaktuara me VKM. Aplikantët kalojnë disa faza testimi dhe verifikimi, të cilat përjashtojnë kategorikisht mundësinë e hyrjes në Akademi, të aplikantëve me të kaluar kriminale.

Përsa i përket shtetasit K. N., të arrestuar nga autoritetet policore italiane, tashmë ish-punonjës i Policisë, sqarojmë se pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore dhe se 27-vjeçari është djali i një dëshmori të Policisë. 

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik ne në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në drejtoritë vendore të Policisë, janë ngritur dhe funksionojnë këshillat e emërtesës, për emërimin e drejtuesve të strukturave të Policisë, bazuar në rezultatet e punës, profesionalizmin, integritetin dhe pastërtinë e figurës.

Shprehim keqardhje për deklaratat dashakeqe që synojnë të përbaltin punën, mundin dhe sakrificën e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, të Policisë së Shtetit, që punojnë 24/7 për të garantuar rendin e sigurinë, dhe që përballen e luftojnë çdo ditë, me krimin në përgjithësi dhe me krimin e organizuar në veçanti.’- njofton policia.

Ora 18:55
Arrestimi i efektivit për vjedhje, Salianji: Polic në Shqipëri, skifter në Itali

1668701033_Screenshot5.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me arrestimit e 27-vjeçarit shqiptar, Klisman Nikolli, në Itali për vjedhje, i cili tha par autoriteteve atje se është efektiv policie në Shqipëri.

‘Polic në Shqipëri, skifter në Itali! Ditên punon në patrullën e përgjithshme të policisë, natën kapet në Itali duke vjedhur banesa. Rasti skandaloz nuk është i vetmi, qeveria përzgjedh, rekruton dhe sugjerohet nga bandat kriminale në emërimet në polici. Këta i ka të ngjashëm, me këta kryen paligjshmëritë, lejon kultivimin dhe trafikun e drogës, lejon kontrabandën dhe ndërtimet, këta maskarenj i ka vendosur në shpinë popullit! Dita po u vjen! Protesto!’- shkruan Salianji.

Ora 18:52
Në Shqipëri polic, në Itali pjesë e bandës së grabitësve, ky është 27-vjeçari nga Lezha i arrestuar

Klisman Nikolli

Ky është 27-vjeçari shqiptar Klisman Nikolli i arrestuar në Itali, i cili së bashku me 2 të rinj të tjerë, po shqiptarë, akuzohen se janë autorë të 18 grabitjeve në disa banesa në Itali.

Nikolli është oficer i patrullës së përgjithshme në Policinë e Shëngjinit. Mësohet po ashtu se ai ka qenë në përgjim prej 1 viti në Shqipëri pasi dyshohej për shpërdorim detyre dhe i përfshirë në veprimtari të kultivimit të kanabisit.