Thatësira dhe temperaturat e larta kanë vënë në vështirësi sistemin energjetik të Rumanisë, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin një operacion të pazakontë për të mbajtur në punë centralin bërthamor të Çernavodës.

Ushtria kreu një shpërthim të kontrolluar nën ujë për të hequr një formacion shkëmbor dhe për të devijuar më shumë ujë të Danubit drejt centralit, i cili e përdor lumin për ftohjen e reaktorëve. Operacioni u realizua pasi tentativa e parë kishte dështuar.

Javën e kaluar, një nga dy reaktorët u ndal për shkak të mungesës së ujit, ndërsa autoritetet paralajmëruan se pa ndërhyrje rrezikonte të ndalej edhe i dyti. Ministri i Mbrojtjes, Radu Miruță, tha se "çdo ditë shtesë funksionimi i centralit të Çernavodës është një fitim", duke e cilësuar situatën kritike për rrjetin energjetik.

Çernavoda është i vetmi central bërthamor i Rumanisë dhe në kushte normale siguron rreth 20% të energjisë elektrike të vendit. Për shkak të krizës, qeveria shpalli gjendjen e alarmit kombëtar deri më 31 gusht dhe rriti importet e energjisë, kryesisht nga Ukraina.

Operacioni u krye nga Marina Ushtarake me 180 kilogramë eksploziv dhe kushtoi rreth 1.3 milionë euro. Megjithëse ndërhyrja ishte e suksesshme, autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet kritike, pasi prurjet e Danubit vijojnë të jenë shumë nën mesataren sezonale. Ndërkohë, Ministria e Energjisë po shqyrton masa të tjera, përfshirë kursimin e energjisë dhe uljen e përkohshme të prodhimit industrial, nëse do të jetë e nevojshme.


Lajmi kryesor:

Thahet Danubi, kriza e energjisë prek 3 vende! Hungaria fik centralin bërthamor, Rumania shpërthen shtratin e lumit me 180 kg eksploziv, Serbia ul prodhimin (VIDEO)