Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me pushtetin e ri të dalë nga zgjedhjet e 25 tetorit, por nuk do të heqin dorë nga kërkesat për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Këtë qëndrim e bëri të qartë deputeti Shaip Kamberi gjatë seancës plenare të Parlamentit serb, ku shprehu gatishmërinë për dialog dhe partneritet me autoritetet e reja. Koalicioni Shqiptar ka shprehur gjithashtu mbështetjen për Aleksandar Çupiçin, kandidatin e Listës Studentore për kryetar të Kuvendit.
“Do ta mbështesim çdo nismë dhe jemi të gatshëm për partneritet në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por nuk do të heqim dorë nga parimet dhe kërkesat tona”, deklaroi Kamberi.
Ai theksoi se kërkesat e shqiptarëve nuk janë të reja dhe se shumë prej problemeve me të cilat përballen vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Mes tyre renditi përfaqësimin real të shqiptarëve në institucionet shtetërore, njohjen e diplomave, ndalimin e pasivizimit të adresave, përmirësimin e arsimit dhe sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Kamberi kërkoi gjithashtu zhbllokimin e fondit që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga institucionet e Kosovës.
“Vetë e drejta për barazi nuk është e negociueshme”, theksoi deputeti shqiptar.
Lajmi kryesor:
Vuçiç zvarrit zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Serbisë, akuzon kandidatin e studentëve se ka 7 apartamente! Kamberi: Bashkëpunim me pushtetin e ri, por jo në kurriz të shqiptarëve







