Hoxha kishte qenë madje këmbëngulës që nismëtarëve t’u tërhiqej vëmendja për të mos shkuar larg. Ata, që nisma të mund të shpërndahej në të gjithë vendin, lipsej t’i bënin asaj dhe vetes disa korigjime.
Në fund të bisedës Enver Hoxha pati porositur që Agim Meros t’i përcillej direktiva që rinia të ishte shumë e kujdeshme në veprimet e saj veçanërisht në krahinën e Shkodrës dhe të minoritetit. Këtu ndaj foltoreve dhe klerikëve të vepronte më pak se në pjesë të tjera të vendit.
Në darkë, ndërsa nuk qe takuar me asnjë bashkëpunëtor tjetër të lartë, Hoxha e pati telefonuar Ramiz Alisë të vinte tek ai. Sapo ky pati mbërritur, i kishte thënë menjëherë: “Biseduam për atë çështjen e fesë, po le ta zhvillojmë, ta lidhim një çikë edhe me emancipimin e grave se i kanë fejuar që në djep. Me këtë rast i kapim të dyja këto probleme”.
Kështu edhe u la, e kundërta e asaj që patën gjykuar dhe vendosur pak orë më parë. Nisma e gjimnazistëve të Durrësit duhej nxitur të hovte. Sipas Alisë, pohuar kjo pas viteve nëntëdhjetë Agim Meros, Enver Hoxha për këtë temë duhej të qe këshlluar me të shoqen, Nexhmijen.
Mero ndërkohë dëshmon edhe një detaj tjetër të historisë tronditëse të kësaj “nisme revolucionare”, më namkeqja e të gjithave që ndërmori Partia e Punës e Shqipërisë dhe drejtuesi e saj gjatë gjysmëshekullit realkomunist: të rinj të Durrësit, gardistë të kësaj fryme, kishin shkuar në Shënavlash, e patën kapur prej mjekre priftin dhe nxjerrë jashtë nga kisha.
I kishin thënë se foltoren e tij do ta bënin shtëpi rinie.
Kjo ngjarje u botua të nesërmen në gazetë.
Pasi Mehmet Shehu e pati lexuar shkrimin e kishte telefonuar Agim Meron dhe i qe shprehur: “Mirë ka vepruar rinia e Durrësit! Po këtë xhaminë në qendër të Tiranës do ta lini këtu?”
“Nuk e kemi menduar akoma, shoku kryeministër”, i qe përgjigjur Mero.
“Mendojeni, mendojeni, po ajo dhjetë vetë dhe nja dy kazma do”.
“Do ta shikojmë, shoku Mehmet”.
Pas kësaj Agim Mero mori në telefon Ramiz Alinë dhe ky i tha shkurt: “Prit njëherë ta bisedojmë me shokun Enver”. Shkoi menjëherë tek Hoxha. Ky iu përgjigj prerë: “Në asnjë mënyrë!” Pastaj kish shqiptuar: Kujdes në Shkodër dhe në Dropull!
(Por në 9 qershor 1973 PPSH, në një marrëzi dhe provokim politik të pashëmbullt, e kreu pikërisht në Shkodër gjestin më radikal të ndalimit të institucioneve dhe besimit fetar: ngriti muzeun ateist të Shqipërisë).
“Revolucioni kulturor shqiptar”, shpërthejnë nismat
Iniciativa të tjera “revolucionare”, jo aq shumë famëkeqe siç ajo e ndezur në gjimnazin e Durrësit, do të merrnin jetë në Shqipëri, duke e kthyer atë edhe më shumë në një vend çudirash të pashëmbëllta. Kur shpërtheu ajo kundër burokracisë, thua e keqja kryesore e regjimit qe nëpunësi dhe jo vetë sistemi shoqëror politik i zgjedhur, nëpër shkolla u flakën në ajër fletoret dhe shpesh edhe u grisën nëpër oborret e tyre. Prej atij çasti nuk do të kishte detyra shtëpie, se ato ishin “burokraci”!? Në Berat, qytetin e lindjes së autorit të këtij shkrimi, ndodhi që pothuaj tërë fondi shkresor i Komitetit Ekzekutiv u ngarkua me kamion dhe u hodh në një zallishte në breg të lumit Osum. Aty nisi djegia e dokumenteve dhe sikur të mos kish ndërhyrë një nëpunës i vjetër arkivash gjithçka do të qe shfarrosur.
Më pak e çoroditur nga e mësipërmja qe iniciativa e shndërrimit të tokave të kodrave dhe maleve në pjellore si edhe fushat. Dëmet e mëdha që u shkaktuan, nëpërmjet hapjes pa fre të tokave të reja, me përdhunën mjedisore ndaj pyjeve dhe bimësisë, diçka e kompensonte, për të lënë një gjurmë të mirë, sistemi i plantacioneve të agrumeve në buzë të detit Jon.
Prej një shtyse pozitive u përhap politikisht në të gjithë Shqipërinë furtuna e luftës kundër zakoneve prapanike, veçanërisht atyre që vepronin negativisht ndaj gruas, një emancipim i tipit ultramajtist ky, por gjithsesi me disa rezultate të mbara për kohën.
Sidoqoftë edhe këtu iu bashkëngjitën lëvizjes revolucionare e quajtura “lufta kundër shfaqjeve të huaja borgjezo-revizioniste”, e cila u duk prej fillimit të vet si një progrom i vërtetë kundër lirive të njeriut. Të gjitha këto “nisma” që nxiteshin nga lart, por për publikun sajoheshin sikur lindnin mes popullit, shtratin e shumimit e kishin në Kongresin e 5-të të PPSH. Kjo qe fidanishtja e tyre.
Delegacione të 25 partive marksiste-leniniste
Ky kongres i zhvilloi seancat e tij nga 1 deri 8 nëntor 1966 dhe kish profil të dukshëm ideologjik. Ai u kujdes të manifestonte “unitetin e fuqishëm” të partisë dhe spikati me sa mundi para opinionit publik vendas dhe sidomos atij të huaj praninë 25 delegacioneve të “partive motra” (“komuniste punëtore” cilësoheshin. Trembëdhjetë prej të cilave qenë nga Azia, njëmbëdhjetë nga Afrika, Oqeania dhe Amerika (kryesisht ajo e jugut), të tjerat nga Evropa. Në pushtet prej këtyre të fundit ishte vetëm ajo Rumune, çfarë mbetej përfaqësonin fraksione “marksiste-leniniste të vërteta”. Kongresit V-të të PPSH i kishin dërguar mesazhe urimi edhe 11 parti të tjera.
Me pak fjalën ajo paraqiti solidaritetin e 36 të tillave. PKK ishte e tridhjetë e shtata, parti e fuqishme në pushtet. Nga Kina pati ardhur anëtari i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, Kan Shen. Ky njihej si revolucionar i vjetër por dhe ideolog. Para se të mbante fjalën e tij përshendetëse lexoi mesazhin e Mao Ce Dunit, i cili qe tepër i nxehtë dhe dukshëm në mbështetje politike dhe ekonomike për planin e katërt pesëvjeçar të zhvillimit të Shqipërisë.
(Kredia e madhe kineze do të vinte pas kësaj menjëherë dhe do të nisnin ndërtimet e hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit, shumë objekte për industrinë mekanike dhe atë metalurgjike).
Në kongres Enver Hoxha mbajti raportin e tij direktiv në ditën e parë të 1 nëntorit. Ai përbëhej prej pesë pjesëve, ku sipas rregullit “Gjendja ndërkombëtare dhe politika e jashtme e Shqipërisë Socialiste” qe parashtrimi i parë. E dyta pjesë përfshinte shqyrtimin e gjendjes ekonomike (plotësimi i planit të tretë pesëvjeçar dhe drejtimet kryesore për të ardhmen). E treta ishte “Forcimi i mëtejshëm i Partisë dhe i rolit të saj udhëheqës”, e katërta “Thellimi i mëtejshëm i revolucionit ideologjik dhe kulturor”. Pjesa e pestë dhe e mbylljes vendoste në qendër luftën e Partisë së Punës të Shqipërisë kundër revizionizmit modern “për mbrojtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit”.
Ndërsa katër prej tematikave të fjalës kryesore të Enver Hoxhës shkonin në përputhje të zakontë me modelet e mëparshme të raporteve kongresuale, e pesta, e pozicionuar në rreshtim si e katërta, qe lëndë shumë pak e dëgjuar në fjalorin politik të deri atëhershëm të regjimit. Cilët e kanë jetuar këtë çast, por edhe shumëkush tjetër që ka vëmendje ndaj historisë botërore, e kuptojnë fare qartë se çështja e thellimit në Shqipëri e revolucionit ideologjik dhe kulturor ishte rrjedhojë e ndikimit të Revolucionit të Madh Proletar Kinez dhe e detyrimit shpërblyes që Hoxha kishte kundrejt mbështetjes së dhënë nga Kina Popullore pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik dhe tërë kampin socialist.
Tre muaj më parë nga fillimi i kongresit të pestë të PPSH, në 1 gusht 1966, Mao Ce Duni nisi në plenumin e njëmbëdhjetë të komitetit qendor të Partisë Komuniste të Kinës betejën kundër Katër Vjetërsirave. Edhe pse në thelb kjo qe një manovër për të ruajtur pushtetin e tij absolut prej reformistëve të shkathët Ten Siao Pin dhe Liu Shao Çi, për ta maskuar këtë rrethanë nxiti frymë lufte të masave popullore kundër korrenteve të vjetra të të menduarit, të kulturës, të zakoneve dhe të traditës. Sipas tij, këto “katër vjetërsira” e minonin shndërrimin e Kinës në një vend socialist.
I mbështetur nga ushtria me në krye Lin Biao-n, Mao Ce Duni në 18 gusht 1966, nëpërmjet “gardistëve të kuq”, shpërtheu një sulm të përgjithshëm mbi krerët “revizionistë”. Manifestimet kryesore të revolucionarëve mbaheshin në Sheshin Tienanmen, por dhuna e tyre u shtri në të gjithë vendin, hapur kundër intelektualëve. Këto protesta të komanduara përfunduan pas tre muajsh, në 25 nëntor.
Kur në Tiranë mbahej Kongresi i 5-të i PPSH Revolucioni i Madh Proletar Kinez qe në kulm.
Thashetheme në Perëndim
Perëndimi që në çdo prag kongresi të PPSH-së vëzhgonte nëse më në fund Enver Hoxha do të hapej drejt tyre dhe pas prishjes fatlume në 1961 me sovjetikët mbase e përsëriste këtë edhe me kinezët, kapi të vinte nga Tirana një sinjal shprese. Lajmi që u formulua nga BBC, pa u mbyllur dita e 1 nëntorit 1966 thoshte se “Fjalimi hapës gjatë Kongresit të Partisë së Punës të Shqipërisë, i mbajtur nga udhëheqësi i PPSH-së Enver Hoxha, nuk e përmendi “Revolucionin e Madh Kulturor” kinez sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), e cila transmetoi fragmente të fjalimit të Hoxhës”.
Më tej: “...përmendjet e fundit të “Revolucionit Kulturor” në fjalimet zyrtare shqiptare kanë qenë shumë të rralla këto muajt e fundit dhe, me sa duket, shmangia e lëvdatave për Rojet e Kuqe sugjeron se edhe udhëheqësit shqiptarë mund të kenë pakënaqësitë e tyre për atë se çfarë po ndodh në këto momente në Kinë”. Po ashtu: “Shkalla e plotë e mosmarrëveshjeve të Shqipërisë me Kinën mund të bëhet e dukshme vetëm kur teksti i plotë i fjalimit të Hoxhës të bëhet publik (deri tani nuk ka ndodhur). Por nëse ai e përmendi “Revolucionin Kulturor” apo jo, fakti që agjencia zyrtare e lajmeve nuk e transmetoi atë gjatë përmbledhjes së fjalimit do të thotë shumë politikisht”.
Sipas BBC, Hoxha pati përshëndetur provat bërthamore të Kinës.
Pasi përshkruante praninë në kongres të Kan Shenit dhe se atje “të vetmet vende komuniste që ishin të pranishme ...janë ato që e konsiderojnë veten “neutrale” në debatin e fundit kino-sovjetik (Rumania, Koreja e Veriut dhe Vietnami Verior), analiza britanike vinte në dukje se “PPSH-ja bëri disa lëvizje që kishin ndërmend të afronin më shumë lidhjet mes Partisë dhe popullit”.
Në vëmendjen e Enver Hoxhës për nxitje “nisme revolucionare” hyn Berati
Atë fundviti 1966 muaji nëntor do të mbyllej me zbërthmin në bazë të direktivave të kongresit të pestë, po ashtu edhe dhjetori. Në 21 janar 1967 papritur nën qendërzimin e ciklonit enverist për nxitjen e nismave revolucionare hyri qyteti i Beratit. Këto ditë Hoxha pati bërë në Tiranë një bisedë me një grup të rinjsh e të rejash të brigadave vullnetare të aksioneve. U kishte komunikuar mbështetje rinisë së kooperativës bujqësore të Lapardhasë në rrethin e Beratit (zonë fushore), e cila pati shkuar vullnetarisht në Tërpan (zonë malore po në këtë rreth), për të ndihmuar fshatarët në hapjen e tokave të reja e për të ndërtuar terraca.
Gjashtë ditë më pas, në 27 janar, Enver Hoxha do të firmoste një letër të tij me adrese sërish Beratin. Ajo thoshte:
“Té dashur pionierë,
U gëzova pa masë sot kur mora vesh se Ju, të dashur djem dhe vajza të shkollave tetëvjeçare të qytetit, u organizuat, u armatosët me çekiçë e dalta dhe, nën drejtimin e mësuesve e gurgdhëndëtësve pensionistë filluat të ndërtonit në kohën Tuaj të lirë kalldrëmet e qytetit.
Ju lumtë! Ju mësoheni që të vegjël të veni në rrugën e muratorëve e gurgdhëndësve të lavdishëm të vendit tonë që shekuj me rradhë e deri më sot kanë ushtruar një nga mjeshtëritë, një nga artet më të mrekullueshëm të njerëzimit. Veprat e këtyre baballarëve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë janë të pavdekshme, ne i shohim ato kudo në vendin tonë dhe i admirojmë, sidomos në qytetin Tuaj muze”.
E vijonte Hoxha, me frymëzim të dukshëm dhe elegancë komunikimi publik, letrën e tij: “Ju e filloni me gurët e kalldrëmeve dhe me këtë do t’ju ngjallet një dashuri e madhe për gurin, me të cilin do të bëni vepra të mëdha e të mrekullueshme për vendin. Në gur, si gjatë gjithë historisë së njerëzimit, Ju do të fiksoni për jetët veprën madhështore të partisë dhe të popullit tonë”.
Duke e kapërcyer sadopak këtë cen propagandistik të himnizimit të Partisë së vetme në pushtet dhe zakonit të keq të rreshtimit të veprave të saj para atyre të krijuara nga populli, Enver Hoxha shkon më tej: “Unë i kam dashur, i dua dhe i respektoj muratorët dhe punonjësit e gurit, prandaj vij sot tek Ju, të dashur të vegjël dhe vogëlushë, t’Ju përqafoj dhe t’Ju puth me dashuri që morët këtë inisiativë kaq të mirë. Ju siguroj se kur të vi në Berat, gjëja e parë që do të bëj, është të piqem me Ju dhe të shoh punën Tuaj.
Ju puth me mall të gjithëve
Enver”.
Poema e Ismal Kadaresë
Nisma kishte qenë ide e vetë pionierëve beratas të klasës së së tetë të shkollës “7 Nëntori” me ndërtesë ngjitur me muzeun e rrethit, atje ku qe formuar edhe Qeveria e Përkohshme Demokratike me kryeministër Enver Hoxhën. Nëndrejtoreshë qe një veprimtare shoqërore mjaft energjike, Gjena Toromani, si edhe mësues si Athina Kona, Ramadan Ago, Ermal Përmeti, Sidorinko Zaharia, Liljana Gora, Afife Mezini, Flamur Nallbani, etj
Iniciatorë prej pionierëve qenë nxënës të klasës së shtatë dhe të tetë, Piro Haxhistasa, Evelina Ziu, Luljeta Pasku, Persefoni Deçolli, Kozma Vrusho... Nisma titullohej “Të bëhemi gurskalitës, të shtrojmë rrugët me kalldrëm dhe ta bëjmë më të bukur qytetin tonë muze”. Shkurt: Gurëskalitësit.
Për këtë aksion vullnetar gurgdhendjeje, i cili po përhapej në të gjitha tetëvjeçaret e Beratit, pionierët e kësaj shkolle e të tjerë i kishin dërguar më parë një letër Enver Hoxhës. Ky veprim shkaktoi një fjalënajë se në të gjithë këtë kishte diçka të organizuar që më herët. Sipas kësaj thashethemnaje, nxitës kryesor qe Komiteti i Rinisë së rrethit të Beratit, drejtues të të cilit patën përfituar nga një mërzitje e Enver Hoxhës me qytetin e vet të vendlindjes, Gjirokastrën. Ky gjendjen e kalldrëmeve e kishte keq. Madje nuk mjaftonte kjo, por edhe nuk lëviznin nga vendi ta korrigjonin atë. Dhe duke qenë se pionierët gjirokastritë ende dremitnin, Hoxha u hapi krahët të vegjëlve shamikuq beratas.
Ndërkohë në qytetin e “një mbi një dritareve” pati ndodhur edhe një rrethanë lumturuese: me nismën e pionerëve ishte bashkuar edhe Vasil Karakashi, një usta i vjetër dhe duarartë me origjinë nga Mbreshtani, fshat i dalluar për ndërtimin e kalldrëmeve me gurë të gdhendur. Xha Vasili ato kohë pati dalë në pension. Ky punëtor i palodhur banesën e familjes së vet e kishte ngjitur me oborrin e shkollës “7 Nëntori”. Ai qe edhe baba dëshmori: Gaqi Karakashi, pati rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Bashkë me xha Vasilin, por jo vullnetarë si ai, gurgdhendesit e vegjël i ndihmonin disa teknikë dhe punëtorë të Shërbimeve Komunale të qytetit, sepse shtrimi i kalldrëmeve ishte një mjeshtëri jo e lehtë.
Ndërkaq me një letër të tejngarkuar me gjuhë të politizuar, formulim në zyrat partiake të Beratit, ndryshe nga stili i Hoxhës, i cili qe më i çlirët, pionierët e qytetit i kthyen përgjigje Enver Hoxhës. Ajo thoshte: “Sot rrugët e qytetit tonë oshëtinë nga brohoritjet dhe këngët tona për Partinë, për Ju, udhëheqës i dashur i popullit tonë.
Ne, gurskalitësit beratas, shkuam në takimin tonë të parë, për të shkëmbyer përvojën tonë të punës dhe s’ishim pak, por qindra djem e vajza pionierë: të gjithë mbajmë emrin “gurskalitësa”. Shkëlqejnë sot në duart tona çekanët dhe daltat, sa hije na kanë përparëset e punës!”
Në mbyllje të saj: “Letra juaj e ngrohtë na dha fuqi, na shtoi vrullin dhe dashurinë për punë. Ja si u shpreh në poezinë e saj një shoqja jonë guskalitëse:
Do të rritem unë
Me letrën në gji,
E gatshme për punë,
E fortë nënë Parti”.
Ju dërgojmë përqafimet më të ngrohta. Përshëndetje të zjarrta pionieri!”
Përafërsisht në këtë kohë, në 6 shkurt 1967, Enver Hoxha kishte mbajtur fjalimin e tij direktiv “Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit”. Në 27 shkurt pati vijuar me “Praktikat fetare t’i luftojmë” dhe në 2 mars “Komunistët të udhëheqin me shëmbullin e tyre”.
Revolucioni kulturor shqiptar, me një dallim të dukshëm nga ai kinez, por brenda të njëjtës frymë, ndërsa e kishte ndalur vrullin në Pekin, në Tiranë i pati ndezur motorrat. Marsi ishte edhe muaji kur në faqet e gazetës “Pionieri” u publikua poema e Ismail Kadaresë “Gurgdhendësit”. Vizatimet e saj shoqëruese qenë bërë nga piktori Bujar Zajmi.
Thoshte poema: “Keni qenë kudo por mbase jo në Berat”, pastaj strofa “Ky qytet është i bukur, /Ky qytet është i vjetër/Shtëpitë i kanë hypur/Mbi kurriz njëra-tjetrës”. Kadare shprehej si gurët qenë pjesë shkëmbinjsh të fortë, se ata qëndruan aty ku i vunë. Mbi to, zhdërvjelltësonte përfytyrimin e tij poetik, njerëzit kalonin të gëzuar apo të brengosur, ndërkaq që ata gurë të fortë kishin duruar t’u kalonin sipër qeret, por edhe tanket. Veç erdhi një ditë, thoshte poema, me këtë rast duke e bërë rrëfimin mjaft të bukur dhe të afërt me psikologjinë e fëmijëve, “Boshllëqet e mira/Nuk sjellin, veç dëme/Qoftë në mësime,/Qoftë në kalldrëme”.
Pastaj rrjedhshëm si ujë kroi: “Kalldrëmi i rralluar/Kalldrëmi q’u plak/Seç zgjoi një trishtim/Në qytetin Berat. (Vijon)
d.c./shqiptarja.com