Rritja e konkurrueshmërisë së sektorit të turizmit dhe formalizimi i mëtejshëm i tij mbeten sfida dhe objektiva të përbashkëta mes qeverisë dhe biznesit. Kështu u shpreh ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një takimi me sipërmarrës të sektorit të turizmit në Durrës, ku theksoi se turizmi është një nga sektorët me ndikimin më të madh në ekonomi, jo vetëm përmes fluksit të turistëve, por edhe për efektin që sjell në punësim, të ardhura dhe zhvillim lokal.
“Ne sektorin e turizmit e shohim edhe si një motor që tërheq edhe sektorë të tjerë siç është pjesa e agropërpunimit dhe pjesa e bujqësisë. Këta janë sektorë satelitë të cilët i shërbejnë sektorit të turizmit dhe si rezultat i rritjes që sjell ky sektor, përfitojnë edhe këta nga ana tjetër. Jemi duke vlerësuar edhe disa incentiva të tjera, të cilat duhet të jenë në linjë edhe me kërkesat e Bashkimit Europian”, u shpreh z. Malaj.
Sipas të dhënave të administratës tatimore, në Durrës është regjistruar rritje e punësimit dhe e deklarimit të pagave në sektorët e lidhur me turizmin. Numri i punonjësve me paga nga 50 deri në 70 mijë lekë është rritur me rreth 74%, ndërsa ata me paga mbi 120 mijë lekë janë shtuar me mbi 81%. Po ashtu, pagesat e TVSH-së për sektorin janë rritur me 22.7% krahasuar me vitin e kaluar.
Ministri tha se turizmi po ndikon drejtpërdrejt edhe në sektorë të tjerë si bujqësia dhe agropërpunimi, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte edhe plani operacional për turizmin për vitin 2026, i cili synon rritjen e formalizimit, transparencës dhe monitorimin e bizneseve përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore do të: aplikojë kontrolle të targetuara, të bazuara në analizën e riskut; kërkojë deklarim të saktë dhe të plotë të të ardhurave; monitorojë deklarimin e punonjësve të angazhuar në aktivitet, si dhe zbatimin e pagave indikative si element në vlerësimin e riskut tatimor; verifikojë zbatimin korrekt të faturimit elektronik për çdo shërbim të ofruar.
Komente











