FIER - Një tjetër drejtues i lartë policie arrestohet si i dyshuar për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike Shqipëri-Itali. 

Mbrëmjen e sotme, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të rënda është prangosur nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, në vijim të hetimeve për 2.5 ton drogë të trafikuar me kamion drejt Italisë në 9 janar të këtij viti, ngarkesë e cila u kap në Ankona. Ai është transportuar në drejtim të Tiranës, ndërsa do të merret në pyetje nga kolegët e tij gjatë ditës së mërkurë. Sipas Prokurorisë, Lelaj është organizator i trafikut të 2.5 ton droge me kamion përmes Portit të Durrësit.

Ngarkesa i kaloi të gjitha pengesat dhe kontrollet në Portin e Durrësit, ndërsa u pikas nga autoritetet italiane në Ancona ku u arrestua drejtuesi i kamionit Dhimo Koraj. Arrestimi i kamionistit çoi në zbërthimin e rrjetit kriminal të trafikut të drogës, në krye të cilit qëndronte pikërisht oficeri i policisë së Fierit. Nënkomisari i policisë pritet të dalë përpara gjykatës së Krimeve të Rënda ditën e enjte, ku do të njihet me masën e sigurisë. Mbi Festim Lelajn rëndojnë dy akuza, ajo për shpërdorim detyre dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. 

Ndërkaq, krahas drejtuesit të lartë të policisë së Fierit, me urdhër të Prokurorisë janë arrestuar edhe për dy persona të tjerë, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa. Ndërsa kohë më parë janë prangosur edhe Demo Progonati (i lënë në arrest me burg), Euron Hoti, Malton Lleshi dhe Aurel Lazaj, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg.

Operacioni në fshehtësi, frikë nga dekonspirimi
Arrestimi i Festim Lelajt është kryer në fshehtësi të plotë. Policia lokale e Fierit nuk ka pasur dijeni, ndërsa për prangosjen e tij kanë shkuar agjentë të SHCBA nga Tirana. Policia i druhej një dekonspirimi të mundshëm të operacionit për arrestimin e një prej zyrtarëve të lartë të Policisë së Fierit. Shqiptarja.com mësoi se Lelajt i janë vendosur prangat në ambientet e brendshme të komisariatit nga agjentë të SHÇBA. 

Kjo pasi, jo më larg se tre javë më parë Prokuroria dhe Policia dështuan në një operacion për arrestimin e tre ish-drejtuesve të Policisë së Vlorës, Jueld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, në vijim të hetimeve për dosjen "Habilaj".Ish-kreu i Policisë së Vlorës, Çela dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë në arrati që prej datës 22 nëntor, kur Prokuroria lëshoi urdhër-arrestet. Ata akuzohen se kanë lejuar trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë nga grupi i Habilajve.

demo progonati

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda:

Një operacion i Prokurorisë për Krime të Rënda përfundoi me ndalimin e disa personave, përfshirë edhe një oficer të lartë policie, i cili konsiderohet në rolin e organizatorit, të dyshuar si përgjegjës për trafikimin e 2.5 ton lëndë narkotike kanabis nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë, ngjarje e ndodhur në janar 2017.

Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin, pasi autoritetet italiane në Ankona zbuluan një kamion me lëndën narkotike, i cili drejtohej nga shtetasi shqiptar Dhimo Koraj. Në bazë të informacionit fillestar, të përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nga homologët italianë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimin. Bazuar në veprimet proceduriale, deri më tani është arritur të identifikohen dhe arrestohen apo ndalohen disa persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal.

Fillimisht, janë arrestuar para pak kohësh shtetasit Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg. Gjatë hetimit është vendosur caktimi i masës sigurimit arrest në burg për shtetasin Aurel Lazaj, masë e cila është ekzekutuar para pak ditësh.

Ndërkohë është nxjerrë urdhër-ndalimi për shtetasit Festim Lelaj, aktualisht nënkomisar në Komisariatin e Fierit, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa, të cilat janë ekzekutuar nga policia ditën e sotme.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com