Krimet e Rënda vijojnë hetimet për grupin që në janar të vitit 2017, nga porti i Durrësit trafikoi 2.5 tonë kanabis në drejtim të Italisë, me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

Të arrestuar në kuadër të dosjes hetimore janë 11 persona, mes të cilëve nënkomisari i policisë Festim Lelaj, dy agjentët Agron Kapllanaj e Gëzim Dervishi, si dhe dy doganierët e Durrësit, Altin Katundi e Mikail Hila, të prangosur pak ditë më parë.

Nënkomisar Festim Lelaj dhe Euron Hoti drejtonin grupin kriminal. Nga hetimet ka rezultuar se Lela garantonte paprekshmërinë e grupit, ndërsa Hoti, i njohur edhe me emrin Artan Abazi, kishte në zotërim dy kamionë me lëndë drusore për t’i transportuar drejt Gjermanisë.

Arbi Mustafa dhe Malton Lleshi ishin personat që siguronin drogën, ndërsa të arrestuarit e tjerë Dhimo Koraj, Skënder Siceqa dhe Aurel Lazaj ishin më tepër në rolin e krahut të punës.

Sasia e konsiderueshme e kanabisit, e fshehur në brendësi të lëndëve drusore, nuk mbërriti në destinacionin final pasi u kap në Ankona. 

dy.b/shqiptarja.com