Gjatë dhjetë ditëve të fundit rreth 2 mijë emigrantë kanë hyrë përmes detit me not në qytetin e Ceutës, një nga dy qytetet spanjolle në bregdetin maroken, përballë Gadishullit Iberik.
Pamjet e filmuara në plazhin Tarajal tregojnë qindra persona që kalojnë pranë digave mbrojtëse, ndërsa të tjerë vrapojnë në plazh dhe në rrugët e qytetit, në përpjekje për të hyrë në territorin spanjoll.
Në mungesë të kapaciteteve në forcat kufitare për të përballuar fluksin e emigrantëve autoritetet e Ceutës i kanë kërkuar qeverisë spanjolle të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare dhe të angazhojë ushtrinë.
Sipas autoriteteve lokale, situata në kufi është përshkruar si “kaotike”, ndërsa qendrat e pritjes janë mbingarkuar për shkak të fluksit të madh të mbërritjeve. Megjithatë, qeveria spanjolle ka bërë të ditur se, sipas legjislacionit në fuqi, fenomeni i emigracionit nuk përbën bazë ligjore për shpalljen e emergjencës kombëtare, duke theksuar se po vijon koordinimin me autoritetet marokene për të rikthyer kontrollin në kufi.
Mediat raportojnë për 11 të mbytur e dhjetëra emigrantë të tjerë të zhdukur.
Kjo situatë ka alarmuar qeverinë italiane e cila po shqyrton mundësinë e pezullimit të Shengenit me Spanjën.
Emigracioni i parregullt dhe i pakontrolluar përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare, shkruan në X ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani. Imazhet që mbërrijnë nga Ceuta tregojnë se si vendimi i qeverisë së Madridit për t'u dhënë shtetësi spanjolle, dhe për këtë arsye evropiane, mbi 500,000 emigrantëve të parregullt është thellësisht i gabuar dhe inkurajon trafikimin e qenieve njerëzore, shprehet Tajani.
Komente








