Foto: Albulena Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, deklaroi sot se vendimi i sotëm për dënimin e tre prej të akuzuarve për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023 është dëshmi se sulmi ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit nuk mbetet pa ndëshkim.

Megjithatë, Haxhiu shton se drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu, por se do të përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me Milan Radoiçiçin të dalin para drejtësisë.

“Me aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviç me 30 vjet burgim për sulmin terrorist në Banjskë. Sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund.

Ky vendim është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim.

Megjithatë, drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me terroristin Millan Radoiçiç të dalin para drejtësisë.

 Lavdi Afrim Bunjakut, heroit tonë!”, shkruan Albulena Haxhiu në rrjetet sociale.


Lajmi kryesor:

Kosovë/ Sulmi në Banjskë ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, Gjykata dënon me burgim të përjetshëm dy prej autorëve! 30 vite për tjetrin (VIDEO)