Bletët për të nuk janë thjesht një mjet fitimi. Janë pasioni që e ka shoqëruar prej kohës kur ishte student, atëherë kur vendosi t’u përkushtohej seriozisht.
Abdyl Arifaj është ndër bletarët më të njohur të Shqipërisë, autor i disa librave për bletarinë, i cili nuk i ndahet kurrë pasionit të tij, duke kryer edhe një sërë studimesh për bletën.
Për të, bletët janë rregullatore të botës.
“Sipas Ajnshtajnit, nëse do të zhduken bletët, nuk ka më shumë se katër vite jetë në glob. 70% e bimësisë pjalmohet nga bletët. Thuhet se në tre kafshë që konsumon njeriu, një është në sajë të bletës”, thotë Arifaj.
Ai shprehet i lumtur që në Shqipëri numri i tyre po rritet gjithnjë e më shumë. Madje, ai ka edhe evidenca zyrtare për ekzistencën dhe shtimin e tyre në vendin tonë.
“Nga 80 mijë që ishin para viteve 90, sot në Shqipëri numërohen deri në 600 mijë familje bletësh”, shton ai.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Bletës, shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, bletërritësi profesionist Abdyl Arifaj apelon për më shumë kujdes ndaj bletëve.
“Që të ruhet ekosistemi është e domosodoshme dhe prania e bletës”, shprehet Arifaj.
Doktor Abdyl Arifaj nuk është mjaftuar vetëm me mjaltin dhe produktet e tjera të bletarisë. Në Pukë ai pret dhe përcjell dhjetëra vizitorë në qendrën e tij të apiterapisë, një tjetër metodë shërimi përmes avullit që vjen nga zgjojet e bletëve.
“Aero-terapia që kemi realizua këtu ka efekte në kurimin e njerëzve të cilët kanë probleme me organet e frymëmarrjes, probleme alergjike dhe sinuset. Për trajtimin e tyre me këtë metodë kërkohet një trajtim dikund deri në tre javor”, shpjegon Arifaj.
Kërkon më shumë vëmendje nga qeveria ndaj bletarëve. Edhe pse nuk e mohon se ka nisur mbështetja përmes subvencioneve, ai thekson se jo rrallëherë ato nuk kanë shkuar tek bletarët e vërtetë. Po ashtu, rendit edhe një sërë kërcënimesh me të cilat përballen bletët edhe në vendin tonë.
“Viteve të fundit ka një mbështetje nga ana e qeverisë, por jo gjithnjë subvencionet e akorduara kanë shkuar te bletarët. Ka ndodhur që dikush ka deklaruar 100 koshere, por 50 prej tyre mund të kenë qenë të boshatisura pa bletë. Më mirë do të ishte stimulimi mbi bazën e rritjes së produktit”, sugjeron bletërritësi.
Komente











