Përfundon pas rreth 8 orësh seanca paraprake për ish presidentin Ilir Meta dhe ish bashkëshorten Monika Kryemadhi. SPAK nuk arriti as në këtë seancë t’i lexonte të gjitha parashtrimet e kërkesës për kalimin në gjykim të dosjes.
Organi i akuzës ka arritur të lexojë deri më tani rreth 130 faqe ku kanë mbetur edhe 100 të tjera të cilat do të lexohen në seancën e ardhshme. Seanca e radhës të enjten e ardhshme, ora 10:00.
Më herët, avokati mbrojtës i Ilir Metës, Kujtim Çakrani, për mediat ka bërë me dije për një përplasje mes Metës dhe prokurorit të Posaçëm Sotir Kllapi, me pretendimin se ky i fundit nuk ka qenë i sakte në ato që ka relatuar.
“Ka patur një tension mes zotit Meta dhe zotit Kllapi. Kllapi ka qenë i vetëm, nuk është paraqitur Kraja dhe Dumani. Pasi ka relatuar ka që i pasaktë qoftë në data, qoftë në momente të ndryshme kohe. Kjo ka bërë që në të irritoheshim dhe ta ndërprisnim herë pas herë. Ne jemi në seancë paraprake që duhet të shikojmë veprimet proceduriale. Në momentin kur ata mashtrojnë si në rastin e lobimit kur në fakt Meta nuk ka firmosur asnjë dokument.
Ata relatojnë fakte të cilat interperetojnë dhe prokurori tha ‘unë do ti relatoj, por këto nuk janë prova’. Ne duam akuzat konkrete për zotin Meta, Kryemadhin etj. Si mund të vijë prokurori pa listën provave?! Ne irritohemi ndaj cdo paqartësie që prokurori bën në relatimin e tij”, sqaroi avokati.
Avokati Çakrani tha se do të kërkohet pushimi i dy çështjeve, ajo e lobimit dhe CEZ-DIA, ndërsa akuzat për deklarim të rremë të pasurisë apo mosdeklarimi, i ka marrë përsipër Monika Kryemadhi.
“CEZ DIA nuk ekziston edhe vetë prokurorët nuk janë të bindur, Dy të tjerat janë lobimi pra pastrim i produktit të veprës penale dhe pjesa tjetër është mos deklarimi apo deklarimi i rreme. Pra mos deklarimi apo deklarimi i rremë e ka mbajtur bashkëshortja e tij, sepse ajo ka kryer të gjitha veprimet. Kryemadhi ka deklaruar se të gjitha shpenzimeve i kam bërë unë. Fakti që e ka marrë përsipër ajo ne nuk mund të themi se nuk ekziston. Por Sa i takon akuzave të tjera të pastrimit të produktit të veprës penale dhe CEZ DIA këto mendoj se do pushohen. Ne kemi arritur tek faqja 104, janë 217 faqe plus provave të reja, janë rreth 250 faqe. Ne duhet të lexojmë resht më resht dhe gërmë më gërme. Pra janë edhe 100 faqe, që nuk besoj se do përfundojë sot”, tha avokati.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Për Monika Kryemadhin është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Komente











