Por, një koleg i tij, Artan Hoxha, që po me aq profesionalizëm nxorri në TV News24, pamjet e tmerrshme të protestës vrastare atë ditë të 21 janarit. Artan Hoxha dhe operatori i tij që kurrë s’ka dashur t’i përmendet emri, të ...vendosur përballë kullave binjake, filmuan skenën makabre të vrasjes së të paktën dy personave në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Pikërisht në momentin, kur po krijohej përshtypja se gjithçka, madje edhe vrasjet, ishin të planifikuara nga opozita, Artani me shumë kurajo e guxim, doli në TV ende të paprivatizuar News24 për të thënë të vërtetën e vrasjeve të 21 janarit. Ai mori çmimin e gazetarit të vitit, një çmim dinjitoz të Unionit të Gazetarëve, një çmim i dhënë nga ministri i Ekonomisë Nasip Naço, i cili, ndryshe nga ajo që transmetoi Artani në TV, mendon se vrasjet u bënë me bastuna pistoletë e çakmakë pistoletë.
Nuk mund të mos harrojmë pa përmendur në këtë vit gazetaresk, ndryshimin e pronësisë së grupit Mediterranea, në Fokus Group. Nga pronësia italiane, televizioni News24, Gazeta Shqiptare, portali dikur më i klikuar i lajmeve Balkanweb, dhe radio Rash, ranë në duart e dy biznesmenëve shqiptarë: Irfan Hysenbelliu dhe Artan Santo. Për të mbërritur më pas në daljen e më të resë së përditshme në treg Shqiptarja.com. Një iniciativë e Alba Malltezit dhe Anila Bashës, duke kërkuar thyerjen e tabuve për një media profesionale dhe të pavarur, duke luftuar me tregun e tejngopur të gazetave të përditshme, kërkojnë të fuqizojnë mes vështirësive një media të re, e cila në fillim të vitit të ardhshëm do të zgjerohet me të tjera projekte mediatike.
Shqiptarja.com, ishte një risi mediatike e këtij viti për të hyrë dhe konkurruar denjësisht përballë gazetave të tjera, pavarësisht luftës dhe konkurrencës së pandershme. E padyshim, nuk mund të harrohet ajo që është konsideruar...dhe ëndrra vazhdon. 10 vite të Top Channel nuk mund t'i mungojnë tregut mediatik shqiptar. Gazetarë të palodhur, të qartë dhe të vërtetë, një televizion që në 10 vite, arriti të thyejë tabutë e teknologjisë televizive, falë gjithë atyre energjive pozitive që përcoi Dritan Hoxha. Ky televizion arriti me sukses që këtë 10 vjetor të ketë ç't'u thotë shqiptarëve, për të vërtetat e mëdha, dhe analizën profesionale nga dita në ditë. Dhe nuk ka sesi të mos përmendet përgjatë këtij viti, madje, më shumë se kurrë, televizioni Ora News. I ideuar si një televizion 24 në 24 orë lajme, më në fund, në ekranin informativ të Ora News u mblodhën të gjithë: Gazetat cituan dhe bënë lajm me deklaratat e Presidentit Bamir Topi në emisionin Tonight të Ilva Tares, vetëm një ditë më vonë, me deklaratat e kryeministrit Sali Berisha në emisionin e Patrik Sadikajt, pak më herët me deklaratat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Por nuk munguan as ambasadorët, që nga ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tek ambasadori Sequi i Delegacionit të Komisionit Evropian, e deri tek ambasadori i OSBE, Volfart. Ndërhyrje politike? Biznes? Profesionalizëm? Secili, në fund të ditës, bën analizat e veta. Ajo që është e rëndësishme, është se ky televizon, arriti me shumë sakrifica, një vit të artë dhe të begatë. Dhe transmetimet e Ora News do të përfundojnë me ish presidentin e Republikës, ndaj, edhe për stafin e këtij televizioni, kjo patjetër është një gjë pozitive. E asgjë nuk ka rëndësi nga këto. Ajo që është më e rëndësishme, është se ekrani i Ora News, është sot, ekrani pararojë i informacionit minutë pas minute në vend.
Kanë mbetur pas televizionet e tjera? Dikush po mendon se jam duke bërë "qokën" e radhës? Kjo, në gjithë klasifikimin e ngjarjeve të këtij viti mediatik, pak rëndësi ka. Secili ka vendin e vet në tregun mediatik shqiptar. Atë që e ka bërë media, e orientuar majtas, djathtas apo në qendër, askush nuk e ka bërë deri më sot. Media ka qenë në pararojë. Ashtu, e kamufluar, e mbërthyer, e stopuar, aktive apo inaktive, e tmerruar nga interesa pronarësh, apo politikanësh...por lajmi, asnjëherë nuk ka munguar, as për njërën palë, e as për tjetrën. Dhe kjo është një meritë e madhe e gjithë gazetarëve, atyre që punojnë natë e ditë në terren. Atyre që ndoshta rropaten për të marrë edhe shpërblimin e fundvitit dhe ndoshta nuk e kanë...qoftë edhe atyre që ende nuk do të marrin dot rrogat. Sido që të jetë realiteti i medias shqiptare, në këtë numër të fundit, në emër të Shqiptarja.com, dua t'u uroj gjithë gazetarëve jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe: Le të na gjejë 2012 më profesionistë, më investigues, larg thashethemeve dhe më afër realitetit. Sepse misionin e kemi të vështirë: të zbulojmë, atë që nuk do ta zbulojë shteti dhe pushteti.
Ashtu sikurse duhet të zbulojmë një iniciativë të fundit, që po investigohet nga gazetarët, dhe që është ngritur si shqetësim edhe nga Unioni i Gazetarëve. Dhe kjo po ndodh pikërisht këtë vit: ideja se kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, çështjen e shitjes së gazetave në treg përditë, do t'ia besojë vetëm një biznesmeni. E si mund të bëhet një gjë e tillë që kërkon të minojë lirinë dhe pavarësinë e medias, për t'u varur shitja e gazetave nga një biznesmen? Këtë mund ta dijë vetëm kryebashkiaku ndërkohë që vetë botuesit e shtypit të shkruar, kanë ngritur këmbanat e alarmit.