2011: të fundit por krenarë

2011: të fundit por krenarë
Me mbylljen e vitit kalendarik, sipas traditës, politikanë të lartë, prezantojnë bilancin e tyre vjetor. Në SHBA Presidenti Obama pranoi se mund të ishte bërë më shumë për programin e tij ekonomik, ë Gjermani Merkel tha se kriza e euro-s na gjeti të papërgatitur, në Britani u pranuan problemet me raportet europiane, në Itali e Greqi menaxhimi ekonomik u konsiderua dështimi më i madh. Në Shqipëri vendin e bilancit (sukses-dështim) e zë parada e arritjeve „historike“. Kështu, ndryshe
nga tradita perëndimore , në traditën tonë politikanë të lartë, ministra, drejtues të policisë, tatimeve, doganave, arsimit, shëndetësisë, etj, garojnë në ekranet  televizive duke propaganduar suksese e arritje të jashtëzakonshme. Vitin kur ne, për shkak të mosfunksionimit parlamentar dhe mungesës së reformave, u  penalizuam me refuzimin e ftesës për në BE, pushteti ekzekutiv e legjislativ thotë se ka shënuar arritjet më të mëdha në histori. Vitin kur vendi është prekur nga kriza ekonomike, kur fjala „investim“ është zëvendësuar me „kursim“ zyrtarët e lartë na thonë se kemi rritjen më të madhe në Europë. Vitin ku 22 atentate publike ndaj biznesit deri edhe gjyqtarëve mbeten të pazbuluara, kur në 9 raste grabiten banka dhe së fundi edhe makina e një ministri, policia thotë se asnjëherë nuk kemi qenë më të sigurtë. Vitin kur shënohet viktima e 13 në minierën-varr të Bulqizës, apo kur në krishtlindje media raporton për vdekjen e një fëmije nga varfëria, zyrtarët e lartë na thonë se jetojmë në bollëk, dhe na japin këshilla mos të abuzojmë me verën dhe mishin në festat e vitit të ri. Vitin kur asnjë zyrtar i lartë dhe i mesëm nuk përfundoi në pranga zyrtarët krenohen se arritjet e mëdha antikorrupsion. Vitin kur në mesin e ditës, para të gjithëve, disa militantë sulmojnë me shkopinj policinë dhe disa gardistë qëllojnë duke vrarë protestues të paarmatosur, dhe ku asnjë prej tyre nuk dënohet, zyrtarët e lartë krenohen me standardet e demokracisë. 2011 po ikën, pa lënë gjurmë, por duke lënë shumë plagë të hapura. Konsensusi politik i dy muajve të fundit më shumë se me paqen ngjan me armëpushimin, dhe Shqipëria, falë zgjedhjes së Avokatit të Popullit, ka plotësuar deri tani vetëm 1 nga 12 kriteret e BE për ftesën e anëtarësimit. Të fundit në integrim, të fundit në standarde demokracie, të fundit në renditjen e TIA për korrupsionin, të fundit në cilësinë universitare dhe shëndetësore, të fundit nga politika tek sporti, e përsëri, këto ditë, pushteti politik na fton të jemi krenarë për ata që kemi në krye, që erdhën me premtimin për të na shërbyer dhe po përpiqen të na sundojnë, që alternativat politike i kanë zëvendësuar me pazare biznesi e grupesh interesi, që në pasurimin e tyre me pushtet politik e financiar kanë humbur sensin e masës, janë bërë arrogantë dhe me sjellje mesjetare në mazhorancë dhe opozitë po e trajtojnë shtetin si plackë e shoqërinë si një turmë. 2011 po ikën dhe ne jemi aty ku politika gjithnjë na ka imponuar të jemi: të fundit...por krenarë!

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin