2014, vit ngjarjesh të rëndësishme

2014, vit ngjarjesh të rëndësishme
Kosova në vitin 2014 kaloi nëpër zhvillime të rëndësishme. Që në fillimvit, në 11 janar, në qytetin e Prizrenit, ndodhi ngjarja historike, mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, pas së cilës, në një ceremoni të organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive. Në prag të Vitit të Ri, pas një një kafe mëngjesi në Prishtinë të  kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa e ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi u paralajmërua se mbledhja e ardhshme e të dy qeverive do të mbahet në fund të muajit mars 2015.

rama thaci

Për Kosovën e integrimeve brendakombëtare e euroatlantike, 25 korriku 2014 ishte një ditë tjetër e rëndësishme, kur  në Bruksel  u bë inicializimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që shënonte përfundimin zyrtar të procesit negociator dhe dakordimin e dy palëve mbi tekstin e negociuar të marrëveshjes, ndërsa hapi i ardhshëm, i pritur në 2015-tën, do të jetë miratimi i MSA-së nga Keshilli i Bashkimit Evropian dhe nënshkrimi i marrëveshjes. Ky zhvillim shënon edhe lidhjen e parë formale midis BE-së dhe Kosovës.

Këshilli i BE-së përkrahë nënshkrimin e MSA-së për Kosovën, theksonte në 16 dhjetor qeveria kosovare në një komunikatë ku përshëndeste thirrjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian që Komisioni Evropian të paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur propozimin për nënshkrimin e Marrëveshjes Stabilizim Asocim, si një hap tejet i rëndësishëm përpara.

Në vitin 2014,  27 janar, 12 shkurt e 31 mars u zhvilluan së fundi 3 nga 23 raundet e takimeve në Bruksel, në nivel të lartë, të kryeministrave të Kosovës e Serbisë, të nisura në 19 tetor 2012, në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE-ja e mbështetur nga SHBA, ndërsa takimi i ardhshëm do zhvillohet në fillimin e shkurtit 2015.

Në Kosovë, 2014-ta ishte vit i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, të cilat u mbajtën në 8 qershor pas vetëshpërndarjes së Kuvendit në një mbledhje të jashtëzakonshme në 7 maj, ndërsa qeveria e re u zgjedh në 9 dhjetor nga Kuvendi që përfundoi seancën konstituive një ditë më parë, pas dy ndërprerjeve në 17 korrik e 18 shtator.

Ligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, i miratuar vonë në mbrëmjen e 29 dhjetorit, si një çështje urgjente e kaluar në procedurë të përshpejtuar, është i pari ligj që miratoi Kuvendi i Kosovës i legjislaturës së pestë, i zgjedhjeve të pesta në liri që nga qershori 1999 dhe të dytave pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri tash nga 108 shtete anëtare të OKB-së.

Viti i Ri 2015, i njohjeve të reja që priten për shtetin e ri evropian, i paralajmëruar nga liderët institucionalë e politikë si vit i sfidave dhe sukseseve, në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës u prit e festua edhe nëpër sheshe, si  tradicionalisht nga viti i madh i lirisë 1999, kur në mbrëmjen e 31 dhjetorit mëse 100 mijë njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të kryeqytetit kosovar.

“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet e ATSH nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf