TIRANË- Akuzat për arrestim të paligjshëm të ish-kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për drejtimin e Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri u rrëzuan nga Strasburgu. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur njëzëri se arrestimi i Fredi Belerit dhe vendosja e tij në paraburgim, 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 2023-shit nën dyshimin për blerje votash, ishte i ligjshëm dhe i mbështetur në arsye të mjaftueshme. Duke rrëzuar kështu alibinë e dyshes Berisha-Meta se arrestimi i tij ishte politik dhe se u bë me urdhër të Edi Ramës.
Beleri e fitoi drejtimin e Himarës ndërsa ishte në paraburgim dhe kërkoi të lirohej për të marrë detyrën, çështje që u kthye edhe në një përplasje politike mes Tiranës dhe Athinës.
Por, Strasburgu i dha të drejtë atij për zgjatjen e paraburgimit. Sipas gjykatës, të paktën nga 19 korriku 2023, kur ndaj tij u ngrit akuza mbajtja në burg nuk mbështetej më në arsye të mjaftueshme.
“Gjykata arrin në përfundimin se, të paktën që prej datës 19 korrik 2023, kur ndaj kërkuesit u ngrit akuza, paraburgimi i tij pushoi së mbështeturi në shkaqe të mjaftueshme, në shkelje të nenit 5, paragrafi 3, të Konventës”, thuhet në vendim.
Beleri kërkoi tri herë një masë më të butë. Strasburgu thotë se gjykatat shqiptare i dhanë shumë peshë rrezikshmërisë së veprës penale, por nuk vlerësuan nëse rreziqet që kishin justifikuar paraburgimin në fillim vazhdonin të ekzistonin.
“Për më tepër, gjatë rrëzimit të kërkesave të kërkuesit për rishqyrtimin e masës fillestare të paraburgimit, gjykatat vendase i kushtuan rëndësi të konsiderueshme ‘rrezikshmërisë së veçantë’ të veprës penale për të cilën ai dyshohej, duke e konsideruar atë një argument kyç për justifikimin e vazhdimit të paraburgimit”, thuhet në vendim.
Në vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut thuhet se gjykatat i kërkuan Belerit të paraqiste rrethana të reja për ndryshimin e masës, por pretendimet e tij se ishte zgjedhur kryetar i Bashkisë së Himarës dhe se nuk kishte rrezik të largohej pasi atje kishte familjen dhe biznesin u rrëzuan si të pamjaftueshme.
“Qëndrimi i gjykatave vendase, në praktikë, e zhvendosi barrën e provës te kërkuesi, gjë që ishte e barasvlershme me përmbysjen e rregullit të nenit 5 të Konventës. Kjo dispozitë e konsideron paraburgimin një përjashtim nga e drejta e lirisë dhe e lejon atë vetëm në rastet e përcaktuara në mënyrë shteruese dhe të përkufizuara rreptësishtë”, thuhet në vendim.
“Për më tepër, gjykatat vendase nuk i trajtuan siç duhet pretendimet e kërkuesit lidhur me lidhjet e tij me Himarën, duke i rrëzuar ato thjesht si të pamjaftueshme”, thuhet në vendim.
Në një reagim menjëherë pas vendimit, tashmë eurodeputeti Beleri thotë se paraburgimi i tejzgjatur i privoi të drejtën për të bërë betimin si kryebashkiak i Himarës, ndonëse mandatin do ta humbiste në qershor 2024, kur vendimi i dënimit të tij mori formë të prerë.
“Ky vendim nxjerr në pah problemet serioze në funksionimin e institucioneve në Shqipëri dhe në respektimin e të drejtave të qytetarëve. Paraburgimi im nuk më privoi vetëm nga liria. Ai më mohoi edhe të drejtën për të bërë betimin dhe për të marrë drejtimin e Bashkisë që qytetarët më besuan. Njëkohësisht, u mohoi qytetarëve të Himarës të drejtën për të pasur kryetarin e bashkisë që ata vetë kishin zgjedhur”, deklaroi Beleri.
Për vazhdimin e pajustifikuar të paraburgimit, Shqipëria duhet t’i paguajë Belerit 450 euro për dëm jopasuror, si edhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore.
Më 25 qershor 2024, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me dy vjet burg të Fredi Belerit për korrupsion aktiv në zgjedhje. Gjykata la në fuqi edhe vendimin për bashkë të pandehurin Pandeli Kokaveshi, i cili dorëzoi 40 mijë lekw për 8 vota duke vepruar në emër të Belerit.
Beleri u arrestua më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve vendore, ku garonte për Bashkinë e Himarës nën siglën e koalicionit Berisha-Meta. Hetimi nisi nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave në favor të Belerit.
VENDIMI I STRASBURGUT
E shpall kërkesën të pranueshme.
Konstaton se nuk ka pasur shkelje të nenit 5, paragrafi 3, të Konventës për sa i përket vendosjes fillestare të kërkuesit në paraburgim.
Konstaton se ka pasur shkelje të nenit 5, paragrafi 3, të Konventës, pasi, të paktën nga 19 korriku 2023 e në vijim, mbajtja e kërkuesit në paraburgim nuk mbështetej më në arsye të mjaftueshme.
Vendos që
a) Shteti i paditur t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data kur vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44, paragrafi 2, të Konventës, shumat e mëposhtme, të cilat do të konvertohen në monedhën e shtetit të paditur sipas kursit të këmbimit në fuqi në datën e pagesës.
i. 450 euro (katërqind e pesëdhjetë euro), plus çdo tatim që mund të zbatohet, për dëmin jopasuror.
ii. 5 000 euro (pesë mijë euro), plus çdo tatim që mund t’i ngarkohet kërkuesit, për kostot dhe shpenzimet.
b) Nga përfundimi i afatit tremujor të sipërpërmendur deri në kryerjen e pagesës, mbi shumat e mësipërme të paguhet interes i thjeshtë, me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së vonesës, të shtuar me tre pikë përqindjeje.
Lajm në përditësim...
.png)
kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote
-
Atehere se ishte i drejte ai eshte nje hajdut e per kete nuk duhet te jete eurodeputet dhe duhet ti hiqet mandati se nuk ka nevoje parlamenti europian per kte palaco burre e vrases
Përgjigju







Komente
Komento