TIRANE- Në vitin 2015, numri i praktikave të legalizimit që do të përfundohen nga ALUIZNI do të jetë në total 55 mijë. Në 2016 do të përfundojnë praktikat për 30 mijë legalizime, në 2017 35 mijë, dhe në 2018 parashikohet të përfundojë procesi me 20 mijë legalizimet e fundit.

Është kjo ecuria e procesit të legalizimeve e paraqitur nga Ministria e Zhvillimit Urban në programin afatmesëm “Planifikimi Urban dhe Strehimi”. “Te kryejë procesin e legalizimit dhe përpunimit të informacionit tekniko ligjor për rreth 50.000 praktika legalizimi pasuri informale (realizohet 55% i totalit), urbanizimit dhe ripërcaktimit të kufirit për 70 zona/vendbanime informale ekzistuese dhe përcaktimit të kufirit për 5 zona/vendbanime informale të reja”, thekson programi duke ju referuar planveprimit për vitin 2015.

Për vitin 2016 parashikohet realizimi i procedurave të legalizimit dhe përpunimit të informacionit tekniko ligjor për rreth 30.000 praktika legalizimi pasuri informale dhe urbanizimi i zonave informale, nëpërmjet 1 projekti pilot, në mbështetje të njësive të qeverisjes vendore.

Për vitin 2017 parashikohet përfundimi i procedurave të legalizimit dhe përpunimit të informacionit tekniko ligjor për rreth 35.000 praktika legalizimi pasuri informale (realizohet 85% i totalit) dhe urbanizimi i zonave në zona me ndërtime pjesërisht informale, ndërkohë që për vitin 2018 parashikohet përfundimi i procedurave për rreth 20.000 praktika legalizimi pasuri informale (realizohet 100% i totalit) dhe hartimi i platformës Kombëtare për procesin e urbanizimit dhe integrimit të zonave informale, pas përfundimit të procesit të legalizimit, me qellim urbanizimin, integrimin dhe zhvillimin social -ekonomik të këtyre zonave.

Sipas Ministrisë së Zhvillimit urban, pas legalizimit të ndërtimeve pa leje, urbanizimi i zonave informale mbetet sfida e radhës. Pёrmes Fondit tё Rajoneve në vitin 2014 u realizuan dy projekte pilot njё projekt nё Lagjen Kushtrimi nё Vlorё qё i ofroi qytetarёve rrugё, ndriçim, kanalizime dhe nё zonёn e Kёnetёs nё Durrёs u realizua njё projekt i ngjashёm me njё vlerё investimi rreth 4 milion dollarё. Projektet në fjalë do të shërbejnë për të përcaktuar standardet që do përdoren për urbanizimin e rreth 200 zonave informale të identifikuara në gjithë territorin e vendit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)