2015, Drejtësia e (pa) reformua

2015, Drejtësia e (pa) reformua
TIRANË - Përgjatë një viti nuk munguan akuzat, batutat, debateT dhe ndërhyrja e diplomacisë se si duhej një drejtësi e reformuar, efikase në shërbim të qytetarëve. Reformë e cila pritej që të kalonte përgjatë 2015-ëS për të sjell ndryshimet e shumëpritura. Por pas 365 ditëve ende gjithçka mbeti pezull, pasi reforma nuk kaloi dhe vendimmarrja për ndryshimet në sistemin e drejtësisë, gjykatat, prokurorinë u shty për në 2016-ën.

Pa u dashur shumë kohë të ambientohet me realitetin shqiptar Ambasadori Amerikan Donald Lu zgjodhi të flas troç, jo një, por disa herë duke treguar me gisht të korruptuarit apo duke shigjetuar personat që pengojnë reformimin e drejtësisë.

Në 2015, për herë të parë në dyert e prokurorisë përfunduan zyrtarët më të lartë të shtetit përfshi dhe ish-kryeministrin Sali Berisha pasi emrat e tyre u përfshinë në një atentat të pretenduar nga deputeti Tom Doshi. Denoncimi i Doshit trazoi politikën dhe muajin mars ku në pak ditë prokuroria arriti në konkluzionin e një kallëzimi të rremë duke prangosur deputetin Doshin dhe bashkëpunëtorët e tij deputetin Mark Frroku e Durim Bamin.

Por ky atentat i pretenduar publikisht u zbeh sikundër u zbeh dhe përgjegjësia për këtë inskenim pasi Gjykata e Lartë vendosi ta pezullojë gjyqin pa asnjë  vendim duke e çuar për kompetencë në Gjykatën Kushtetuese.

Pak javë pas akuzës si bashkëpunëtorë me Doshin, deputeti Mark Frroku do të përfundonte sërish në pranga më 2 Prill këtë herë për akuzën e vrasjes për një dosje e cila rihapej pas 18 vite për një ngjarje të ndodhur në Belgjikë ku Frroku akuzohej për vrasjen e Aleksandër Kurtit.

Teksa Frroku shkonte në qeli si deputet vëllai i tij biznesmeni Arben Frroku një ditë më pas më 3 Prill fitoi lirinë për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Nga ajo ditë Arben Frroku rezulton i kërkuar nga drejtësia shqiptare pasi Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi pafajësinë, por biznesmeni u arratis jashtë vendit duke kaluar kufirin nga Muriqani në Kroaci e më pas nuk dihet se ku fshihet prej asaj dite. Edhe mënyra se si Frroku mundi t’ia hedhë drejtësisë duke i shpëtuar arrestit nuk qëndroi jashtë kritikave të hapura për gjyqësorin të kryediplomatit amerikan në vendin tonë.

Pafajësia e dytë që do të habiste jo pak opinion publik i takon ish-guvernatorit Adrian Fullani i cili u prangos, e më pas u gjykua për shpërdorim detyre e abuzim me tenderët në vlerën e 33 milionë eurove.

Kjo pafajësi u certifikua dhe nga Gjykata e Apelit dhe mbetet për tu parë nëse prokuroria do t'i dërgohet me rekurs gjykatës së lartë aty ku gjyqtare është dhe Arjana Fullani bashkëshortja e ish-guvernatorit.

Më 8 mars ish kryebashkiaku Shpëtim Gjika do të certifikonte pafajësinë e fituar nga Gjykata e Shkallës së Parë me një vendim të Gjykatës së Apelit dhe pse prokuroria kish kërkuar dënimin e Gjikës me 4 vite burg.

Gjyqtari Besnik Hoxha më 11 Prill dënoi me dy vite burg Kryebashkiakun Demokrat Xhelal Mziun.

Ky dënim nuk është ekzekutuar kur po mbushet një vit nga dhënia e tij pasi Mziu e apeloi dhe kërkon nga Apeli pafajësinë, verdikt i cili pritet të jepet përgjatë 2016.

Një tjetër vendim i drejtësisë shqiptare që do të komentohej në opinionin publik ishte ai i Konstandin Xhuvanit djalit  të ish-deputetes Luiza Xhuvani, i cili më 11 Maj arriti të shmang burgun përjetë duke përfituar gjykim të shkurtuar dhe pse u akuzua për një ngjarje me 4 viktima.

Proceset gjyqësore me deputetë, politikanë e personazhe publike nuk do të mungonin në Gjykatën e Lartë.

Më 10 Qershor do të mbyllej gjyqi ndaj deputetit Pjerin Ndreu e deputetit që më pas dha dorëheqjen Arben Ndoka të cilët u akuzuan për goditjen me grushte të kolegut të tyre Gent Strazimiri.  Ky proces u mbyll nga gjykata me argumentin se nuk u provuan elementët e veprës penale.

Në sitën e drejtësisë përgjatë 2015-ës kaluan dhe dy kallëzime të kryeministrit Edi Rama ndaj deputetëve Edi Paloka e Arben Ristani të cilët u dënuan nga Gjykata e Lartë me akuzën e shpifjes ndaj kreut të qeverisë.

Pas përfshirjes në një përplasje me armë para drejtësisë përfundoi dhe deputeti Armando Prenga i cili u akuzua për armëmbajtje pa leje e kanosje, proces ky i hapur në Gjykatën e Lartë në pritje të një vendimi.

Nën akuzë përfundoi dhe ish Ministri i Arsimit në qeverisjen e Partisë Demokratike Myqerem Tafaj për të cilin përfunduan hetimet dhe dosja është në Gjykatën e Lartë me një proces të hapur për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Vendime të konsideruara të rëndësishme do të vinin dhe nga Gjykata Kushtetuese  përgjatë 2015, më 17 Prill kjo gjykatë certifikoi ndarjen e re territoriale me 61 bashki dhe rrëzoi kërkesën e PD-s për shpallje të pavlefshme të ligjit për reformën territoriale.

Në të njëjtën ditë në faqen zyrtare të internetit Kushtetuesja do të njoftonte për rrëzimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë kjo e parashikuar në ligjin e ri për policinë e shtetit.

Ndërkohë në këtë gjykatë pritet të vendoset dhe fati i mandatit të deputetit Koco Kokëdhima pasi kjo e fundit shpalli antikushtetues vendimin e parlamentit që kish vendosur për mos dërgimin në gjykatë të kërkesës së opozitës për mandatin e Kokëdhimës.

I klasifikuar si viti anti-korrupsion 2015 do të çonte në bankën e të akuzuarve, gjyqtarë e prokurorë, mes tyre gjyqtarët Rasim Doda, Parashqevi Ademi, Prokurorët Petrit Vukaj, Haxhi Giu dhe Pëllumb Prençi aktorë të drejtësisë të cilët kërkuan para nga qytetarët.

Me kërkesë të prokurorisë nën sekuestro përfundoi këtë vit dhe televizioni AgonChannel pasi pronari i kësaj media biznesmeni Italian Francesco Bechetti u hetua dhe është marrë i pandehur nën akuzën e vjedhjes, pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumenteve.

Becchetti është arratisur prej muajit Shkurt nga Shqipëria dhe prej më shumë se 10 muaj së bashku me administratorin Mauro De Renzis fshihen në Angli ku gjykata Londineze ka nisur një proces për ekstradimin e tyre drejt vendit tonë.

E konsideruar si dosja e “magjistarit të financave” ajo në ngarkim të biznesmenit Kastriot Ismailaj përfundoi në gjykatë me akuzën e mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Në përfundim të hetimeve prokuroria akuzon Ismailajn dhe ish kreun e bordit drejtues të CEZ-shpërndarje Josef Hajsek se vodhën në bashkëpunim paratë e borxheve të CEZ.

Për biznesmenin shqiptar prokuroria arriti të zbardh se në afro një dekadë me anë të kompanive fiktive si DIA dhe ADC kish mundur të bënte transferta në mbi 10 milion euro nga jashtë e brenda vendit para për të cilat nuk justifikohet burimi  dhe ngriti akuzën e pastrimit të parave.

Hetimet të përbashkëta me strukturat anti-korrupsion të qeverisë dhe prokurorisë arritën që përgjatë 2015-ës të zbulonin mbi 20 milion dollar skema fiktive rimbursimi me ilaçet, tatime të papaguara dhe evazion me  karburantet për të cilat tashmë nën akuzë janë ish funksionarë publik dhe biznesmen.

E paralajmëruar nga Prokurori Adriatik Llalla si një vjeshtë e cila do të nxehej nga arrestimet e bujshme, temperaturat në sistemin e drejtësisë u rriten kur papritur dha dorëheqjen ministri i drejtësisë Nasip Naço.

Më 9 nëntor Naco u shkëput nga ky institucion dhe pse një sërë nismash të rëndësishme përfshinë dhe ato të reformës në drejtësi u iniciuan prej tij dhe në këtë dikaster erdhi Ylli Manjani.

Më 17 Mars 2015 për herë të parë në bankën e të akuzuarve përballë drejtësisë u vunë 9 imamët e vetëshpallur të akuzuar për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe rekrutim xhihadistësh për luftën në Siri.

Aktualisht ky proces vazhdon të jetë i hapur dhe pas 33 seancave gjithçka do të vendoset në 2016-ën, aty ku pritet që prokuroria të kërkoj dënimin për 9 të pandehurit.

Por një tjetër proces i konsideruar si dosja e vitit, “Lazarati 2014” është drejt fundit dhe pas 6 muaj proces gjykimi prokuroria kërkoi 110 vite burg.

Mes të pandehurve është dhe Razip Gate Mahmutaj i akuzuar për kultivim e trafik kanabisi dhe kundërshtim me armë të policisë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. /Report TV/

Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025