TIRANË- Pesë anëtarë nga grupi që e kishin kthyer Lazaratin në Kolumbinë e drogës dhe rezistenca e armatosur e tyre ndaj policisë në ndërhyrjen e parë të shtetit në fshatin e kanabisit qershorin e vitit 2014, 1 vit pasi socialistët erdhën në pushtet, do të rigjykohen nga e Para në Gjykatën e Posaçme.
Vendimi u mor në dhomë Këshillimi nga Gjykata e Lartë, më 18 dhjetor, me trupë gjykuese Vojsava Kola, Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri dhe pritet që me zbardhjen e vendimit të mësohen edhe arsyet apo shkeljet procedurale që mund të jenë zbuluar nga vendimet e mëparshme të drejtësisë për atë që u konsiderua grupi i zjarrit në Lazarat.
"GJ.K.R.T 55302-00869-00-2019 GURGAZ SKËNDERI, ENRIK SKËNDERI, ARBJON ALIKO, ALFRED PROKO, BEQO BRAHIMI Nenet 236/2,278/4, 333/a/2, 334 K.Penal ” Prishjen e vendimit Nr. 42, datë 21.05.2019 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar", thuhet në vendim.
Arbjon Aliko, vëllezërit Gurgaz dhe Enrik Skënderi, Alfred Proko dhe Beqo Brahimajn, 5 nga të pandehurit që kundërshtuan me armë punonjësit e policisë, u dënuan nga Gjykata e Krimeve te Rënda në atë kohë, me 52 vite burg në total nga 57 që kërkoi prokuroria. Avokatët kundërshtuan duke kërkuar pafajësi, por i njëjti vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Sërish me pretendimet për pafajësinë e 5 të pandehurve, avokatët bënë rekurs, por supriza në Gjykatën e Lartë ishte vendimi për të kthyer çështjen në pikën zero, me rigjykimin e saj për herë të parë në Gjykatën e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Si epiqendër e rezistencës prej orësh në 2014-ën u bë magazina e Gate Mahmutaj, e cila për nga pozicioni ishte dominant në raport me lëvizjet e policisë, ndërsa një pjesë e grupit u futën edhe në brendësi të fshatit duke zënë pozicione të ndryshme zjarri. I konsiferuar koka organizatore e grupit të zjarrit, Gate Mahmutaj ndërroi jetë në 2021-shin, pas disa vitesh në burg ku kishte marrë dënimin me18 vite.
Grupi në rigjykim janë të vetmit në mesin e të pandehurve që nuk kanë pranuar të kenë lidhje me kultivimin e drogës në Lazarat dhe goditjen me armë ndaj uniformave blu.
Një vit pas ndërhyrjes së parë në fshatin e drogës, policia zhvilloi një aksion të dytë në 2015-ën, ku nga përplasja e armatosur u vra efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha. Edhe kjo çështje e konsideruar Lazarati 2, përfundoi deri në Gjykatën e Lartë, me kërkesën e të dënuarit Ruhan Hiraj për rishikim të dënimit, por trupa gjykuese la në fuqi vendimin e Apelit.