2024 pritet të jetë viti më i nxehtë në histori

2024 pritet të jetë viti më i nxehtë në histori

Foto ilustruese

Shërbimi i BE-së për Ndryshimet Klimatike “Copernicus” thotë se viti 2024 është "praktikisht e sigurt se do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar" ndonjëherë. Kjo agjenci thotë gjithashtu se do të jetë viti i parë gjatë së cilit temperatura mesatare globale do të arrijë në mbi 1.5 gradë Celsius më shumë se nivelet e periudhës para-industriale.

Ky është kufiri që bota pati shpresuar të mos kalohej, sipas marrëveshjes së klimës të Parisit të vitit 2015 që u hartua për të shmangur efektet më të rënda të ngrohjes.

Ndikimet e një klime më të ngrohtë janë parë në episodet ekstreme të motit të këtij viti.

Puna për kërkimin dhe pastrimin ka vazhduar në Spanjën lindore mbi një javë pasi përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e mëdha rrënuan gjithçka dhe shkaktuan të paktën 217 viktima.

Shkencëtarët që përpiqen të shpjegojnë atë që ndodhi, shohin dy lidhje të mundshme me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

Një shpjegim është se ajri më i ngrohur, mbledh dhe më pas shkarkon më shumë reshje.

Një tjetër shpjegim ka të bëjë me ndryshimet e mundshme në rrymat e ajrit mbi tokë që lëvizin sistemet e motit në të gjithë globin, duke shkaktuar motin ekstrem.

Shkencëtarët e klimës dhe meteorologët thanë se shkaku i menjëhershëm i përmbytjeve ishte një sistem stuhish me presion më të ulët, i cili u zhvendos për shkak të rrymave të ajrit tepër të paqëndrueshme.

Sistemi thjesht u ndal mbi rajonin dhe shkarkoi reshjet. Kësaj i shtohet edhe temperatura jashtëzakonisht e lartë e Detit Mesdhe.

"Pra, kemi një masë ajri vërtet të ngrohtë pranë sipërfaqes, të prodhuar nga deti i ngrohur Mesdhe. Dhe kemi një masë ajri më të ftohtë në nivelet e sipërme. Pra, kjo do të thotë paqëndrueshmëri. Pra, ajri është i paqëndrueshëm, vërtet i paqëndrueshëm", shpjegon David Pino, profesor i fizikës në Universitetin Politeknik të Katalonjës.

Bregdeti Mesdhetar i Spanjës është prekur nga stuhitë e vjeshtës që mund të shkaktojnë përmbytje, por ky episod solli përmbytjet më të fuqishme në kujtesën moderne.

Hannah Cloke, profesore e hidrologjisë në Universitetin Reading, thotë se autoritetet ishin të papërgatitura për përmbytjet.

"Është vërtet e vështirë të zgjidhet saktësisht se çfarë i ka shkaktuar këto përmbytje, sepse ka shumë faktorë që kontribuojnë. Po, ka patur vërtet një ngarkesë reshjesh në këtë rajon, sasi vërtet të pazakonta shiu nga ky sistem stuhish. Por në fakt, ka edhe shumë gjëra të tjera që po ndodhin. Jetonin shumë njerëz në vijën e përmbytjeve që po vinin, por paralajmërimet nuk mbërritën tek banorët dhe njerëzit u befasuan nga përmbytjet, ose nuk dinin se çfarë të bënin kur i dëgjuan ato paralajmërime”, thotë profesorja Cloke.

Në fillim të vitit, rajoni spanjoll i Katalonjës pësoi edhe thatësirën më të keqe në histori dhe shpalli gjendjen e emergjencës. Në fillim të shkurtit, alpet italiane ishin pa dëborë dhe patën dimrin më të ngrohtë në historinë e vendit.

Ndërsa thatësira kishte përfshirë Afrikën që nga fundi i vitit 2023, pati përmbytje të pazakonta në vende si Arabia Saudite dhe uraganë të fuqishëm dhe të njëpasnjëshëm goditën Shtetet e Bashkuara.

Në rang global, janari i vitit 2024 ishte janari më i ngrohtë në histori dhe po kështu pritet të rezultojë i gjithë viti./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025