Treshja e gjykatësve Ervin Metalla, Agim Bendo dhe Evgjeni Sinoimeri, vrasjet e kryera nga ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo i kanë konsideruar "vrasje nga pakujdesia", e për këtë arsye kanë dhënë për Prendin 1 vit burgim nga 23 që kërkoi Prokuroria dhe 3 vite burgim për Llupon nga 25 vite të kërkuara.
Seanca është ndjekur nga përfaqësues të OSBE-së, Ambasadës amerikane, Avokatit të Popullit ndërsa interesimit të medias për të ndjekur seancën, gjykata - pa asnjë argument - i është përgjigjur me mbylljen e dyerve.
Në përfundim të seancës, Genc Gjokutaj - avokati i ish-Komandatit të Gardës, Ndrea Prendi, deklaroi se "nuk ishin dakord me këtë vendim. Gjykata e Apelit, sipas tij, ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës ë Parë duke e kthyer në vrasje nga pakujdesia.
Ky ndryshim i vendimit është në kundërshtim me praktikat e gjykatave perëndimore, - tha ai, - " ndaj ne do të ndjekim shkallët supreme të gjykimit. Periudha e qëndrimit në arrest shtëpie nuk është thelbi i problemit; thelbi është se vendimi është i pabazuar.
Po ashtu, edhe Besnik Çerekja - avokati i gardistit Llupo tha për klientin e tij se "do të presim që gjykata të zbardhë motivacionin dhe pastaj do t'i drejtohemi Gjykatës ë Lartë."
Gjykata ka dhënë vendim edhe për Margarit Kumen - shoferin e ish-komandatit të Gardës, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, i pafajshëm.
"A1REPORT!" SIGURON FILMIME NGA SEANCA
Televizioni "A1Report!" ka siguruar pamje nga seanca ku kryetari Ervin Metalla ka lexuar vendimin, pavarësisht se ajo ishte me dyer të mbyllura. Gardistët Prendi e Llupo kanë qëndruar në arrest shtëpie dhe tani pritet të bëhen përllogaritjet për zbritjen e këtyre muajve nga vendimi.
SEANCA E DJESHME, PROKURORIA KERKON 23 DHE 25 VJET BURG PER ISH-GARDISTET
Dje, në Gjykatën e Apelit, Prokurorët kanë kërkuar 23 vjet burg për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendin, që akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt dhe 25 vjet burg për gardistin Agim Llupo.
Kryetar i trupit gjykues ishte Ervin Metalla, i cili u shpreh gjatë seancës së djeshme se vendimi i Gjykatës së Tiranës që i shpalli të pafajshëm gardistët, është në kundërshtim me ligjin, pasi Llupo e Prendi janë fajtorë për vrasjet. Në këtë seancë nuk është paraqitur asnjë nga familjarët e viktimave dhe as nga Garda e Republikës por vetëm përfaqësues të Ambasadës amerikane, OSBE-së dhe Avokatit të Popullit.
Seanca u zhvillua në Gjykatën e Apelit dhe kryetar i çështjes ishte caktuar Agim Bendo; prokurorë ishin Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani. Avokati mbrojtës i Ndrea Prendit ishte Genc Gjokutaj; i Agim Llupos, Besnik Çerekja.
PROKURORET LEXUAN RELACIONIN PERGJATE DY OREVE
Prokurorët Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dume kanë lexuar dje për 2 orë, një relacion në të cilin kanë kërkuar që të mbetet në fuqi kërkesa e bërë nga prokurorët e Gjykatës së Shkallës së Parë për shpllajen fajtorë të të gardistëve, pasi është vërtetuar vrasja prej tyre e dy protestuesve dhe plagosja e shtatë të tjerëve. Seanca ka vazhduar me dyer të mbyllura, në prezencë vetëm të përfaqësuesve të Ambasadës amerikane, OSBE-së dhe Avokatit të Popullit dhe të mungesë të gardistëve, që prej dy vjetësh ndiqnin çdo seancë. Në orën 12:00, kryetari i trupës gjykuese Ervin Metalla ka kërkuar 30 min pushim pasi sëbashku me dy gjykatësit e tjerë ka vendosur t’u drejtojë prokurorëve 12 pyetje sqaruese si psh: A kanë qëlluar në protestë vetëm këta dy gardistë apo dhe të tjerë? Pse nuk është përcaktuar tentativë për vrasje për shtatë protetsuesit e tjerë por është konsideruar plagosje e lehtë etj. Po ashtu, në fund të përgjigjeve, do vendoset edhe për leximin e relacionit të paraqitur nga avokatët mbrojtës.
Redaksia Online
(ar.sh/mag/shqiptarja.com)