Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua rreth vendimit të SPAK, i cili dërgoi për ekspertizë të gjithë materialin e komunikimit në radio në kanalin e Gardës së Republikës më 21 janar 2011, ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ish-prokurori Ervin Karanxha, avokati Rezart Kthupi, avokati Idajet Beqiri dhe analisti Endri Tafani shprehën pikëpamjet e tyre mbi ecurinë e procesit të hetimeve për ’21 janarin’.
Lidhur me vendimin e SPAK për dërgimin e materialit të komunikimit në radio në SHBA, ish-prokurori Karanxha tha se kjo bëhet me qëllim lidhjen e audio-regjistrimit me dëshmitarët dhe gjetjen e të gjithë personave që kanë komunikuar.
“Ekspertiza bën vlerësimin e plotë dhe transkriptimin e saj, që organi procedues ta ketë në mënyrë të shkruar. Madje këto është mirë të jenë të transkriptuara. Sepse ti vërtetë e kupton çfarë shkruhet, por është eksperti që e përcakton. Audioregjistrimi do të lidhet me dëshmitarët. Duhet të gjenden personat kush kanë qenë që kanë komunikuar”, tha Karanxha.
Nda ana tjetër, avokati Kthupi tha se në audioregjistrimin e dërguar nga SPAK në SHBA duhet të ketë edhe komunikime të tjera, që korrespodojnë me veprimet e tjera të kryera nga Garda e Republikës gjatë asaj dite.
Për Kthupin, ky audioregjistrim është e vetmja provë e re, që mund të nxirrte emrin e personit që urdhëroi të hapej zjarr në 21 janar, që çoi në vrasjen e 4 personave.
“Që SPAK ta zgjidhte çështjen e audiopërgjimit pa e çuar në SHBA duhet të kishte kapacitete teknike. Që do të thotë të jesh në gjendje ta marrësh përgjimin dhe ta zbërthesh. Në këtë gjykimin e famshëm për 21 janarin, kjo është e vetmja provë e re. Kjo do të ishte prova nënë e të gjitha provave, që do të tregonte kush është urdhër-dhënësi që të qëllohet. Dhe ky përgjim është e vetmja provë që mund të lidhë ekzekutorin material me urdhërdhënësin. Faktet tregojnë se nuk u qëllua kur protestuesit kaluan gardhin, por kur ishin jashtë gardhit. Që do të thotë se në këtë komunikim duhet të ketë edhe biseda të tjera, që korrespodojnë me veprime të tjera që janë kryer. Dhe nëse ajo prova është kaq e gjatë sa dëgjojmë ne, të jeni të bindur se regjistrimi është i kopsitur”, tha mes të tjerash Kthupi.
Avokati Idajet Beqiri, teksa fajësoi direkt ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për vrasjen e 4 protestuesve në 21 janar, tha se krimi ishte i paramenduar.
Për Beqirin, ngjarja është kryer nga një organizatë kriminale me në krye Sali Berishën. Ai shtoi se Berisha ka bërë çmos për zhdukjen e provave.
Beqiri shtoi se objektiv i gjykimit për 21 janarin është gjetja e urdhëruesve të krimit dhe qëllimi i tij.
“Audioregjistrimi është i gjatë, jo kaq sa paraqitet. Është thuajse i plotë si audioregjistrim. Kur them e plotë, me fillesën e saj, ka edhe momentin që kur ka filluar, që u urdhërua të shkonte te kryeministri Komandanti i Gardës. Dhe pasi ka dalë nga kryeministri, të gjithë veprimet e tij dëgjohen me vëmendje dhe të gjitha urdhrat që janë dhënë dhe si janë përcjellë ato urdhëra. Ato janë të evidentuara dhe dëgjohen qartë në audioregjistrim. Nuk është çështja se kjo është mbretëresha e provave, që është çuar në SHBA. Kemi të bëjmë me një çështje që nuk do gjykohen ekzekutorët. Por vendimi i Strasburgut dhe i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ata çështjen SPAK ja kanë dërguar dhe thonë që ‘nxirrni urdhëruesit dhe qëllimin pse ndodhi ky krim, pse u vranë këta njerëz’. Prandaj edhe kjo është provë e rëndësishme duke u lidhur me të tjerat. Por mund të mos ishte fare kjo si provë dhe çështja e 21 janarit është e zbuluar. Sepse është një krim i bërë nga një organizatë kriminale me në krye ish-kryeministrin dhe me bashkëpunëtor ish-ministrin e brendshëm. Kjo është provuar që në gjykimin e parë, kur vepra u klasifikua si vrasje nga pakujdesia. Marifetet i bënë Gjin Gjonrat me shokë, që Berisha e ka bërë deputet tani. Berisha zhduku vetë të gjitha provat”, tha mes të tjerash Beqiri.
Ndërsa për analistin Endri Tafani, audioregjistrimi i dërguar nga SPAK në SHBA është e vetmja provë direkte që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes.
Megjithatë Tafani tha se duhet pritur interpretimi i ekspertëve për audiopërgjimin, teksa shtoi se ishte i befasuar si kjo provë kishte mbërritur në duart e familjarë të viktimave, përpara se të shkonte në duart e Prokurorisë.
Referuar fshirjes së serverave në Kryeministri gjatë asaj periudhe, Tafani tha se e gjithë situata të jep përshtypjen se ka pasur një dorë të fshehtë që ‘ka lëvizur gurët’.
“Prova duhet të jetë direkte, jo indirekte. Me prova indirekte nuk mund të shkosh gjakundi. Është fakti që interpretohet dhe pastaj kthehet në provë. Për Berishën është e vështirë… Nuk dënohesh me prova indirekte. Pra në këtë moment është e vështirë të shkosh në gjykatë. Pra është e vështirë që të gjesh prova që të lidhin direkt. Kjo përshembull është një provë direkte. Por edhe kjo duhet interpretuar. Sepse po ta shikosh në pamje të parë, duket sikur ai është brenda kufirit të ligjit. Sepse thotë ‘me kalimin e gardhit të hapet zjarr luftarak’. Por duhet të hapësh ligjin specifik të kohës. Ligji specifik i kohës çfarë thotë për rastet kur njerëzit futen në brendësi të një godine të rëndësisë së veçantë. Në atë kohë ka qenë një ligj i 1998 që thoshte se kur ishte rast turme, ti duhet të ishe shumë i kujdesshëm dhe mundësisht të mos qëlloje fare, sepse mund të rrezikoje edhe njerëz të tjerë. Në rastin konkret ajo që më bën mua përshtypje është si nuk ka qenë kjo provë në duart e Prokurorisë dhe si ka arritur të shkojë në duart e familjarëve të viktimave, para se të shkojë te prokuroria. E dyta është edhe çështja tjetër se kush e ka bërë këtë incizim. Pastaj të shkon mendja edhe te pjesa tjetër te fshirja e serverave të kryeministrisë. Duket se ka pasur një dorë të fshehtë, dikush pretendonte të fshinte provat, dikush t’i ruante provat”, tha mes të tjerash Tafani.
SPAK po heton 4 vrasjet e protestuesve në bulevard prej gati 2 vitesh, që prej 15 korrikut 2024 kur regjistroi çështjen pasi Gjykata e Lartë urdhëroi nisjen e hetimeve. Që nga ai momenti SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij. Ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu, pas një përpjekje të dështuar për të zvarritur dëshminë e tij, u paraqit në SPAK më 19 nëntor të vitit të kaluar. Që prej atij momenti asnjë zhvillim i ri nuk është komunikuar nga Prokuroria e Posaçme.
Komente









