21 Janari,  Fehmi Abdiu: 
Drejtësia s‘ka folur pëfundimisht

21 Janari,  Fehmi Abdiu: <br />Drejtësia s‘ka folur pëfundimisht
TIRANË - Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili mban postin e zv.rektorit të Universitetit “Iliria”, Fehmi Abdiu ka dhënë komentin e tij lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për dënimin me një vit burg për ish-Komandatin e Gardës Ndrea Prendin dhe tre vite për gardistin Agim Llupo për vrasjet e 21 Janarit. Abdiu i ka mëshuar faktit se politika, opnioni publik, por edhe media duhet të tregohen të duruar deri në pritje të një vendimi të Gjykatës së Lartë. Duke e konsideruar një çështje me rëndësi të veçantë, ai ka dhënë mesazhin indirekt që  drejtësia të mos ndikohet nga politika.  
 
Zoti Abdiu, si e vlerësoni vendimin që ka marrë gjykata e Apelit për dy të akuzuarit për vrasjen e katër protestuesve më 21 Janar? Është  dhënë një vit burg për Komandatin e Gardës dhe tre vite për gardistit Agim Llupo… 
Pyetja juaj është mjaft e vështirë. Sa është e vështirë është edhe delikate dhe nuk besoj se mund të marrë një përgjigje pozitive ose negative rreth faktit që mund të mbajmë një opinion personal reth vendimit që ju flisini.

Pse thoni është e vështirë?
Them është e vështirë, sepse ajo ka të bëjë me shumë problematika dhe pse duket si problem konkret, ajo ka të bëjë para së gjithash me rëndësinë e çështjes për të cilën ju pyesni. Kjo çështje që në vetvete nuk është thjeshtë një çështje e vogël për dimensionet që ka, është shumë më e rëndësishme sesa shumë çështje.

E veçantë përse?
Ka një rëndësi të veçantë sepse siç e dimë ajo u ndërkombëtarizua, ajo mori përmasa të mëdha. U sensibilizua jo vetëm opinioni shqiptar, por edhe ai ndërkombëtar. Rreth saj kanë shkruar dhe kërkuar përgjigje të sakta mjaft organizma ndërkombëtar të cilat edhe sot presin reagimin e organeve kompetente shqiptare rreth zgjidhjes së saj. Ajo është e një rëndësi të veçantë për shkak se mori dimensione shumë politike, mori shumë ndjeshmëri nga gjithë faktori shqiptar dhe kjo ka të bëjë edhe me pasojat që pati ajo për shkak të faktit se në një ditë të bukur, në një mitig paqësor, mbeten të vrarë katër persona. Ajo ka të bëjë me emërtimin e sistemit të demokracisë shqiptare; ajo ka të bëjë me shumë e shumë faktorë të tjerë kombëtar që lidhen edhe me qëndrime ndërkombëtare.
Por le t’i lëmë mënjanë këto edhe të afrohemi profesionalisht rreth pyetjes tuaj. Kjo çështje është shumë delikate sepse siç kam konstatuar dhe siç kanë marrë vesh të gjithë është debatuar, diskutuar shumë rreth problemeve ligjore që lidhen me të. Është diskutuar dhe është vendosur rreth kualifikimit ligjor të veprës për të cilat janë akuzuar personat konkret dhe pikërisht për këtë të fundit për shkak të qëndrimit që është mbajtur bëhen shumë diskutime. Është delikate edhe për faktet që lidhen me provueshmërinë e akuzës, për të cilën organet e hetimit kanë punuar dhe përfundimisht kanë konkluduar për një akuzë konkrete.

E tillë është edhe për shkak të vështirësive ku janë ndodhur edhe organet që e kanë hetuar këtë çështje dhe gjykatat që kanë dhënë vendime. Fakti që gjykatat kanë mbajtuar qëndrime të kundërta tregon në një farë mase edhe këtë fakt. Tani unë mendoj se ky problem nuk mund të zgjidhet me një qëndrim pro apo kundër vendimit të gjykatës, për faktin se në vendet demokratike ekzistojnë parime që kanë shumë rëndësi për nivelin e demokracisë edhe për mënyrën se si komuniteti, opinioni reagon ndaj drejtësisë. Ajo çështje edhe pse Apeli është shprehur se është vendim i formës së prerë, mbetet çështje në gjykim dhe do të jetë në gjykim patjetër. Pra për këto arsye mendoj që kjo çështje do të mbetet për shumë kohë një shqetësim për politikën dhe për opinionin
publik shqiptar.

Domethënë do të ketë rekurs?
Ajo do të shkojë sigurisht në Gjykatën e Lartë, pasi thelbi i saj ka të bëjë me probleme ligjore, ka të bëjë me kualifikimin ligjor të veprës që është dërguar në gjykatë. Unë them se drejtësia nuk ka thënë akoma përfundimisht vendimin saj. Rreth saj do të vendosë vetëm Gjykata e Lartë. Duke qënë kështu unë do të thoja që qoftë media, opinioni publik, pse jo mbi të gjitha politika shqiptare duhet të bëjnë durim. Duhet të jetë e maturuar e të presë qëndrimin përfundimtar për këtë çështje. Të presë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe vetëm pasi ajo të shprehë vendimin e vet ne të tjerët kemi të drejtë të shprehim konsiderata vetëm për dy vendimet e shkallës së parë dhe të dytë. Nuk dua të shpejtohemi, por të presim Gjykatën e Lartë. E them këtë për arsye se, aq kohë sa çështja është në gjykim, opinionet qoftë indirekte nuk janë gjë tjetër vetëm se presione.

Këto analiza dhe debate që bëhen në studio duket sikur prekin parimin e rëndësishëm të mosndërhyrjes në veprimtarinë gjyqësore. Vetëm pas gjykimit të gjykatës së Lartë mund të flasim më me kompetencë dhe vetëm atëherë mund të bëhen konkluzione dhe të merren ose jo masa. Vetëm vendimi i Gjykatës së Lartë duhet të jetë përfundimtar dhe vetëm atëherë organizmat ndërkombëtar do të jenë në gjendje të vlerësojnë përfundimisht punën dhe veprimtarinë e institucioneve gjyqësore rreth realizimit të drejtësisë për këtë çështje. Ky konceptim që sipas mendimit tim është pasqyruar në nenin 145, paragrafi i dytë i Kushtetutës, kërkon ndaj nesh një mentalitet të ri.

Kush është mentaliteti i ri?
Të jemi më të duruar dhe më të matur. Me këtë nuk dua të them që organet e hetimit dhe Prokuroria nuk duhet ta vështrojë si kritikë punën e tyre, qoftë vetëm për faktin që është zvarritur për tu hetuar dhe zvarritet për tu gjykuar. Në aspektet e tjera që lidhen me shpejtesinë në hetim, transparencën dhe gjykimin çështja lë mjaft për të dëshiruar.

A mendoni se politika ka gisht në vendimet e marra?
Unë nuk dua ta politizoj opinionin tim, sepse nuk u shpreha as pozitivisht dhe as negativisht për vendimin e gjykatës. Profesionalisht dyshoj shumë në përmbajtjen e tij, por shpresoj dhe besoj, duke qenë se vlerësoj më shumë parimin e mosndërhyrjes në veprimtarinë e saj.

Ndonjë thirrje për politikën?
Do të bëja thirrje për maturi derisa ta përfundojë Gjykata e Lartë. Nëse ka ndërhyrje politike në zgjidhjen e çështjes,(unë dyshoj se mund të ketë ndikim politik) por, se sa dhe qysh janë dimensionet e këtij ndikimi, nuk jam në gjendje të gjykoj. E them këtë, sepse politika shqiptare ka dëshmuar disa herë për çështje të asaj, disa herë besoj ka shkelur konceptet bazë për qëndrimet ndaj drejtësisë, duke dhënë një shembull të keq të politikës përpara opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar. Ky i fundit është mjaft i ndjeshëm dhe i përgjegjshëm në qëndrimet ndaj gjyqësorit. Tek ne politika ka sulmuar gjykatat dhe kjo në fund të fundit është e lidhur me nivelin dhe formimin e politikanëve, pse jo edhe me maninë dhe tendencat e liderëve të veçantë për autoritarizëm. Unë këto koncepte i kam konsideruar si të dënueshme ashtu si vetë Kushtetuta.

Rekursin mendoni se do ta bëjnë familjarët?
Nuk besoj. Jam i sigurt se Prokuroria do të bëj rekursin për faktin se çështja edhe kështu si duket, paraqet probleme të rëndësishme ligjore. Nëse në rastin konkret të akuzuarit kanë vepruar me dashje, dashje direkte, dashje indirekte ose padashe direkte ose indirekte apo në pakujdesi në formën e vetëbesimit të neglizhencës, ky është problemi kryesor që ka çështja dhe që lidhet me çështjet e tjera. 

Shkrimi u publikua sot (21.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mblidhet Grupi i PS, Çuçi: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor ende në fazë diskutimi në nivel politik! Seanca plenare dy ditë për shkak të rendit të ngjeshur

Mblidhet Grupi i PS, Çuçi: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor ende në fazë diskutimi në nivel politik! Seanca plenare dy ditë për shkak të rendit të ngjeshur