21 Janari, gati akuza për 7
gardistë, 5 të tjerë në diskutim

21 Janari, gati akuza për 7 <br />gardistë, 5 të tjerë në diskutim
TIRANE- Grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës, që po heton vrasjet dhe plagosjet me armë zjarri të demonstruesve të 21 Janarit 2011, bënë gati komunikimin e akuzave të “vrasjes” për 7 efektivë të Gardës së Republikës me në krye ish-komandantin Ndrea Prendi. E përditshmja "Shekulli" shkruan sot se “ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilëve, prej disa ditësh prokurorët dhe hetuesit e çështjes, po analizojnë provat shkresore dhe shkencore të kësaj dosje për të nxjerr përgjegjësit penale për secilin nga 12 efektivët e Gardës së Republikës që janë ende nën hetim. Por, në mesin e 12 gardistëve, sipas prokurorisë, për 7 prej tyre, të dyshuarit Ndrea Prendi, Agim Llupo, Sadik Çela, Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj, Alfred Ahmetcenaj dhe Margarit Kume, nuk diskutohet dërgimi i tyre në gjyq me cilësinë e të pandehurve. Pasi, është provuar tashmë se me veprimet dhe mos veprimet e tyre gjatë ditës së demonstratës së 21 Janarit 2011, ata kanë konsumuar elementë të veprës penale të “vrasjes në rrethane të tjera cilësues” ndaj dy apo më shumë personave në bashkëpunim; akuzën e “vrasjes në rrethane të tjera cilësues” ndaj dy apo më shumë personave në bashkëpunim të mbetur në tentativë; “shpërdorim të detyrës” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
DOSJA
“Nga analiza e të dhënave hetimore të siguruara gjatë këtyre muajve, si dëshmi, prova materiale apo shkencore është provuar tashmë dhe nuk diskutohet që personi nën hetim Ndrea Prendi me detyrë ish-komandant i Gardës së Republikës do të dërgohet në gjyq me cilësinë e të pandehurit. Ky cilësim, do të bëhet në ditët në vazhdim ku do të akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt dhe “vrasjet e mbetura në tentativë” për demonstruesit e tjerë, pasi ka rezultuar se ka ditën e 21 janarit ka qëlluar drejt turmës me pistoletën e tij personale. Përveç kësaj akuze, mbi Prendin do të rëndoj edhe vepra penale e “shpërdorimit të detyrës” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi ka fshehur dhe manipuluar tytën dhe gjilpërën e pistoletës së tij. Po për këto dy veprat e fundit penale, do të akuzohet dhe dërgohet në gjyq me cilësinë e të pandehurit edhe shoferi i tij personal Margarit Kume”-thuhet nga prokuroria. Edhe i personi nën hetim, Agim Llupo do të përfundoj në gjyq, me cilësinë e të pandehurit i akuzuar për vrasjen e gjirokastritit Ziver Veizi. Të dyshuarit Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj, mësohet se do të akuzohen për “vrasjes në rrethane të tjera cilësues” ndaj dy apo më shumë personave në bashkëpunim të mbetur në tentativë, pasi ditën e demonstratës kanë qëlluar drejt turmës me 74 plumba luftarak. Sipas këtyre burimeve, i shtati efektivë i Gardës së Republikës që pritet të dërgohet në gjyq dhe që për prokurorin, është i padiskutueshëm marrja e tij si i pandehur është Shefi i Njësisë Speciale pranë Gardës së Republikës personi nën hetim Alfred Ahmetcenaj, pasi kishte për detyrë të udhëzonte grupin e zjarrit, që mos të qëllonin pa urdhrin e tij.

ENDE NE DISKUTIM
Gjithashtu, burimet pranë organit qendror të akuzës, saktësuan se prokurorët e çështjes ende nuk kanë vendosur për përgjegjësit penale për secilin nga pesë drejtuesit e njësive pranë Gardës së Republikës. “Në ditët në vazhdim, do të analizohen provat materiale dhe më pas do të vendoset për përgjegjësit penale për shtetasit nën hetim Dashamir Shehi, Aleksandër Dede, Altin Kollçinaku, Fatos Bushati dhe Agron Malaj. Të gjithë këta persona, tashmë janë marr në pyetje me cilësinë e personave që janë nën hetim dhe pritet që ndaj tyre të vendoset nëse do të dërgohen në gjyq me cilësinë e të pandehurve apo do të pushohet çështja ndaj tyre”-thanë burimet pranë zyrës së kryeprokurores Ina Rama.

Hetuesit e çështjes së 21 Janarit, kanë ngritur dyshime të cilat po diskutohen, që ndaj Prendit të ngrihet edhe akuza e vrasjes së demonstruesit Aleks Nika, pasi vendi i plagosjes së tij, ka qenë i afërt me vendin ku u vra demonstruesi Faik Myrtaj. Ndërsa, për gardistin Agim Llupon, dyshohet se ai mund të ketë vrarë edhe demonstruesin Hekuran Deda dhe plagosur dëshmitarin Fatos Mahmutaj. Por, këto dyshime ende nuk janë konkretizuar nga ana e prokurorëve që po hetojnë pasojat e demonstratës së 21 Janarit 2011 të ndodhura në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë kryeministrisë.

EFEKTIVET E GARDES NEN HETIM
Ndrea Prendi, Komandant i Gardës së Republikës, nën hetim
Agim Llupo, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, i arrestuar
Sadik Çelaj, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim
Mark Nikolli, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim
Gazmend Ahmetaj, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim
Alfred Ahmetcenaj, Komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim
Margarit Kume, efektivë i Gardës, me detyrë shofer personal i ish-komandantit Prendi
Dashamir Shehi, Komandant i Njësisë nr.2 të Gardës së Republikës, nën hetim
Aleksandër Dede, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim
Altin Kollçinaku, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim
Fatos Bushati, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim
Agron Malaj, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim
Armando Kasaj, inxhinier IT-së pranë Këshillit të Ministrave
(Shkrimi i Flamur Vezaj u botua sot ne gazeten Shekulli)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës