FIER - Skënder Gjinushi, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe një nga aleatët kryesorë të Partisë Socialiste, e ka cilësuar të turpshëm dhe tallës qëndrimin e Europës pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që i dha pafajësinë dy prej të akuzuarve për vrasjen e 3 protestuesve socialistë më 21 Janar 2011. “Këtu është edhe turpi i Evropës, disa që flasin në emër të saj që ende tolerojnë dhe ende flasin për procese të rregullta ligjore dhe nuk kërkojnë largimin urgjent të kësaj qeverisje. Thonë që kanë të drejtë apelimi, sikur ne nuk e dinim që ka gjykata apeli. Të tilla qëndrime tallëse mbahen fatkeqësisht edhe nga përfaqësues të Evropës”, tha Gjinushi gjatë një aktiviteti politik që zhvilloi sot në qytetin e Fierit.

Sipas Gjinushit, vendimi i fundit i Gjykatës së Tiranës “tregon qartë se këtu sistemi gjyqësor përballë politikës është i falimentuar, pra ai nuk është më për të ndëshkuar vrasësit por është kthyer në një institucion ku politikanët pasi kanë vrarë popullin e vet, shkojnë dhe marrin një çertifikatë virgjërie dhe e nisin nga e para. Këtu është vrarë edhe deputeti në prag fushate, është vrarë qytetari në mes të Tiranës dhe këtë krim e ka marrë përsipër kryeminili Berisha, i cili hapur ka thënë: mirë ja u bërë dhe kështu do t’ja bëj edhe kryetarit të opozitës në rastin më të parë”.

Duke iu rikthyer 21 Janarin, Gjinushi tha: “Ambasadori amerikan është shprehur se jeni ju shqiptarët që për ngjarjen e 21janarit nuk reaguat, ndërsa popujt e tjerë nuk mund ta durojnë këtë, ju qofshi që duroni kaq shumë”.

Duke u fokusuar në politikën e brendshme, Gjinushi tha se Qeveria e Berishës nuk ka fituar as në 2005 dhe as në 2009 me votë popullore, por “ka mundur të qeverisë vetëm nga çarja e të majtës, nga pazaret dhe nga trafiku, duke filluar nga Agrarja dhe deri të LSI, që pasi mori votat e të majtëve, kërkoi votë për të shkulur Saliun por na e nguli edhe 4 vitë të tjera në krye të vendit. Këto katër vjet nuk kanë qenë për integrimin e Shqipërisë por për ç’integrimin e saj, kanë qenë katër vjet të Sali Gërdecit dhe Ilir Floririt”.

(kth/im/shqiptarja.com)