TIRANE - Në ambientet e Kryeministrisë është mbajtur ceremonia përkujtuese për katër viktimat e 21 janarit 2011. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka mbajtur një fjalim përkujtues në kujtim të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt, përpara familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Gjonaj tha se rithemelimi i institucioneve të drejtësisë do ndikoj në përfundimin e hetimeve, duke nxjerrë fajtorët para drejtësisë. Sipas saj, sot Shqipëria nuk është e tradhtuar nga ata që e qeverisin por nga njerëzit që duan drejtësinë dhe luftojnë korrupsionin.

Fjala e plotë:

 

7 vite nga 21 Janari dhe asnjë person nuk është burgosur për 4 personat e vrarë para kryeministrisë. Edhe pse familjarët janë drejtuar Strasburgut janë pranuar se ka pasur probleme gjatë hetimeve, Strasburgu vendosi për dëmshpërblim ndërsa gjyqësori shqiptar ka vendosur të rifilloj.

4 njerëz të zakonshëm protestuan për të drejtat e tyre por u vranë padrejtësisht. Një gjë e vetme peshon sa një gurë i rëndë, të dashur familjar të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik, Myrtës, Aleks, Nikës nuk e di si ta lehtësoj këtë dhimbje, por sot largimi i prokurorëve, rithemelimi i institucioneve të drejtësisë do të ndikojë për të zbardhur ngjarjen.

Ju siguroj ju të gjithë njerëzit e këtij vendi se sot nuk është më fjala boshe e foltoreve të Qeverisë, por është misioni i panegociueshëm. Nuk është më një lojë pushteti. Do të vazhdoj të kërkoj me vendosmëri përfundimin e vrasjes së Aleks Nikës dhe do të kërkojmë rihapjen e procesit gjyqësor.

Pranoni të dashur miq shprehjen e respektit tim më të thellë për fisnikërinë që përballoni dhimbjen. 

Familjarë të Ziver Veizit, Hekuran dedës, Faik Myrtajt, Aleks Nikës, sot e kësaj dite nuk keni gjetur drejtësi, nuk keni gjetur paqe për shpirtrat e tyre, nuk janë ndëshkuar vrasësit dhe urdhëruesit e tyre. Nuk e di sa e lehtëson këtë peshë fakti që sot ka shumë më tepër shpresë për drejtësi.

Reformimi i drejtësisë, largimi i prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar, nuk është më një ëndërr me sy hapur, por një proces i nisur, i pakthyeshëm, i pandashëm. S'do heshtim në përpjekjen tonë derisa drejtësia të bëjë drejtësi. 

 

 

Shqipëria sot nuk është e tradhtuar nga ata që e qeverisin. Sot beteja me krimin dhe korrupsionin nuk është një lojë me pushtetin. Do të kërkojmë përfundimin e hetimeve për 4 të vrarët e 21 Janarit.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com