Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli lidhur me incidentin e ndodhur gjatë eventit të mbrëmshëm ku u interpretua një këngë me përmbajtje nacionaliste kundër Kosovës.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian, kreu i qeverisë e cilësoi këtë veprim si të papërshtatshëm dhe theksoi se ai nuk duhet të kalojë në heshtje.
Rama theksoi se incidente të tilla nuk duhet të rikthejnë tensionet e së kaluarës në rajon.
“Më lejoni të them diçka para se ti përgjigjem pyetjes suaj të drejtpërdrejtë për një të keqe që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimtë apo rezultat i injorancës, apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi. U interpretua nën titullin e bukur melodik të unitetit.
Nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por ka të bëjë me nevojën që të mos lihet të kalojë në heshtje asgjë që na bën të kthehemi në të shkuarën. Unë kam qenë avokat prej shumë vitesh, për sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë, për ta mbajtur Serbinë në anën tonë, në anën e Europës, pra të mos shkojë në të kundër të kësaj bindjeje. Por në të njëjtën kohë është e rëndësishme që të mos lëmë hapësirë për betejat mesjetare. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilën po flasim”, tha mes të tjerash Rama.
Lajm në përditësim..
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Brukseli, ku po zhvillohet Forumi për Zgjerimin, për protestat e zhvilluara gjatë këtyre muajve në Tiranë.
Rama tha se pas ‘revolucionit flamingo’ qëndron ‘hija e Donald Trump’ dhe kjo sipas tij ka bërë që e gjithë bota të mësojë për protestat në Shqipëri.
Më tej kryeministri Rama i cilësoi protestat si ‘revolucion i pritshmërive më të larta’, në një kohë kur sipas tij, ekonomia e vendit po zhvillohet me ritme të shpejta. Në përfundim kryeministri Rama shprehu kënaqësinë që ishte në të njëjtin forum me përfaqësues të Malit të Zi, shtet për të cilin tha se ‘është objekt i xhelozisë sonë’.
“Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit, ka qenë publike gjerësisht. Revolucioni flamingo tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, sepse pas ishte hija e Donald Trump. Sepse s’jam shumë i sigurt se nëse nuk do të ishte Trump, do të donte t’ja dinte kush për Flamingot në Shqipëri. Është një Shqipëri e re që kërkon më shumë. Ajo që Tokvill e quajti ‘revolucioni i pritshmërive më të larta’. Njerëzit kanë plotësisht të drejtë legjitime për të kërkuar më shumë. Ky është fakti pse jemi kaq të lidhur ngushtë me BE-në, që ka qenë shumë dobiprurës në vetvete. Kjo është qasja ime e parë. Është nder të jemi me Malin e Zi, sepse ata janë më të vegjlit, por edhe objekt i xhelozisë sonë”, tha mes të tjerash Rama.











Komente
Komento