21 janari, i pesti i "Grupit të
zjarrit, si u fshine pamjet

21 janari, i pesti i "Grupit të<br />zjarrit, si u fshine pamjet
TIRANE- Dy të përditshmet shqiptare, Shekulli dhe Shqip shkruajnë sot se grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës ka identifikuar gardistin e pestë të “grupit të zjarrit” të cilët në demonstratën e 21 janarit 2011 kanë qëlluar 117 plumba luftarak drejt turmës së demonstruesve. Ndërkohë që ekspertiza e ka gjetur gjurmët e fshirjes së pamjeve nga serveri i kryeministrisë.

I PESTI I GRUPIT TE ZJARRIT, SHOQERUESI I PRENDIT
Gazeta Shekulli shkruan sot se personi i pestë është Ilir Duraku me detyrë ish-shoqërues i ish-Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, I cili ka qëlluar me armën e tij personale 12 plumba luftarakë. Ilir Duraku së bashku me pjesëtarët e grupit të “zjarrit”, shtetasit Agim Llupo, Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj dhe Sadik Çela, kanë qëlluar në total 117 plumba luftarak drejt turmës së demonstruesve.
“Sipas akt-ekspertimit balistik e krahasues të datës 8 Shkurt 2011, është arritur në konkluzion se nga 131 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë, konkretisht në pjesën veriore të ndërtesës (në krah të piramidës) 117 copë janë qitur nga gjashtë armët automatike të llojit “MP-5A2” dhe “MP-5A3”-thuhet në raportin e Policisë Shkencore të Ministrisë së Brendshme, raporton Shekulli.
Këto 6 armë janë sekuestruar në magazinën e armëve të Gardës së Republikës, së bashku me 45 armët automatike, që ditën e demonstratës së 21 Janarit 2011 ishin në përdorim nga efektivët e këtij institucioni.
GRUPI I ZJARRIT
“Sipas raportit të ekspertimit balistik e krahasues, është provuar se i dyshuari Agim Llupo ka qëlluar drejt turmës me dy armët automatike që kishte në përdorim duke shkrepur 31 plumba luftarak. Ish-zv/shefi i Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës Agim Llupo ndodhet i izoluar në qelin e paraburgimit, akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit. Nga tyta e armës së të dyshuarit Gazmend Ahmetaj kanë dal 46 plumba.
Mark Nikolli ka shkrepur 18 plumba luftarak, gardisti Sadik Çela 10 plumba dhe shoqëruesi i ish-komandantit shtetasi Ilir Duraku 12 plumba luftarak”-thuhet në raportin që ndodhet i administruar në dosje.
Nga ana tjetër, është konfirmuar nga prokuroria se shtetasi Ilir Duraku nuk ka qenë pjesë e grupit të “zjarrit” ditën e demonstratës së 21 Janarit 2011, por, prej kohësh ai kryente detyrën e “shoqëruesit” të ish-komandantit të Gardës Prendi, tashmë nën hetim për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj.
AKUZAT
Janë ende të të paqarta akuzat ndaj ‘grupit të zjarrit”. Burime të prokurorisë I kanë thënë Shekullit se edhe pse është provuar se gardistët e njohur si “grupi i zjarrit” ka qëlluar me armë zjarri, ndaj tyre nuk mund të ngrihet akuzë direkt për vrasje, pasi nuk e provohet se kanë vrarë njeri”
Sipas prokurorisë, ndaj personave që është provuar se kanë qëlluar me armë zjarri por, që nuk është provuar se kanë vra njeri, pritet t’i komunikohet akuza e “shkelje të rregullave mbi përdorimin e armëve të zjarrit”; “shpërdorim të detyrës” në bazë të Kodit Penal Ushtarak; “shpërdorim të detyrës në kuadrin komandues” po sipas Kodit Penal Ushtarak.
GJENDEN GJURMET E FSHIRJES SE SERVERIT TE KRYEMINISTRISE
Ndërkohë gazeta Shqip shkruan sot se prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë ekspertizën e kryer nga laboratori i Ministrisë së Brendshme, nga të cilat është sqaruar i gjithë mekanizmi i regjistrimit, kopjimit, fshirjes dhe zhdukjes së këtyre pamjeve. Filmimet mund të hidhnin dritë mhi mënyrën e veprimit të forcave të Gardës së Republikës gjatë demonstratës. Ekspertiza është kryer te disa kompjutera të sekuestruar në Kryeministri dhe në banesën e IT, Armando Kasa. Sipas ekspertizës pamjet u morën nga serveri dhe u hodhën në USB dhe në CD, dhe më pas janë shpërndarë te disa persona.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë