21 janari, Kume rikthehet
sërisht në gardë

21 janari, Kume rikthehet<br />sërisht në gardë
TIRANE- Menjëherë sapo gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e prokurorisë për rikthimin në burg të shoferit të ish-komandatit të gardës Ndrea Prendi, Margarit Kume ka rifilluar sërisht punën e tij pranë Gardës së Republikës. S’ërisht me detyrën e shoferit, ai është paraqitur pak kohë më parë pranë repartit të gardës, ku ka filluar punën e lënë përgjysmë, pasi prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e tij në muajin Janar të këtij viti. Margarit Kumes, në 8 shkurt gjykata e Apelit i caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” pranë prokurorisë së Tiranës. Mirëpo duke qënë se në kërkesën e prokurorisë kërkohej vetëm kthimi në burg i tij dhe jo pezullimi nga detyra deri në përfundim të hetimeve, të dyshuarit si i implikuar në fshehjen e provave të 21 janarit i ka lindur e drejta për të rifilluar detyrën e ndërprerë për rreth tre javë. Lajmi për rikthimin në punë të Margarit Kumes konfirmohet nga prokuroria e Tiranës, burime pranë së cilës thanë se dy ditë më parë shoferi i Ndrea Prendit është paraqitur pranë një Oficeri të Policisë Gjyqësore, duke respektuar kështu vendimin e gjykatës së Apelit e cila i caktoi Kumes të paraqitej një herë në dy javë pranë organit të akuzës kryeqytetase. Pikërisht gjatë detyrimit për paraqitje para oficerit gjyqësor është mësuar dhe rrikthimi në punë i tij.
KUME SERISHT NE GARDE
Shoferi i ish-kreut të Gardës së Republikës Ndrea Prendi akuzohet nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të Shpërdorimit të detyrës dhe kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Pavarësisht këtyre akuzave, pas tre javë mungese në punë, ushtaraku është rikthyer sërisht në detyrën e tij të mëparshme. Të pyetur nëse rikthimi në gardë i të akuzuarit Margarit Kume, do sillte probleme në kërkimin e provave në këtë repart nga ana e prokurorisë, burime pranë kësaj të fundit u shprehën se një gjë e tillë s’përbën asnjë problem për hetimin e ngjarjes së 21 janarit. Sipas anëtarëve të grupit hetimor të dosjes “21 janari” në Gardën e Republikës janë ekzaminuar të gjitha materialet që prokuroria ka menduar se përbënin prova të vleshme për zbardhjen e katër vrasjeve të demostratës. “Veprimet për fshehjen e provave janë bërë në ditët e para pas ndodhjes së demostratës. Tashmë garda vashdon të fshehë prova, që ne mendojmë se janë pamjet filmike të kamerave të kryeministrisë, por jo armët që janë përdorur në 21 janar”-shprehen burimet pranë prokurorisë.
NDRYSHIMI I TYTAVE
Gardisti Margarit Kume, akuzohet nga prokuroria se pas ngjarjes së 21 janarit të ndodhur në bulevard, ka bërë ndryshimin e tytave të pistoletës së tij, me atë të ish-kryekomandatit të gardës Ndrea Prendi. Prokuroria nuk është në gjëndje të vërtetojë nëse ndryshimin e ka bërë Margarit Kume, apo Ndrea Prendi, i cili në demostratën e 21 janarit ka qëlluar me 11 plumba, ku me një prej të cilëve ka vrarë shtetasin Faik Myrtaj nga Fieri. Ka qënë ekspertiza e FBI-së ajo që ka zbuluar ndryshimin e tytave të pistoletave “Bereta”, gjë e cila ka sjellë dhe arrestimin e Ndrea Prendit dhe shoferit të tij Margarit Kume.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane