TIRANE - 21 Janari është rezultat i një politizimi ekstrem. Kështu ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë intervistës në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në televizionin A1 REPORT! me moderator Ilir Babaramon. Meta theksoi se kjo çështje duhet të zbardhet plotësisht përmes një procesi të plotë ligjor. Duke iu referuar apelimit të vendimit të Gjykatës për shpalljen të pafajshëm ndaj ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish-gardistit Agim Llupo, Meta e cilësoi si hapin e parë në procesin e gjatë të 21 janarit. Fjala e fundit vijoi Meta, do të thuhet vetëm kur procesi të përfundojë.

Ndërkohë që në lidhje me manipulimin që Prokuroria pretendon se është bërë më provat e demonstruesit të vrarë, Ziver Veizi nga eksperti Ndoc Çardaku, duke theksuar se është i papranueshëm, Meta tha se duhet të verifikohet dhe të pritet që drejtësia të japë verdiktin e fundit.

NACINALIZMI, META: S'KA MEMO ZYRTARE NGA SHBA
I pyetur nga gazetari Ilir Babaramo për ‘memon’ e SHBA drejtuar qeverisë shqiptare, përmes së cilës SHBA-të shprehin shqetësim për notat e theksuara të nacionalizmit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se nga Shtetet e bashkuara të Amerikës nuk ka një memo zyrtare. Në këtë kuadër Meta doli në mbrojte të kryeministrit kur deklaroi se patriotizmi i tij nuk është i dëmshëm dhe se qeveria ka qenë e përmbajtur në qëndrimet e saj.

“Qeveria preket më pak se ajo ka qenë e përmbajtur në qëndrimet e saj gjen pak mundësi për të kritikuar në politikën e saj rajonale apo me fqinjët”, deklaroi Meta.

META: NACIONALIZMI, PENGESE PER INTEGRIIN, BERISHA THA FAKTE TE VERTETA HISTORIKE
Në fokus të intervistës u vendos edhe patriotizmi i shprehur nga Kryeministri Berisha, cilësuar nga SHBA-të si nacionalizëm. Meta tha se është pikërisht nacionalizmi një ndër pikat kyçe që po pengon procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Është e qartë se në rajonin tonë, dy janë alternativat të cilat ndeshen me njëra-tjetrën, realizimi i proceseve drejt integrimit evropian, tjetra është problematike dhe me kosto për të gjithë, ajo e nacionalizmit. Është një fakt që procesi i zgjerimit po përjeton një situatë delikate”, tha Meta.

Megjithatë, kreu i LSI nuk u tregua i qartë kur nga njëra anë e përmendi nacionalizmin si pengesë në rrugën e integrimit dhe nga ana tjetër, i cilësoi deklaratat e Berishës në kontekstin e historisë. “Berisha ka folur në 100-vjetorin e Pavarësisë në Vlorë, në kontekstin e historisë për një hapësirë të tillë ku kanë jetuar shqiptarët në trojet etnike dhe nuk ka pasur qëllim për të ngritur pretendime të tjera të cilat mund të keqkuptoheshin. Nuk ka thënë të pavërteta për sa i takon të kaluarës”, deklaroi Meta.

ilir meta babaramo
(Në foto, Kreu i LSI Ilir Meta dhe gazetari Ilir Babaramo në studion e emisionit "5 Pyetjet nga Babaramo")

INTERVISTA E ILIR METES NE "5 PYETJET NGA BABARAMO"

Çfarë mendimi keni për vendimin e gjykatës për procesin e 21 janarin?
Mendoj se vetë 21 janari është rezultat i një politizimi ekstrem dhe nuk mendoj se një vlerësim i yni do të ndihmonte në depolitizimin e këtij procesi. Ne mendojmë se kjo çështje duhet të zbardhet plotësisht përmes një procesi të plotë ligjor dhe me sa kuptohet ky është vetëm një ndaj këtij procesi do të ketë hapa të tjerë ligjor ndaj është e parakohshme të shprehemi për këtë çështje .

Thatë politizim. Vendimi i gjykatës ka qenë i politizuar?

Nuk është qëllimi për të paragjykuar apo vlerësuar vendimin e gjykatës. Kur flas për proces gjyqësor kemi parasysh tërësinë e tij. Kemi konsumuar një hap, janë disa të tjera më superiore kështu që mendoj se duhet pritur me shumë qetësi por edhe me mirëbesim tek drejtësia

Më bën përshtypje një fakt tek pretenca ku akuzohej ekspertiza se kishte manipuluar provat. Ç’mendim keni për këtë fakt ?

Kam dëgjuar edhe unë më shumë përmes mediave për një pretendim të tillë. Është çështje që duhet të verifikohet dhe natyrisht është e papranueshme që të manipulohen provat aq më tepër në një proces të rëndësishëm si ky që po flasim .

Është normale që gjykata të hedh posh ekspertizën e FBI-së dhe merr për bazë ekspertizën e një eksperti shqiptar ?

Ende nuk e kam lexuar plotësisht vendimin e gjykatës. Janë disa shkallë, do të ketë shkallë të tjera. Prokuroria lexon vendimin e gjykatës rivlerëson vendimin e saj dhe në këtë mënyrë mendoj se do të shkohet drejt një vendim sa më të pjekur në fund fare .

Ambasadori Arvizu u shpreh për vendimin e gjykatës se jemi të tronditur , zoti Berisha nuk preferoi ta komentoj deklaratën e ambasadorit. Ju e komentoni këtë deklaratë ?

Nuk do doja ta komentoja këtë deklaratë sepse u takon atyre që e kanë bërë ta komentojnë dhe ekziston një koment më i gjerë që ka të bëjë me një qëndrim të ambasadorit, një ditë mbas kësaj deklarate mbas takimit me kryeprokurorin. Mendoj që qëndrimi i tij ka qenë kompleks dhe dihet që Shtetet e Bashkuara janë investuar në këtë proces pas kërkesës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe janë të interesuara që kjo çështje të marrë një zgjidhje sa më të drejt ligjore .

Kemi dy ministra dhe gjykatën e Tiranës që e konsiderojnë deklaratën e ambasadës amerikane si ndërhyrje në punës e drejtësisë shqiptare, ju si e shikoni këtë qasje të ekzekutivit?
Nuk kemi të bëjmë me një qëndrim të qeverisë. Ka vlerësime të caktuara nga përfaqësues të caktuar të qeverisë dhe kjo është normale por është e qartë që edhe qëndrimi i qeverisë ka të bëjë me atë që drejtësia nuk duhet të ndikohet nga presione të ndryshme dhe që ky është një proces, për të cilën duhet thënë fjala e fundit kur ky proces të përfundojë, nuk ka përfunduar.

Flasim për SHBA për atë që u konsiderua nga opinioni publik si një memo që i tërhiqte vëmendjen autoriteteve shqiptare lidhur me nacionalizmin. Kishim një deklaratë fillimisht të z. Panariti, që nuk ka një memo zyrtare, ndërsa në një interviste dje e pranoi që ka pasur “pika bisedimi” përse ky qëndrim i dyfishtë i z. Panariti?

Unë mendoj se qëndrimi i z. Panariti ka qenë shumë i qartë. Pra ai është shprehur qartë që nuk ka një memo zyrtare, pra, nuk ka një dokument i cili mban stampën e SHBA. Për mua që kam qenë edhe në detyrën e ministrit të jashtëm dhe për shumë të tjerë besoj se kjo është e qartë, ata që nuk duan ta kuptojnë kanë qëllime të tjera. Ndërkohë që, është e qartë dhe nga kjo që ju thatë por edhe nga ato që ne kemi dëgjuar, dhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, z. Arvizu, dhe nga përfaqësues të departamentit të shtetit dhe në prononcimet publike se ata i shqetëson një rritje e dozave nacionaliste në retorikën e politikanëve shqiptarë në përgjithësi dhe kjo rrezikon të zhvendosë vëmendjen dhe përgjegjësitë e politikës shqiptare nga prioritet kryesore që ka vendi, e sidomos nga përmbushja e angazhimeve për integrimin evropian, dhe jo vetëm kaq por rrezikon të zbehë atë rol të shkëlqyer dhe shumë të vlerësuar të Shqipërisë si faktor konstruktiv në politikën rajonale. Ndaj mendoj se këto shqetësime kanë qenë e mbeten të mirëpritura në kuptimin se ka vend dhe hapësirë për të reflektuar, jo vetëm kaq por edhe për të izoluar të gjithë ata të cilët përpiqen të ndezin dhe një zjarr të panevojshëm, jo vetëm në Shqipëri por dhe në rajon.

Lexoni vazhdimin e intervistës

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)