Vetëm katër ditë nga përfundimi i mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ODIHR kërkon të dijë nëse puna e komisionit do të vijojë edhe pas 30 nëntorit. Në përgjigje të kërkesës për dërgimin e ekspertëve, ODIHR u ka kërkuar dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, të sqarojnë nëse parashikohet shtyrja e afatit dhe për sa kohë. ODIHR kërkon gjithashtu të dijë se për cilat projektligje nevojitet ndihma e ekspertëve, cilat rekomandime synon të zbatojë komisioni dhe kur pritet të përfundojë hartimi i projektligjeve. Për shkak të kohës së kufizuar, ODIHR kërkon një përgjigje sa më të shpejtë për të përcaktuar se si mund ta ndihmojë komisionin.

Letra e plotë e ODIHR-it drejtuar Damian Gjiknurit dhe Oerd Bylykbashit, e përkthyer në shqip:

Të dashur Damian dhe Oerd,

Shpresoj të jeni mirë.

Ju falënderojmë për letrën tuaj, të marrë sot, lidhur me vendimin e Komisionit të datës 17 nëntor, përmes të cilit kërkohet caktimi i ekspertëve të ODIHR-it. Duke pasur parasysh kohën e shkurtër të njoftimit dhe me qëllim që ta shqyrtojmë plotësisht kërkesën dhe të identifikojmë ekspertët e përshtatshëm, do t’ju ishim mirënjohës për sqarime mbi pikat e mëposhtme:

- A mund të na bëni me dije kalendarin e parashikuar për angazhimin e ekspertëve, përfshirë etapat kryesore dhe datën e pritshme për përfundimin e hartimit të projektligjeve?

- A mund të specifikoni projektaktet dhe çështjet konkrete për të cilat kërkohet kontributi i ekspertëve, përfshirë rekomandimet e ODIHR-it që Komisioni synon të adresojë?

- Duke pasur parasysh se mandati i Komisionit përfundon më 30 nëntor 2026, a mund të na sqaroni nëse ky afat është përfundimtar apo parashikohet një zgjatje e tij dhe, nëse po, për sa kohë?

Duke marrë parasysh kohën e kufizuar që ka mbetur, do ta vlerësonim një përgjigje sa më të shpejtë për këto pika, në mënyrë që të përcaktojmë formën më të përshtatshme të mbështetjes.

Përshëndetje të përzemërta nga Varshava.


Lajmi kryesor:

Katër ditë nga përfundimi i afatit për Reformën Zgjedhore, ekspertët e Venecias në Tiranë, takohen me Gjiknurin e Bylykbashin! ODIHR kërkon sqarime për afatin e komisionit dhe projektligjet