TIRANE - Dy prej gjyqtarëve të procesit të 21 Janarit, Besnik Hoxha dhe Adriana Beraj, kanë qenë të korruptuar. Akuza vjen nga ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili gjatë një interviste ka shpjeguar se për këtë kishte informacion të mjaftueshëm, aq sa të refuzonte edhe dekretimin e dy gjyqtarëve jo një, por dy herë, ndonëse kandidaturat e tyre për anëtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda ishin aprovuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD).

“Në qoftë se unë nuk i kam dekretuar, domethënë që unë kam pasur informacion për korrupsion. Dihet që presidenti është edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe disa propozime të tyre unë nuk i kam dekretuar”, tha Moisiu në një intervistë për “Vizion Plus”. Ish-presidenti nuk harron të kujtojë se refuzimi i tij krijoi pakënaqësi mes anëtarëve të KLD-së. “Ishin të revoltuar ndaj këtij veprimit tim dhe u thashë që kjo është e drejta ime kushtetuese. Unë do dekretoj ata që unë kam bindjen dhe bindja ime nuk krijohet nga hiçi, por krijohet nga informacioni”, shpjegoi Moisiu.

Ndërsa duke u fokusuar tek vendimi i Gjykatës së Tiranës që i dha pafajësinë ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, dhe gardisti Agim Llupo, ish-presidenti i Republikës, pohon se kjo mund t’i kushtojë integrimit europian të vendit. “Katër shpirtra njerëzish, tani kush i vrau?! Rrufeja i vrau apo një fuqi e panjohur? Për këtë unë mendoj dhe shpresoj që nuk ka përfunduar aktiviteti i gjyqësorit, pasi janë disa shkallë”.

Ish-kreu i Shtetit nuk nga nguruar që të mbrojë edhe reagimin ashpër të Ambasadës Amerikane pas vendimit të Gjykatës. “Demokracia amerikane ka treguar gjithmonë që është një demokraci që funksionon, jo thjesht me ligje, por funksionon edhe me aksionet e saj, me veprimet e saj. Prandaj këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse tek e fundit, miqtë tanë qenë ata që dërguan specialistët për të nxjerrë konkluzionet e duhura”, tha Moisiu.

(im/shqiptarja.com)