21 janari, motra e Ziver Veizit për Report Tv: Vëllai u vra me duar në xhepa, do shkojmë në SPAK! Të dënohen urdhëruesit, u vranë nga qeveria Berisha (VIDEO)

Ziver Veizi gjeti vdekjen 13 vite më parë nga plumbat e shtetit që u derdhën drejt proteuseve 21 janarin e vitit 2011. Familjarët e tij jetojnë çdo ditë me atë moment, teksa Veizi rrëzohet përballë kangjellave të kryeministrisë, dhe me shpresën për drejtësi. 

Me dhimbjen në zemër, e motra Trëndafile Muhametaj kërkon drejtësi dhe për Report Tv thotë se do t’i drejtohen SPAK me shpresën se e drejta do të triumfojë. Në intervistën dhënë për gazetarin Arbër Hitaj, e motra e Veizit kërkon nga SPAK një hetim të drejtë dhe dënim për urdhëruesit e 4 vrasjeve.

Gishtin për vrasjen e vëllait të saj e drejton nga kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, ndërsa thotë se urdhëruesit dhe zbatuesit e atij krimi shtetëror duhet të dënohen.

Trëndafile Muhametaj shprehet se vëllai i saj u vra me duar në xhepa, ndërsa shprehet se vrasja e 4 protestuesve ishte e paramenduar.

Ajo komenton edhe vendimin e Strasburgut për 21 janarin, për të cilin thotë se e quajti krim shtetëror dhe se vëllai saj dhe 3 protestuesit e tjerë i vrau qeveria.

Intervista e plotë dhënë për Report Tv

Sot shënohet 13 vjetori i ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011. Një protestë e thirrur nga opozita e atëhershme, Partia Socialiste, përfundoi me 4 të vrarë. Do ndalemi në këtë moment tek ajo ngjarje e rëndë, por parë edhe në këndvështrimin e atyre personave që kanë vuajtur më shumë, familjarë të tyre. Do të lidhemi me zonjën Trëndafile Muhametaj që është dhe motra e një prej viktimave që është Ziver Veizi. Si e kujtoni atë ditë?

Trëndafile Muhametaj: Sigurisht që ndjej të njëjtën dhimbje si atë ditë që ndodhi ngjarja sepse vrasja e vëllait tonë është filmuar mjaft pastër. Momenti që është sulmuar me plumb dhe bie në tokë. Me duar në xhepa. Ne na tronditi shumë. Vajti 13 vite dhe ndjejmë të njëjtën dhimbje. Është dënuar vetëm një person me 3 vite burg. Është burguar gardisti Agim lupo. Por realisht ne nuk e mësuam a bëri apo nuk bëri kaq vjet. Është një plagë e hapur për ne pasi drejtësia penale në atë kohë la për të dëshiruar, kur për vepra penale kaq të rënda të marrësh një dënim kaq të ulët.

Çfarë i kërkoni drejtësisë së re SPAK, pas atij vendim që ka ardhur dhe nga Gjykata e Strasburgut që e quan një vrasje shtetërore?

Trëndafile Muhametaj: Ne drejtësisë Shqiptare i kërkojmë që ta gjykojë tamam. Megjithatë, dimë se më 27 shkurt Gjykata e Apelit ka një çështje për rihetimin e 21 janarit. Me të mbaruar ajo, ne do i drejtohemi SPAK-ut dhe kemi besim se SPAK do marrë një vendim të drejtë dhe jo qesharak.

Nëse kthehemi në ato vite. A ka pasur tentativa ose presione edhe pa vrasjes që i është bërë vëllait tuaj pak metra nga Kryeministria apo eksponentë të Partisë Demokratike ose qeverisë në atë kohë?

Çfarë dyshoni se ka ndodhur atë ditë? Kush mund ta ketë ekzekutuar vëllain tuaj? Ku e drejtoni gishtin?

Trëndafile Muhametaj: Ne nuk kemi gisht. Gishti është i urdhëruesve. Kush qe kryeministër, kush qe ministër. Nuk mund t'ia vë gishtin njeriu, por mendoj se ka qenë e paramenduar.

Kanë kaluar shumë vite. Ta bëjmë pak më të qartë bisedën. Urdhëruesit kush mund të kenë qenë sipas jush?

Trëndafile Muhametaj: Urdhëruesit ato që kanë qenë në qeveri sepse ata e urdhëronin. Ata e kishin gardën nën kontroll. U quajt nga Strasburgu krim shtetëror. Përderisa u quajt krim shtetëror, ata u vranë nga qeveria, kush ka qenë në qeveri. Ne presim vendimin e Gjykatës së Lartë dhe pastaj do e hapim këtë çështje sërish në SPAK. Për këtë arsye i bëjmë apel organeve që të bëjnë një gjykim të drejtë për urdhëruesit, zbatuesit sepse kanë vrarë 4 njerëz të pa fajshëm, me duar në xhepa. Sidomos vëllain tim që ka qenë me duar në xhepa. E kanë parë sytë e gjithë botës. Me 21 janar do shohim vetëm vëllain tim që më bie në tokë. Na hapet plaga njësoj si në 21 janar të 2011 vrasja e vëllait tim.

Edhe një pyetje të fundit, një apel. E di që edhe ju nuk e keni të lehtë që të shikoni ato pamje të tmerrshme.

Trëndafile Muhametaj: Prekem sepse jam motër e helmuar. Me dy vëllezër sepse nuk kam vetëm atë. Edhe vëllai tjetër më iku ashtu dhe askush nuk është hetuar sepse ma shtypën në mes të rrugës.

Një apel të fundit drejtuar drejtësisë së re!

Trëndafile Muhametaj: Drejtësia e re ta hetojë çështjen ashtu siç është për t'u hetuar. Drejtësia shqiptare e asaj kohe të linte për të dëshiruar. Tani kemi besim tek SPAK. Për këtë vepër penale aq të rëndë, dënimi duhet të ishte shumë i rëndë. Do i drejtohemi SPAK-ut. Kemi besim tek drejtësia e re që do ta çojë të drejtën në vend. Kemi shpresa.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja