Në vend që të fillonte të shkruante një kapitull drejtësie, pse jo dhe ndjese, 21 janari tragjik po shkruan në gjykatë një kapitull të shëmtuar dhe kriminal: atë të zhurmimit të vrasjeve dhe arratisjes nga ngjarja objekt gjykimi. Protagonistë, sigurisht nuk janë e nuk mund të jenë gjyqtarët. Sëpaku për momentin dhe shpresojmë se as në të ardhmen, kur t’u vijë koha të thonë fjalën e tyre, nuk do të jenë. Protagonistët janë të pandehurit dhe dëshmitarët nga Garda e Republikës, është tifozeria me uniformë e vrasësve që ka poshtëruar disa herë me sjelljen e saj aulën e gjykatës dhe kujtimin e të vrarëve. Gazetat njoftonin dje se gjatë seancës së radhës një prej gardistëve tha në “dëshminë” e tij se shtëpia e kryeministrit Sali Berisha ruhej atë ditë me 40 gardistë! Shumë mirë! Edhe me dyfishin e këtij numri mund të ruhej e të ruhet shtëpia e kryeministrit. Sa herë të jetë e nevojshme, apo sa herë që ai ta kërkojë.

Po ç’lidhje ka kjo me objektin e gjykimit? Po të ishte “dëshmia” në fjalë një përjashtim, do ta konsideronim shprehje të skarciteteve që shoqërojnë rëndom dëshmitë e ndryshme në gjykatë dhe nuk do të merreshim fare me të. Por kjo e pardjeshme, edhe pse në dallim nga të tjerat ma merr mendja se është e vërtetë në informacionin që sjell, është si pika e ujit në gotën e mbushur plot me fjalë kodra pas bregut, mbroçkulla, përralla, fanitje dhe deri fantazi paranojake të oficerëve dhe ish-ofierëve të gardës që paraqiten para trupit gjykues si të pandehur ose si dëshmitarë. Në seancat e mëparshme kemi dëgjuar komandantë dhe ish komandantë duke folur për "të dhënat" që kishin ata në lidhje me plane dhe organizime të armatosura kundër kryeministrisë dhe kryeministrit. Komandanti aktual i Gardës, që me 21 janar ka qenë zevendkomandant, ka folur për 400 trupa të armatosura që ishin pozicionuar te këndi i lojërave "shtatë xhuxhat" afër rrugës së Elbasanit.

Të tjerë "dëshmitarë", po nga Garda, kanë folur për trupa komando. "Dëshmitë" e këtij lloji kanë shënuar një kulm dhe kanë marrë edhe vulën në fjalën që ka mbajtur para gjykatës i akuzuari kryesor, ish komandanti A.Prendi. Ky, duke zhvilluar tezën e përhapjes së gjerë të planeve për eliminimin e kryeministrit, deklaroi se në gjithë Europën kishte patur sinjalizime për akte terroriste kundër kryeministrave të ndryshëm. Konkluzioni: meqenësë në gjithë Europën kishte patur sinjalizime për akte terroriste kundër kryeministrave të ndryshëm, trupat mbrojtese të kryeministrit tonë u shtërnguan të vrisnin katër protestues dhe të plagosnin disa të tjerë në bulevardin "Dëshmoret e kombit"! Vetë Shvejku me budallëkun e tij të shëndetshëm do ta refuzonte këtë lloj shakaje shqiptare! Po të ishte kjo logjika e mbrojtjes së kryeministrave, toka e Europës do të ishte deri në gju me kufoma dhe gjak!

Mos kanë shkalluar këta të pandehur e dëshmitarë? Mos po shohin hije të gjithë? Jo. Po të ishin prekur nga ndonjë sëmundje mendore, kjo do të binte në sy edhe në veprimet e tjera të jetës së tyre të përditshme. Vetëm në gjykatë bëjnë kështu. Dhe bëjnë kështu me vetedije. Tani, në përseritjen për të disatën herë të dukurisë, është bërë e qartë se "dëshmitë" e tyre janë pjesë të një "dëshmie" unike që ka për qëllim të sugjestionojë gjyqtarët dhe të justifikojë vrasjet e 21 janarit sikur ato kanë ndodhur në kushtet e një beteje për mbrojtjen e jetës së kryeministrit. Është e njëjta strategji që ndoqi kryeministri Berisha menjeherë pas 21 janarit në "dëshminë" e tij tragjikomike para komisionit parlamentar me deputetë të partisë së tij kur "denoncoi" armatimin e sofistikuar të protestuesve, çadrat-pistoletë, stilolapsat-pistoletë, thikat me helm, kamionët me kallashnikovë e tjerë e tjerë- një fanitje politike e kërkuar dhe e pashembullt, nga e cila nuk ka rrezultuar gjë prej gjejë, as edhe një provëz sado e vockël, por ka mbetur e mbetet në anale si kujtimi i një mëkati të madh me të vrarët. Më e pakta. Tani fanitja e deridjeshme e kryeministrit është bartur në gjykatë nga të pandehurit dhe dëshmitarët nga Garda.

Por gjykata nuk është, ose sëpaku nuk duhet të jetë një foltore poltike ku politikanët ia këpusin si t'u vijë për mbarë, duke shkuar me mendimin se askush nuk i ndëshkon për këtë. Në gjykatë dëshmia jepet në betim për të thënë të vertetën dhe vetëm të vërtetën. Gjykata ka tagrin të udhëroje arrestimin në vend të dëshmitarëve për dëshmi të rreme në dëm të procesit dhe drejtësisë. Dëshmitarët e sensacioneve, si këto që po dëgjojmë për 21 janarin, kanë detyrimin para gjykatës dhe publikut të tregojnë nga i kanë këto të dhëna, pse nuk kanë vepruar në kohë organet e rendit për kapjen e sëpaku njërit prej katërqindeve që qenkëshin pozicionuar të "shtatë xhuxhat", a ka ndonjë emer konkret nga kjo masë e madhje katërqindëshe? Publiku është i informuar se policia e shtetit ka ndaluar rreth 120 demostrues pas 21 janarit, disa prej të cilëve u rrahën deri barbarisht në përpjekje për tu marrë dëshmi të rreme sikur kishin marrë porosi sulmi dhe lekë nga opozita. Shumica u lanë të lirë për mungesë provash, një pjesë morën dënimin për kundravajtje, ngaqë kishin qëlluar në drejtim të uniformave blu me gurë, çadra ose shkopinj parullash. Askush nuk u kap e nuk u dënua për armëmbajtje pa leje.

Policia e shtetit e ka bërë të vetën kundër demostrusve kundravajtës. Nga dolën tani komandot dhe trupat që nuk i ka parë e kapur njeri? Nuk kemi dëgjuar që gjyqtarët tua bëjnë dëshmitarëve dhe të pandehurve gardistë pyetjet e mësipërme. Ndoshta i konsiderojnë jashtë temës. Po pse i lejojnë të dalin kështu, në mënyrë kaq flagrante jashtë temës? Gjasat janë se gjyqtarët nuk i pyesin ngaqë e dinë se nuk mund të ketë përgjigje. Burimet nuk mund të shpiken, emrat e njerëzve që paskan marrë armët e qenkan mbledhur te "shtatë xhuxhat" nuk mund të shpiken. Gjithçka është një gënjeshtër e madhe në funksion të manipulimit të së vërtetës dhe drejtësisë. Është në thelb një dëshmi e rremë që thërret në kauzë gjykatën për të mbajtur qëndrimin ligjor që mbahet në raste të tilla.

Gjykata nuk mund të përfshihet në lojën e betejës -fantazëm që po përpiqen të tregojnë në aulën e saj të pandehurit dhe dëshmitarët nga Garda e Repubklikës. Në të vërtetë, duke shpikur një betejë-fantazmë, të akuzuarit dhe avoketërt e tyre politike dekonspirojnë mendimin e vrasjes me paramendim të katër qytetarëve paqësore në bulevard, për t'i dhënë një mesim opozitës. Por këta të vrarë mish për top as kanë qenë as mund të bëhën në gjykatë.
(Gre.M/Shqiptarja.com)