Media greke Protothema ka publikuar pamjet nga disa prej momenteve ku bizneseve të ndryshme u hidhen granata dore nga grupi kriminal që drejtohej nga i burgosuri i famshëm shqiptar, Klodian Lekocaj alias Klod Cara. Ky i fundit e drejtonte bandën ndërkohë që vijonte dënimin në burgun e Trikalas.
Bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë një rom i burgosur në burgun e Malandrinos, dy egjiptianë të burgosur në Avlona dhe Malandrino, si dhe pesë të tjerë, të cilët janë arrestuar.
Grupi vendoste gjoba ndaj bizneseve, të cilët ishin të detyruar të paguanin ose do të përfundonin të hedhur në erë. Në pamje shihen sulmet me granatë dore ndaj dy lokaleve në qendër të Athinës, në fillim të muajit shtator.
Gjithashtu shihet edhe sulmi i kryer në fillim të tetorit ndaj njërit prej dy lokaleve të përmendura më sipër. Autorët kalojnë përpara lokalit, hedhin një granatë dore brenda ambienteve, ku ndodheshin klientë dhe largohen nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu.
Siç rezultoi nga hetimet, të akuzuarit ishin bërë pjesë e një organizate kriminale me aktivitet të vazhdueshëm, strukturë të brendshme të qëndrueshme dhe organizim hierarkik, si dhe me ndarje të qartë të roleve.
49-vjeçari Lekocaj drejtonte, ndërsa anëtarët e tjerë mblidhnin informacionee për objektivat e përzgjedhur, mbikëqyrnin banesat dhe ambiente me interes, identifikonin persona dhe automjete, si dhe fotografim e hartëzim të zonave. Ata merreshin gjithashtu me sigurimin e mjeteve të nevojshme, kryerjen e sulmeve dhe largimin nga vendet ku kryheshin veprimet kriminale.
Bashkëpunëtorët e Lekocajt në burg vepronin si hallka komunikimi mes drejtuesve të organizatës dhe anëtarëve jashtë burgut. Ata merrnin përsipër përcjelljen e urdhrave, koordinimin e veprimeve të veçanta dhe ruajtjen e kohezionit operacional të organizatës.










Komente
Komento