TIRANE - Ish kreu i Gardës së Republikës Ndrea Prendi dha një dëshmi befasuese në Gjykatën e Tiranës, ku vazhdon gjykimi i procesit për 21 Janarin. Ish kreu i Gardës së Republikës i vënë në akuzë për vrasjen e protestuesit Faik Myrtaj dhe plagosjen e dhjetra protestuesve të tjerë pohoi sot për herë të parë se “gjatë protestës morën informacione se godina e kryeministrisë dhe Presidencës do sulmoheshin nga protestues të caktuar me armë kimike.”

Sipas tij “Garda mori dhe një tjetër informacion se një person i instrukturuar në Gjermani po përgatitej të vriste me armë snajper kryeministrin Berisha.” Këto dëshmi të pazakonta janë dëgjuar për herë të parë nga kreu i Gardës ndërsa pak para kësaj deklarate pohoi se para protestës garda nuk kishte asnjë të dhënë se në 21 Janar do përdorej dhunë.

"Na trembi vetëm fjala demostratë" mësohet se është shprehur ish kreu i Gardës. Prendi ka mohuar në mënyrë kategorike që gardistët dhe ai vetë të kenë qëlluar mbi trupat e protestuesve ."Kemi qëlluar vetëm në ajër, prokuroria ka abuzuar me provat dhe ligjin e Gardës" është shprehur Prendi duke akuzuar organin qëndror te akuzes. Prendi hedh dyshime se prokuroria ka manipuluar provat me qëllim fajësimin e tij. "Është aluduar me pistoletën time dhe të shoferit tim. Janë maniupular provat" është shprehur Prendi. Ai ka pohuar më tej se Garda përdori armët ne ajer pasi janë bërë të gjitha parlajmërimet e mundshme ndaj protestuesve . "Për mbijetesë kemi dhënë urdhër të qëllohej me plumba luftarakë" tha Prendi. Ai pranoi se dhe vetë ka qëlluar me pistoletë në ajër dhe në këtë moment është qëlluar nga një pllakë guri dhe më pas ka humbur ndjenjat.
"Në 21 janar vetem kemi bërë vetëmbrojtje dhe asnjehëre skemi sulmuar" tha Ndrea Prendit në seance

Ndrea Prendi deklaroi se është i pafajshëm dhe për si provë, sipas tij shërbejnë edhe dëshmitë e dhëna në këtë proces ku asnjë prej dëshmitarëve s'ka thënë asgjë për fajësinë e tij. "Së shpejti do paraqes prova dhe foto qe zbardhin të plotë 21 Janarin" është shprehur Prendi.

AKUZON SHISH
Duke cilësuar heroike qëndrimin e gardës, Ndrea Prendi akuzoi SHISH se nuk ka dhënë asnjë informacion për atë që sipas tij mund të ndodhte në protestën e opozitës. "Shish e ka patur të detyruar me ligj informacionin. Jemi përballur me sulm barbar dhe sipas ligjit u detyruam të përdorim armët" është shprehur Prendi. Ish komandanti i Gardës akuzoi njëherazi dhe strukturat e tjera të sigurisë që nuk i dhanë mbështetje 200 gardistëve të angazhuar në protestë. Prendi akuzoi dhe policinë e shtetit. "Telefonuam Burgaj, por ai nuk ngriti as telefonin" tha Prendi.

Ndërkohë ai pohoi se gjatë protestës në tunelin e kryeministrisë ka takuar ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Bashën, ku ky i fundit e ka garantuar se po mundohej të rivinte në funksionim kordonin e policisë, që ishte larguar. Ish komandanti i Gardës së Republikës pohoi se informacionin mbi viktimat në protestë e ka marrë vetëm nga media dhe se ka ndjerë keqardhje për gjithcka kishte ndodhur.

(sg/ns/shqiptarja.com)