Avokati Saimir Vishaj është ndarë nga jeta, pasi prej disa ditësh ndodhej i intubuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.

Vishaj ishte transportuar me urgjencë në spital pas një incidenti, ku dyshohet se kishte rënë nga shkallët. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetonte.

Saimir Vishaj ishte një emër i njohur i avokatisë shqiptare, me një karrierë që nisi në vitin 1998. Prej vitit 2009, ai drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione të tjera, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komitetit të Disiplinës dhe i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi.

Në gusht të vitit 2025, Vishaj kishte rrëfyer publikisht një tjetër betejë të vështirë për jetën. Ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë, për shkak të së cilës kishte qëndruar në koma dhe i intubuar. Pas trajtimit mjekësor në Itali, kishte arritur të rikuperohej.