Marshimi homazh nga selia e Partisë Socialiste, u drejtua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas përpara Kryeministrisë, aty ku humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.
Pas tubimit homazh, rreth orës 12:00 në kinema “Milleniun” u përcaktua për t'u organizuar shfaqja e një dokumentari për “21 janarin”. Në kortezh ishin të pranishëm edhe kreu i PS-së Edi Rama, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, dhe kreu i PDS-së, Paskal Milo.
Nga ceremonia që u zhvillua në kinema “Milleniun” kreu i PS-së premtoi drejtësi dhe ndëshkim të autoreve te vrasjes së 4 protestuesve menjëherë pas fitores së zgjedhjeve. Ndërkohë që në mbledhjen e grupit PD, afërisht 1 orë pas përfundimit të marshimit homazh, Berisha përsëriti akuzat se 21 janari ishte një sulm për të marrë pushtetin me dhunë dhe akuzoi Ramën si fajtor. Lexoni shkrimin Berisha: Grusht aventurieresh kunder shtetit
RAMA: ME 21 JANAR 2014 TE VRARET DO TE SHPALLEN DESHMORE
Ora 13:10 Në fjalën e mbajtur në ceremoninë që u zhvillua në kinema Millenium, Rama tha se drejtësia për 21 janarin nuk i duhet vetëm familjarëve por gjithë shoqërisë, duke premtuar se në 21 janar të vitit 2014 katër burrat do të shpallen dëshmorë të atdheut.
"Drejtësia për 21 janarin nuk u duhet vetëm familjeve të katër burrave, katër baballarëve, katër djemve, katër miqve, katër shqiptarëve të zakonshëm, të cilët sot një vit në 21 janar të vitit 2014, ne do t’i shpallim dëshmorë të atdheut. Drejtësia për 21 janarin u duhet të gjitha familjeve të zakonshme shqiptare. U duhet familjeve që nuk gëzojnë dot të drejtën e të jetuarit normalisht me punë të ndershme. Familjeve që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë. Familjeve që po mbyten prej litarit të borxheve në ushqimore. Drejtësia për 21 janarin i duhet shoqërisë së mbërthyer nga pasiguria prej krimit dhe korrupsionit.
Drejtësia për 21 janarin i duhet Shqipërisë së kapur prej fyti nga një pushtet që ka dalë nga vjedhja e votës dhe ka vrarë për të kallur në çdo gjoks shqiptari plumbin e frikës. I duhet Shqipërisë që ka mbetur në hendekun përditë e më të madh mes ligjeve në letër dhe pa pandëshkueshmërisë ne realitet. I duhet Shqipërisë për t’u bërë me shtet, me ligj e me qeveri në shërbim të saj. Për t’u bashkuar me Europën, duke u bërë si gjithë Europa", u shpreh Rama. Lexoni të plotë fjalën e Ramës
(Foto: Nga homazhet para viktimes Aleks Nika)
VULLNET TOPALLI: PS SOLLI KERKESE NE KUNDERSHTIM ME LIGJIN
Ora 13:00 Kryetari i Policisë Bashkiake të Tiranës, Vullnet Topalli reagoi ndaj mos lejimit të mediave televizive për të transmetuar live ceremoninë që do të zhvillohej tek kinema Milenium, tek pedonalja, "Murat Toptani". Topalli tha se PS ka sjellë kërkesën në kundërshtim me ligjin.
“Vetëm sot janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e aktivitetit”, tha Topalli dhe sipas tij kërkesa e PS duhej të bëhej 24 orë para aktivitetit.
“Policia Bashkiake ka vënë në dispozicion të gjithë potencialin e saj për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit siç kërkon PS në kërkesën e saj. Ish-drejtuesit e Bashkisë e dinë shumë mirë si funksionon ligji në të tilla raste“, nënvizoi Topalli.
RAMA: ATA QE NXITEN VRASJET I TREMBEN NJE FILMI
Ora 12:30 Kryetari i PS-së Edi Rama reagoi në rrjetin social Twitter ndaj bllokimit nga policia bashkiake të studiove lëvizëse të televizioneve. “Të mjerët nxitës të atyre vrasjeve sot Iu trembën një filmi dhe fjalëve të rastit për 21 janarin! S’kanë faj krimi është hije që s’ndahet thonë! Sali Berisha e Lulëzim Basha bllokojnë me polici rrugën e kinemasë për të mos lejuar mediat ta transmetojne live ceremonine perkujtimore! “
PS: POLICIA BASHKIAKE PENGON MAKINAT E STUDIOVE DIREKTE
Ora 11:55 Partia Socialiste deklaron se policia bashkiake pengon makinat e transmetimeve direkte të televizioneve që të afrohen tek kinema “MilLenium”, tek pedonalja, ku do të shfaqet dokumentari për 21 janarin dhe do të mbajë fjalën kreu i PS-së. PS thotë se ka marrë leje për këtë aktivitet, por policia bashkiake thotë jo.
HOMAZHE NE VENDET KU U VRANE PROTESTUESIT
Ora 11:31 Në krye të tubimit homazh ishin familjarët e viktimave si dhe disa të rinj që mbanin fotot e , Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt. Në resht të dytë ishte kreu i PS-së Edi Rama me deputetë të tjerë socialistë. Ndalesa e parë u bë tek fotoja Aleks Nikës. Më pas e Hekuran Dedës, Faik Myrtajt e Ziver Veizit. Fotot janë vendosur pikërisht në vendet ku janë vrarë nga plumbat e dala nga godina e kryeministrisë. Ndryshe nga një vit më parë numri i pjesëmarrësve në këtë ceremoni është më i vogël, se në 2012. Në homazhe dhe kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, dhe kreu i PDS-së, Paskal Milo.
12 MAKINA POLICIE E 2 AUTOBOTE ME UJE PRAPA KRYEMINISTRISE
Ora 11:14 Ndonëse u tha nga PS-së se tubimi i sotëm homazh për ndet të 4 të vrarëve në demonstratën e 21 janarit 2011 do të ishte paqësor policia e Tiranës përforcoi masat e sigurisë dhe radhët e saj pranë Kryeministrisë. Që prej orës 09:30 një numër forcash policore ishin vendosur në të dy kahet e godinës së Kryeministrisë. Ndërsa 12 makina policie ndodheshin në gadishmëri prapa kryeministrisë në rast të ndonjë përshkallëzimi situate. Gazetari i Tv A1 Report, Arsen Rusta fokusoi në rrugën “Papa Gjon Pali i Dytë” makinat e policisë. Ndërsa në rrugën “Ismail Qemali” ishin vendosur dy autobotë me ujë, të cilët përdoren për të shpërndarë turmat në rast demonstrate të dhunshme. SHIKONI FOTOT
NIS MARSHIMI PAQËSOR
Ora 11:00 Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputetët të tjerë socialistë së bashku me qindra mbështetës të opozitës po marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Marshimi zhvillohet nën tingujt e muzikës funebre.
(Foto: Ne momentin kur po dalin nga selia PS)
POLICIA NDALON AUTOBUSET NE SHESHIN SHQIPONJA
Ora 10:50 Dhjetra mbështetës të Partisë Socialiste kanë mbushur tërë rrugën që lidh PS me sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë që policia ndaloi autobusët e ardhur nga rrethet në sheshin “Shqiponja” pranë Doganës.
15 AUTOBUSE NGA DURRESI NE TIRANE
Ora 10:00 Rreth 15 autobus me mbështetës të opozitës janë nisur nga Durrësi drejt Tiranës.
POLICIA BEN GATI PERFORCIMIN TEK KRYEMINISTRIA
Ora 09:54 Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” vihet re një shtim i forcave policore në të dy anët e godinës së kryeministrisë, si nga ana e Piramidës por dhe në krahun tjetër ku ndodhet Hotel Rogner. Në gadishmëri janë vënë forcat e policisë të 6 komisariateve të Tiranës.
(Foto: Forcat e policise pranë kryeministrise ora 09:55 )
MBESHTETES TE OPOZITES NGA ELBASANI E LEZHA NE TIRANE
Ora 09:50 Mbështetës të opozitës nga qytete të ndryshme po organizohen për të ardhur në Tiranë për tju bashkuar protestës homazh që do të nisë në orën 11:00. Nga qyteti i Elbasanit korrespondenti i Tv A1 report, Andi Qosja informon se priten të nisen 400 protestues drejt Tiranës. Kryetari i Partisë Socialiste të Elbasanit Astrit Halili ka thënë se në dallim nga vitet e tjerë janë nisur me makina private. Nga Lezha korrespondenti i Tv A1 Report Julian Hila informon për 100 mbështetës të PS-së janë nisur drejt Tiranës
RAMA: NJE TJETER 21 JANAR PA DREJTESI
“Një tjetër 21 janar pa drejtësi, madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Ne do të jemi nesër (sot) aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit”, - tha dje Rama duke shtuar se “21 janari është nga ato ngjarje që një vend nuk ka mundësi t’i harrojë, sepse është një plagë që do të mbetet e hapur, deri kur drejtësia të jetë venë në vend.
POLICIA KUFIZON QARKULLIMIN NE BULEVARD
Në lidhje me këtë tubim të PS, Policia e Tiranës ka njoftuar se duke filluar nga ora 10.30 deri në orën 14.00, do të ketë kufizime të qarkullimit rrugor.
Policia sqaron se këto masa merren me qëllim sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, duke kryer edhe disa kufizime lëvizjes së mjeteve përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza" nga ora 10.00 deri më 14.00. Po ashtu, kufizime të mjeteve do të ketë për zhvillimin normal të marshimit homazh, duke filluar nga sheshi "Austria" deri në afërsi të Kryeministrisë.
GJYQI ENDE NUK ËSHTË MBYLLUR
2 vjet nga ngjarja e rëndë e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër protestuesit e opozitës, ende nuk ka një vendim të drejtësisë shqiptare, dhe si shume procese të tjera të bujshme nuk i ka shpëtuar zvarritjes as ky proces. Gjykata e Tiranës ka mbyllur shqyrtimin e provave, duke caktuar 30 janarin si ditën që prokuroria të paraqesë konkluzionet përfundimtare. I vetmi person që ndodhet pas hekurave për 4 vrasjet e 21 janarit është vetëm ish-gardisti Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit pranë derës së kryeministrisë, ndërkohë që prokuroria ka akuzuar lidhur me këto vrasje edhe ish-shefin e gardës, Ndrea Prendi. Për 3 deputetet socialiste Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj u pushua hetimi për shkak te amnistisë për 100- vjetorin e pavarësisë.
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)